Atdheu ose vdekja - ne do të fitojmë! | Bota | DW | 13.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Atdheu ose vdekja - ne do të fitojmë!

Plot një javë më parë kryetari kubanez i shtetit Fidel Kastro i dorëzoi të gjitha funksionet shtetërore vëllait të tij më të ri, Raulit. Arsyeja: një operacion në zorrë. Qysh atëherë ai nuk është shfaqur më në publik

Lideri rebel kuban Fidel Kastro

Lideri rebel kuban Fidel Kastro

Kundërshtarët gëzohen që tani për përfundimin e epokës së Kastros, gjithë të tjerët presin me tension lajme të reja. Por informacione vërtet të besueshme mbi gjendjen e tij shëndetësore nuk ka. Edhe ceremonitë festive për 80 vjetorin e tij janë shtyrë. "Maximo Lider" mbush të djelën plot 80 vjeç.

"Atdheu ose vdekja" - kjo është motoja e luftarake e Fidel Kastros. Dhe prej dekadash fiton atdheu. Vdekja dhe Kastro duket se nuk shkojnë me njëri-tjetrin. Nëse 'Maximo Lider' pak përpara ditëlindjes pati thjesht një hemoragji zorrësh apo nëse bëhej fjalë për një tumor nuk ka shumë rëndësi - për miqtë ashtu si për armiqtë ai duket sikur është prej hekuri: "E rëndësishme nuk është sa herë një njeri bie por sa herë ngrihet. Komandanti shpejt do të jetë mirë sërish."

Fidel Kastro duket i pavdekshëm. Me vetëm 113 rebelë të armatosur sulmon në 1953 kazermën e dytë më të madhe të diktaturës dhe mbijeton.

Dhjetëra atentate, sipas të dhënave zyrtare rreth 600, janë kryer ose planifikuar kundër tij: puro të helmatisura, gaz helmues, të shtëna, bomba nga shërbimi sekret amerikan CIA, kubanë në mërgim apo nga mafja: Kastro u ka shpëtuar të gjithave dhe ja si shprehej për këtë aftësi të tij të çuditshme mbijetese: "Meqenëse ata (kundërshtarët) nuk kanë patur sukses më deklarojnë tani për të sëmurë rëndë apo të vdekur. Por unë kam vetëm një problem: kur një ditë të vdes vërtet askush nuk do t'a besojë."

Fidel Kastro, karizmatiku plot humor! Thuhet se gratë e pëlqenin pushtetarin me mjekër që vinte erë lirie dhe aventure. Ka patur histori të panumërta me gratë, një martesë të ligjshme dhe një "martesë të paligjshme" që vazhdon ende me Delia Soto del Valle. Me të ka pesë djem emrat e të cilëve fillojnë të gjithë me A: Angel, Antonio, Alehandro, Aleksis dhe Aleks. Por rradha e trashëgimtarëve të tij nuk mbaron këtu: janë edhe Fransiska, Fidelito, më i madhi dhe besniku dhe Alina, e cila ka shkruar një libër plot urrejtje kundër tij.

Burrat në jetën e tij e kanë ndjekur gjithnjë nga pas. Në kryengritje, në luftë të hapur dhe në socializimin 'á la Fidel'. Të paktën kubanët më të varfër pasi shtresa e lartë, 15.000 familje të pasura, menjëherë pas revolucionit u larguan në SHBA.

Fidel Kastro është njeriu që i solli popullit të tij shtypje, arbitraritet dhe tutelë por edhe kujdes shëndetësor, sigurimin e mjeteve ushqimore bazë dhe shkollim.

Me revolucionin e tij në fillim të vitit 1959 ai zhduku diktaturën e Batistës dhe mandatin de facto të SHBA. Ishte fillimisht një revolucion social që rishpërndau pasurinë: "Babai im kishte mijëra hektarë tokë. Me fitoren e revolucionit kjo tokë i kaloi punëtorëve dhe fshtarëve. Kam nderin të them se unë nuk zotëroj asnjë dollar të vetëm. Gjithë pasuria im zoti Bush mund të hyjë në xhepin e këmishës suaj."

Dhjetë presidentë të SHBA ka përjetuar Kastro gjatë pushtetit të tij, tani në botë ai është kryetari i shtetit me kohë më të gjatë qeverisjeje. SHBA janë armiku i tij kryesor, por edhe justifikimi i tij më i mirë. Kërcënimin nga veriu dhe embargon disa dekada të gjatë fajëson Kastro për mungesat në ekonomi, ndërprerjet e energjisë, qytetet drejt rrënimit dhe varfërinë.

Kush guxon të dyshojë për këtë kërcënohet me dënime të forta me heqje lirie. Gjatë vitit të kaluar prapa kangjellave të burgjeve kubane ndodheshin rreth 300 të burgosur politikë. Atyre që mendojnë ndryshe "komandanti" nuk u jep asnjë liri.

Qysh i ri Fidel Kastro dallohej për vullnetin e fortë dhe natyrën rebele. Për idealet la shtëpinë e prindërve kujton motra e tij Huanita, e cila prej 40 vjetësh jeton në mërgim në Florida dhe rradhitet ndër kritikët më të ashpër të vëllait:"Ai nuk është më i njëjti Fidel, është një njeri tjetër. Pushteti e ka ndryshuar, pushteti të cilin kërkon ta mbajë me çdo kusht. Ai do ta vrasë."

Fidel Kastro - burri i moshuar dhe pushteti. Revolucionin nuk e sheh si veprën e jetës së tij, ai është vetë jeta. Për të ai ka luftuar me të gjitha mjetet. Dhe ëndërron që kjo luftë të vazhdojë edhe kur të mos jetë më: "Revolucioni kuban nuk është vepra e një njeriu të vetëm, nuk mund të jetë i tillë. Ai është fruti i heroizimit të një populli të pamposhtur. Miliona kubanë janë gati ta mbrojnë atë deri në pikën e fundit të gjakut. Asnjë forcë në botë nuk mund të thyejë qëndresën apo të shkatërrojë pavarësinë tonë. Në Kubë do të ketë socializëm, gjithnjë e më shumë socializëm."

Ky duket se është edhe amaneti politik i Fidel Kastros nëse një ditë vërtet do të vdesë - dhe dikush do të besojë se ka vdekur!

  • Data 13.08.2006
  • Autor Michael Castritius
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArKi
  • Data 13.08.2006
  • Autor Michael Castritius
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArKi
Reklamë