Ata besojnë në një konspiracion të elitave | Evropa | DW | 13.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ata besojnë në një konspiracion të elitave

Konferencë ndërkombëtare në Sofje mbi populizmin e ri

Demonstrim i lëvizjes populiste Ataka në Bullgari

Demonstrim i lëvizjes populiste "Ataka" në Bullgari

"Sfidat e populizmit të ri"! Nën këtë titull kanë diskutuar këto ditë politikanë dhe specialistë me ftesë të fondacionit për një Shoqëri të Hapur dhe Qendrës për Strategji Liberale në kryeqytetin bullgar Sofje. Në Venezuela dhe Bolivi, në Poloni dhe Bjellorusi e madje edhe në vendin mikpritës Bullgari, në shumë vende të globit është i pranishëm ky rrezik i ri, konstatuan ministra, deputetë dhe profesorë të universiteteve.

"Liberalizmi i limuzinave" dhe "e majta e kaviarit" janë bashkëfajtorë për boomin e populizmit. Në këtë pikë ishin të një mendjeje të gjithë pjesëmarrësit në konferencë. Në sfondin e borgjezimit të së majtës, retorika e saj nuk është më bindëse dhe kështu ka ardhur koha e populistëve. Amerika Latine dhe Europa Qëndrore e Lindore janë aktualisht veçanërisht të rrezikuara nga populistët kanë konstatuar pjesëmarrësit nga rreth 12 vende.
Profesori i ekonomisë nga Kili, Kristian Larule, foli për aspektet ekonomike të politikës në Venezuelë, Bolivi dhe Argjentinë. Rishpërndarja intensive, borxhet në rritje të shtetit dhe inflacioni, rënia ekonomike, të gjitha këto janë rezultate të një politike populiste të cilat në periudhë afatgjatë mund të jetë shumë të dëmshme për popullin, tha Larule duke iu referuar epokës së ish presidentit Allende në Kili. Aryeh Neier, aktivist i njohur për të drejtat e njeriut, publicist dhe president i Institutit për një Shoqëri të Hapur në Nju Jork, e përshkroi kështu profilin politik të populizmit latino-amerikan: "Bëhet fjalë për përpjekje për të shmangur institucionet. Kreu i shtetit kërkon të komunikojë direkt me masat. Në një farë mënyrë populistët latino-amerikanë janë populistë të majtë. Ata nuk drejtohen kundër pakicave si populistët në Europë. Por si populistët në Amerikën Latinë ashtu edhe ata europianë besojnë në një konspiracion të elitave."
Ky konspiracion i pretenduar i elitave kundër popullit është një nga piëkrëndësat e retorikës populiste në të gjithë globin. Pas përfundimit të luftës së ftohtë dhe nën trysninë e globalizimit të shpejtë ekonomik, miliona njerëz ndien pasiguri gjë që i bën vulnerabël ndaj zgjidhjeve bardh e zi, në dukje të thjeshta të populistëve. Terreni për këtë është veçanërisht i përshtatshëm në Europën Qëndrore e Lindore pasi vetë komunistët atje kishin origjinë populiste, konstatoi ish ministri hungarez i financave Lajosh Bokrosh. I këtij mendimi është edhe Ariyeh Neier. Pyetjes se cili lloj populizmi është më i rrezikshëm, ai i Lë Penit dhe Hajderit në perëndim apo ai i vëllezërve Kaçinski në Poloni ai iu përgjigj: "Besoj se ai në Europën Lindore pasi atje institucionet e një qeverie demokratike nuk janë të zhvilluara aq mirë sa në perëndim. Pra atje është më e lehtë të mënjanosh institucionet apo të minosh punën e tyre."

Partitë në Europën Perëndimore i shohin zgjedhësit si konsumatorë dhe përpiqen të shesin një mall të mirë, ndërsa shumë parti në ish zonën e influencës sovjetike vazhdojnë t'i shohin zgjedhësit si një masë memece e cila duhet sunduar, mendon profesori njujorkez Tomas Karoters. Shembuj tipikë për një politikë populistë janë Vladimir Putin në Rusi dhe Aleksandër Lukashenko në Bjellorusi, ka shtuar publicistja ruse Maria Lipmann. Ndërsa sociologu bullgar Vasil Garnizov foli mbi rrezikun populist shumë të diskutuar në Bullgari pas fitores elektorale atje të partisë neonaziste Ataka: "Ajo çfarë më preokupon më shumë tani është radikalizimi i shoqërisë bullgare. Nga njëra anë ka ndodhur një farë normalizimi si në shtresën e mesme ashtu edhe në shtresat më të larta. Por nga ana tjetër në mënyrë paradoksale lindin lëvizje dhe koncepte radikale."
Francezi Fransua Hejbur i përmblodhi me këto fjalë diskutimet e konferencës së Sofjes: "Populizmi si lëvizje përmban disa elementë. Natyrisht fillimisht nevojitet një lider karizmatik. Së dyti populistët injorojnë plotësisht strukturat ndërmjetëse dhe institucionet për të vendosur gjoja kontakt të drejtpërdrejtë me popullin. Por në të vërtetë ata synojnë konfiskimin e pushtetit për qëllimet e veta."

  • Data 13.05.2006
  • Autor Alexander Andreev
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArB6
  • Data 13.05.2006
  • Autor Alexander Andreev
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArB6