1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Armë bullgare për xhihadistët

3 Tetor 2017

Bullgaria mendohet se ka dërguar furnizime me armë me vlerë disa qindra milionë dollarë në zonat e luftës në Siri.

https://p.dw.com/p/2l7zs
Syrien Islamistische Kämpfer der Al-Nusra Front
Fotografi: Getty Images/AFP/O.H. Kadour

Nga ky vend nuk pret të mira, thotë me bindje Dilyana Gajtandshieva. Ajo e ka fjalën për Sopotin, ku gjendet fabrika shtetërore bullgare e armëve VMZ. Në këtë vend nuk afrohesh dot dhe xhirimet janë rreptësisht të ndaluara. Gajtandshieva mendon se shkaku për këtë është "e vërteta e hidhur se Bullgaria furnizon me armë xhihadistë në vende të ndryshme të botës."

Në dhjetor 2016 Gajtandshieva ishte në Aleppo si reportere lufte. Me një kameraman sirian ajo xhiroi rrethimin e qytetit nga trupat besnike të qeverisë dhe nga militantët e Hizbollahut. Aleppoja kontrollohej asokohe nga Fronti El-Nusra, i afërt me Al-Kaidën. Pas marrjes së lagjes vendasit i treguan asaj një bodrum. Atje ajo zbuloi ndër të tjera predha 122 mm, prodhuar në Sopot, Bullgari.

Bulgarien Fabrik für Rüstungsgüter in Sopot
Fabrika shtetërore bullgare e armëve VMZ në SopotFotografi: BGNES

Armë bullgare për terroristët në Siri

"Qe shok për mua kur pashë emblemat bullgare tek ato armë vrasëse. Të gjitha ato armë ishin të depozituara në një depo të Al Nusrës." - thotë gazetarja. Ajo e publikoi këtë lajm dhe fotografi, por lajmi nuk tërhoqi vëmendje të madhe.

Në vitin 2017 ajo i rinisi kërkimet e saj pasi i ranë në dorë dokumente të Ambasadës së Azerbajxhanit në Sofje. "Këto dokumente tregojnë se agjencia shtetërore ajrore azerbajxhanase Silk Way Airlines ka vënë në dispozicion fluturime diplomatike për transportimin e armëve! Këto armë u shfaqën më vonë në Siri."  - thotë Gajtandshieva. Sipas saj aeroplanët azerbajxhanas ishin ngarkuar me armë lufte në Bullgari dhe i transportuan ato nga atje në Arabinë Saudite dhe në Turqi. E gjitha kjo duke anashkaluar doganën bullgare dhe me lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ajo flet për 350 raste eksporte armësh. Më pas armët janë transportuar për tek terroristët në Siri.

Gajtandshieva nën hetim

"Pak pas botimit të artikullit në këtë gazetë, më mori në pyetje Shërbimi i Sigurisë Kombëtare. Dhe vetëm pak orë pas marrjes në pyetje, gazeta Trud ma ndërpreu kontratën e punës." - tregon Gajtandshieva. Që prej asaj kohe ajo është e papunë dhe besueshmëria e saj është publikisht në pikëpyetje.

Fokus Europa Bulgarien Waffen
Gazetarja Dilyana Gajtandshieva në depon e Al Nusrës ku kishte armë bullgare të depozituara Fotografi: Dilyana Gajtandschiewa

Tihomir Bezlov nga Qendra për Studime Demokratike në Sofje dyshon se Gajtandshievën e kanë çuar me qëllim tek depoja e armëve, ndoshta për demaskuar anëtaren e NATO-s, Bullgarinë: "Ka qenë një përpjekje ruse për të çuar me qëllim një gazetare bullgare me ekipin e saj televiziv aty dhe për t'i treguar armët. Ajo që na treguan nga Aleppo duhet diskutuar."

Interes i madh për armë

Politikani opozitar dhe eksperti për Lindjen e Mesme, Slavko Velkov, mendon ndryshe. Sipas tij raportimet e Gajtandshievës janë të besueshme. "Nëse marrim parasysh se Al Nusra ishte forca më e rëndësishme xhihadiste në Aleppon Lindore, nuk duhet të na befasojë fakti që armë bullgare dhe të tjera u gjetën në duart e tyre. Interesi për armë është shumë i madh. Dhe vatrat e nxehta të Lindjes së Mesme nuk janë aq larg nga Bullgaria." - thotë Slavko Velkov.

Bulgarien Fabrik für Rüstungsgüter in Sopot
Sopoti, ku gjendet fabrika shtetërore bullgare e armëve VMZ.Fotografi: BGNES

Ai shton se "sipas hulumtimeve tona Bullgaria ka eksportuar në vitin 2016 armë me vlerë një miliardë euro. Një rritje prej 60 përqind krahasuar me vitin paraprak. Një pjesë e madhe e këtyre armëve duhet të jenë përdorur në Lindjen e Mesme."

Qeveria bullgare nuk pranon të prononcohet

Qeveria bullgare nuk pranon të prononcohet për pyetjet e drejtuara nga ne në lidhje me këto njoftime. Kurse Dilyana Gajtandshieva nuk e kupton se përse nuk heton askush në bazë të lajmeve të saj dhe se ajo vetë është në qendër të kritikave. "Dëshiroj t'u them të gjithë bullgarëve që thonë se ndjek programin e dikujt që të shkojnë vetë në Siri dhe t'i shohin armët bullgare në duart e xhihadistëve ashtu si unë në Aleppo." - thotë gazetarja, që po lufton kundër lobit të fuqishëm të armëve bullgare.