1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Assadi: Nga armik në mik?

Anne Allmelling12 Shkurt 2015

Për një kohë të gjatë Perëndimi i është shmangur Bashar Al Assadit. Por me sa duket, diktatorin sirian e informojnë për sulme ajrore ndaj pozicioneve të terroristëve të IS. Fronti ndërkombëtar kundër tij po lëkundet.

https://p.dw.com/p/1EZpQ
Bashar al-Assad 4.12.
Fotografi: Reuters/Sana

Për një ftesë në Pallatin Elize, për këtë diktatori i Sirisë, Bashar Al-Assad sot vetëm mund të ëndërrojë. Vërtet që nuk kanë kaluar më shumë se katër vjet, kur hëngri darkë bashkë në Paris me Presidentin e atëhershëm të Francës, Nikolas Sarkozy.

Sot në plan ndërkombëtar Assadi konsiderohet i izoluar, të paktën në Perëndim. Por që kur milicia terroriste "Shteti Islamik" ka vënë nën kontrollin e saj pjesë të gjëra të Irakut dhe Veriun e Sirisë, diktatori u duket disa vëzhguesve si e keqja më e vogël. Shumë të paktë janë ata që mund të llogarisin rrëzimin e shpejtë të Assadit, i cili ndryshe nga pushtetmbajtësit e tjerë të republikave arabe, megjithë protestat e ashpra dhe luftën civile vazhdon të qendrojë në krye të shtetit. Një strategji për një Siri pa Assadin mungon deri sot, sepse radikalët po avancojnë, opozita siriane është e përçarë dhe Perëndimi jo i të njëjtit mendim si duhet të reagojë.

Koalicioni ndërkombëtar bombardon pozicionet e terroristëve. Për të, Bashar Al-Assadi nuk është më armiku kryesor. Presidenti sirian madje ka pohuar se merr "informacione" për sulmet që pasojnë. "Jo bashkëpunim i drejtpërdrejtë", siç theksoi ai në një intervistë me BBC, por "informacione nga palë të treta, nga shtete të tjera". Kush i jep këto informacione nuk dihet. Por është e qartë një gjë: me "Shtetin Islamik", Presidenti sirian dhe koalicioni ndërkombëtar luftojnë kundër të njëjtit armik. Problemi në këtë bashkëpunim: Bashar Al-Assadi ka shumë armiq, të cilët ai i shtyp në mënyrë brutale. Por aleanca anti-IS nuk dëshiron të veprojë kundër kësaj, për aq kohë sa lufton me Assadin kundër terroristëve. Ndryshe nga diktatori sirian, IS konsiderohet si rrezik për të gjithë rajonin, gjë që ai e theksoi me shpalljen e një kalifati në qershor 2014. Në këtë kuadër, Perëndimi po afrohet pak me Assadin - një afrim që vërehet edhe me Egjiptin. Atje, kryetari i shtetit Al Sissi vepron në mënyrë brutale kundër kundërshtarëve të tij, të cilët janë bashkuar pjesërisht me IS, si në Sinai. Në aleancë me SHBA Al- Sisi lufton ndërkohë kundër terroristëve të IS.

Thirrjet për të rrëzuar Bashar Al-Assadin dëgjohen gjithnjë e më pak. SHBA vazhdojnë vërtet të stërvitin kryengritës dhe t'i armatosin ata me armë - por ndërkohë i pajisin ata para së gjithash për të luftuar IS dhe jo qeverinë siriane. Një rehabilitim në parketin ndërkombëtar, Assadi do ta presë ndoshta më kot. Por qëndrimi në pushtet duhet t'i mjaftojë hë për hë diktatorit sirian.