1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën për Kosovën

10 Shtator 2010

Rezoluta e Serbisë u miratua pas harmonizimit të tekstit me përfaqësuesit e BE-së. Rezoluta e hap rrugën e një dialogu të ri mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe kësaj radhe kishte mospajtime të mëdha mes palëve.

https://p.dw.com/p/P8h2
Flamuri i Serbisë dhe KosovësFotografi: AP/Montage DW

Seanca e Asamblesë filloi me më shumë se dy orë e gjysëm vonesë, për shkak të kundërshtimit prej Serbisë të prezencës së delegacionit kosovar në këtë seancë. Serbia kërkonte që përfaqësuesit e Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm Skender Hyseni, të largohen nga pjesa e sallës për vëzhguesit dhe të kalojë në pjesën ku ulen mysafirët. Pala kosovare refuzoi këtë, ndërsa pas konsultimeve të shumta, kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme shpjegoi se përfaqësuesit e Kosovës janë mysafirë të delegacioneve të Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Francës.

Jeremiq: Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën

Außenminister Serbien Jeremic Kosovo Hyseni Bildkombo
Jeremiq dhe HyseniFotografi: AP Graphics/DW Fotomontage

Qëndrimin serb shpjegoi ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq, sipas të cilit rezoluta e harmonizuar me të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së është neutrale ndaj statusit të Kosovës.

"Republika e Serbisë nuk e njeh dhe nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës", përsëriti Jeremiq, duke shtuar se rezoluta e mirëpret angazhimin e BE-së për të ndihmuar bashkëpunimin rajonal dhe arritjen e një zgjidhje gjithëpërfshirëse, me të cilën respektohen parimet e Kombeve të Bashkuara.

Para votimit, për fjalë u paraqitën vetëm tri delegacione: Azerbajxhani, Venezuela dhe Argjentina, të cilat kundërshtuan pavarësinë e Kosovës. Ndërsa pas miratimit me aklamacion shumë delegacione shpjeguan qëndrimet e tyre.

Mbështetësit e pavarësisë

Ambasadorja amerikane theksoi se "Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë një përgjigje të qartë se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare." SHBA-ja është e mendimit se ka ardhur koha që të shihet përpara dhe të ndërtohen marrëdhënie të reja, që hapin perspektivën e përmirësimit të kushteve të jetës në Kosovë dhe anëtarësimit të rajonit në BE. Ambasadorja amerikane tha se vendi i saj do të mbështesë procesin e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike. Me fjalë të ngjashme u shpreh edhe ambasadori i Turqisë, i cili mbështeti pavarësinë e Kosovës, integrimin e saj në nismat rajonale dhe dialogun për çështjet konkrete.

Përfaqësuesi i Shqipërisë përshëndeti vendimin e Serbisë që të tërheqë "propozimin e mëparshëm destruktiv", me të cilin kundërshtohej pavarësia e Kosovës. Tirana zyrtare theksoi se Kosova është një rast unik, që nuk mund të përdoret prej vendeve tjera. "Pavarësia e Kosovës është realitet i njohur nga shumë shtete. Ndërsa opinioni i GJND-së duhet të ndihmojë njohjen e Kosovës edhe prej shumë shteteve tjera", theksoi ai.

Kundërshtarët kërkojnë respektimin e reuzolutës 1244

Flash-Galerie Konsulat der Republik Kosovo Frankfurt am Main
Fotografi: DW

Për Brazilin rezoluta është vetëm një "ombrellë për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, për gjetjen e një zgjidhje në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB-së". Përfaqësuesi i Rusisë theksoi se qëndrimi i Moskës ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar.

"Rusia është e mendimit se rezoluta 1244 duhet të mbetet në fuqi dhe paraqet bazë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kjo zgjidhje mund të konfirmohet vetëm prej KS të OKB-së", theksoi ai. Përcaktimin për dialog e mbështeti edhe Kina, si rrugën më të mirë për zgidhjen e problemeve.

"Respektimi i integritetit territorial është çështje themelore e të drejtës ndërkombëtare. Sovraniteti dhe integriteti territorial duhet të respektohen nga të gjitha palët", theksoi përfaqësuesi i Kinës.

Rezoluta u miratua njëzëri pasi Serbia hoqi dorë nga propozimi i saj fillestar për negociata të reja për statusin e Kosovës dhe hoqi dorë nga "dënimi i secesionit të njëanshëm". Me rezolutën e miratuar tani kërkohet dialog për përmirësimin e kushteve të jetesës në Kosovë dhe përshëndetet angazhimi i BE-së për të ndihmuar bashkëpunimin rajonal.

Rezoluta shkaktoi reagime të shumta në Serbi

Tërheqja e propozimit fillestar të Serbisë dhe harmonizimi i rezolutës me BE-në ka shkaktuar reagime të shumta në Serbi. Partia Demokratike në pushtet e presidentit Boris Tadiq e quajti rezolutën "fitore të madhe të Serbisë". Ajo kritikon opozitën se po i kthehet retorikës së viteve 90-të, kur pohonte se Kosova duhet mbrojtur me luftë, pa marrë parasysh çmimin që duhet paguar. Partia Serbe Përparimtare e Tomisllav Nikoliqit, forca më e madhe opozitare, është e mendimit se qeveria serbe ka pësuar një "disfatë të thellë". Ajo kërkon përgjegjësinë e atyre që "kanë shpenzuar miliona për një politikë të dështuar dhe të gabuar ndaj Kosovës". Ndërsa Partia Demokratike Serbe i ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica deklaroi se "me pranimin e ultimatumit të Brukselit" qeveria serbe ka dëshmuar rolin e saj të shërbëtores. Nërsa radikalët janë të mendimit se me këtë rezolutë Serbia ka pranuar "në mënyrë të turpshme dhe kapituluese" kërkesat e BE-së dhe faktikisht e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas radikalëve, për Serbinë është "tragjike që çështja e Kosovës tani zhvendoset nga OKB-ja tek BE-ja".

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani