1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

261209 Transatlantikflug Anschlag

26 Dhjetor 2009

Në SHBA ka dështuar një atentat ndaj një avioni të mbushur me pasagjerë. Sipas të dhënave të autoriteteve të SHBA, gjatë uljes së avionit në Detroit, një nigerian i ri u përpoq të ndizte një lëndë shpërthyese.

https://p.dw.com/p/LDyL
Fotografi: AP

Lënda shpërthyese ndodhej e lidhur në këmbën e atentatorit

Incidenti ndodhi natën duke gdhirë e shtuna (26.12.), kur avioni i shoqërisë amerikane të fluturimeve Northwest kishte nisur fluturimin e uljes në Detroit. Deputeti republikan, Peter King, kryetar i Komisionit për Mbrojtjen e Atdheut në Dhomën e Përfaqësuesve u informua për incidentin dhe i tha kanalit televiziv të SHBA Fox News, se i arrestuari është një nigerian 23 vjeçar. Burri pati ndezur me sa duket një lëndë shpërthyese që ndodhej e lidhur në këmbën e tij. Incidenti në fluturimin që kryhej nga shoqëria Delta kaloi pa dëme për dy arsye:

"Nga njëra anë, lënda shpërthyese nuk shpërtheu aq fort, sa e kishte planifikuar ai. Nga ana tjetër, pasagjerët e bënë shumë shpejt zap atentatorin. Vetë atentatori pësoi djegie të shkallës së tretë. Mund të kishte ndodhur një katastrofë."

Në Amsterdam kontrolli i atentatorit nuk u krye si duhet

Avioni qe nisur në Amsterdam, por i dyshuari si atentator e pati nisur fluturimin e tij që në Nigeri. Supozohet se ka mundësi që për këtë shkak atë nuk e kanë kontrolluar si duhet në Amsterdam. Që 23 vjeçari ka lidhje me rrjetin terrorist të El Kaidas, ky është një fakt i njohur për autoritetet. Peter King tha më tej:

"Ka shumë pyetje për kontrollin e sigurisë në Nigeri, për atë që ndodhi në Amsterdam dhe pse ky burrë nuk ndodhej në listën e personave që ndalohet të fluturojnë. Siç e kuptova unë, autoritetet e dinin që ai kishte lidhje me skenën terroriste. Për të ekzistonte një dosje."

Besohet se burrit i kanë ardhur nga Jemeni pjesët e veçanta të lëndës shpërthyese. Për këtë, deputeti King tha:

"Këtë nuk mund ta konfirmoj 100%, por kjo është ajo që kam dëgjuar dhe nga burime të besueshme, prandaj edhe jam i prirur ta besoj."

Presidenti i SHBA, Barak Obama urdhëroi që nga vendi i tij i pushimeve në Havai përforcimin e masave të sigurisë.

Autor: Kristina Bergman / Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora