Asnjë fije shprese në horizont | Gjermania | DW | 08.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Asnjë fije shprese në horizont

Përmirësimi në tregun e punës në Gjermani thuajse i pandjeshëm

Frank Jürgen Weise, shef i Agjensisë Federale të Punës

Frank Jürgen Weise, shef i Agjensisë Federale të Punës

Në tregun e punës në Gjermani edhe gjatë muajit mars nuk ka patur përmirësim konjukturor. Përkundrazi, situata vetëm sa është çtensionuar pak si rrjedhojë e përmirësimit vjetor të pranverës.
Në mars në Gjermani u rregjistruan 4,55 milionë të papunë ose 93.000 më pak se në muajin shkurt. Por nëse nuk marrim parasysh ndikimet sezonale atëherë gjendja në tregun gjerman të punës mund të thuhet se është përkeqësuar. Shifra e pastruar nga ndikimet sezonale u rrit ndjeshëm në muajin mars me 44.000 vetë. Kështu thotë Hajnrih Alt, anëtar i kryesisë së Agjensisë Federale të Punës: "Papunësia është zhvilluar kështu përsëri negativisht. Shkaku kryesor mbetet si dhe më parë rritja tepër e dobët ekonomike e cila ende nuk është në gjendje t'i përcjellë impulse vendimtare tregut të punës."

Dobësia ekonomike mund të shihet edhe në vendet vakante të punës. Kohët e fundit Agjensisë Federale të Punës i janë ofruar shumë më pak vende të reja pune. Pra firmat në Gjermani vazhdojnë të shkurtojnë vende pune në vend që të krijojnë të reja. Për këtë arsye gjatë muajit të kaluar agjensia ka mundur të ndërmjetësojë më pak vende të reja se një vit më parë. Sukseset në modelet e reja të agjensive për ndërmjetësimin e vendeve të punës nuk mund të ndryshojnë këtë gjendje thotë Frank Jyrgen Vajz, shef i Agjensisë Federale të Punës: "Shihet qartë se në shumë raste ne nuk jemi në gjendje të ndihmojmë dhe kjo duhet të kuptohet" - thotë Vajze.
Dobësia ekonomike shprehet edhe në tregun e vendeve të praktikave. Agjensia Federale e Punës ka rregjistruar një rënie me 10% të vendeve për kualifikim profesional që ofrohen nga firmat. Në të njëjtën kohë është rritur me 3% numri i aplikantëve thotë Hajnrih Alt: "Numri i aplikantëve që deri në fund të shtatorit nuk do të kenë gjetur një vend për praktikë pritet të rritet. Kështu duket se po krijohet një boshllëk mes vendeve të lira të kualifikimit dhe aplikantëve që presin. Ky boshllëk do të jetë ndoshta më i madh se një vit më parë."

Ende nuk mund të thuhet megjithatë se si do të jetë gjendja në shtator. Rol kryesor luan këtu zhvillimi i ardhshëm ekonomik. Në polemikën për derdhjen nga firmat të një kontributi për vendet e praktikës shefi i Agjensisë Federale të Punës është shprehur me skepticizëm duke iu referuar edhe një studimi të institutit shkencor të kësaj agjensie. Në këtë studim të publikuar kohët e fundit ishin shprehur dyshime të konsiderueshme për suksesin e këtij kontributi në krijimin e më shumë vendeve për kualifikim profesional. Në polemikën mbi përkujdesjen e përfituesve të ardhshëm të ndihmës për të papunët sipas ligjit të ri Agjensia Federale preferon qartë modelin e bashkësive të punës. Lidhur me këtë Hajnrih Alt thotë: "Ne duam që kompetencat komunale dhe ato të agjensive lokale të gërshetohen në bashkësitë e punës të cilat do të drejtohen barabar nga ne dhe nga komunat. Bashkësitë e punës janë rruga që ne kemi zgjedhur dhe besojmë se aty ku agjensitë dhe komunat bashkojnë në këto komunitete pune instrumentat e tyre për integrim do të kemi më shumë sukses në integrimin e njerëzve të prekur nga papunësia."
Por pavarësisht se kush do të merret me përkujdesjen për të papunët prej një kohe të gjatë dhe kush do të ketë pozicionin drejtues, zbatimi i ligjit të ri duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm sipas Frank Jyrgen Vajze do të jetë tepër i vështirë për t'u arritu: "Kjo është diçka me të vërtetë shumë e vështirë. Nga ana manaxheriale do të thoja thuajse e pamundur. Çdo ditë që vonohemi në pranimin dhe vënien në zbatim të këtyre projekteve është një ditë e humbur. Nga ana tjetër politika mund të presë nga ne përgjigje të qarta. Dhe kur prej saj të jenë përcaktuar kushtet ne mund të themi: kjo është zgjidhja që ne japim."

  • Data 08.04.2004
  • Autor Ina Kraus
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar6v
  • Data 08.04.2004
  • Autor Ina Kraus
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar6v