1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arkivi i viktimave të nazizmit vihet në dispozicion të studjuesve

Peter Filip25 Korrik 2006

Qendra ndërkombëtare e Kryqit të Kuq për kërkimin e viktimave të nacionalsocializmit ndodhet në Arolsen në landin e Hesenit. Deri më sot në këtë arkiv kanë pasur akses vetëm viktimat dhe të afërmit e tyre, por arkivi do të jetë i hapur edhe për studjuesit.

https://p.dw.com/p/Aqzz
Fotografi: AP

Raftet me sirtarët e skedave arrijnë deri në tavan dhe zënë tri dhoma. Nëpër skeda janë regjistruar emrat e mbi 17 milionë viktimave të nacionalsocializmit, si dhe të dhëna se ku mund të gjendet dokumentacioni përkatës për personin e kërkuar. Këto dokumenta të vendosura njëri pas tjetrit do të arrinin distancën gati 26 km. Pa dyshim që ky është arkivi më i pasur i këtij lloji.

"Shërbimi ndërkombëtar i kërkimit" i Kryqit të Kuq në Bad Arolsen megjithatë nuk përbën një "qendër dokumentacioni për Holokaustin" thekson Udo Jost, koordinator për rendin në arkiv: "Një pjesë të të dhënave për viktimat e Holokaustit mund të gjenden edhe në dokumentacionin tonë, po "shërbimi ndërkombëtar i kërkimeve" nuk është krijuar për të mbledhur, ruajtur dhe vlerësuar dokumentat e viktimave të nacionalsocializmit. Kuptohet që ky arkiv nuk shërben vetëm për viktimat e Holokaustit, por edhe për të burgosurit për arësye politike, racore apo fetare në burgje të ndryshme apo edhe në kampe përqëndrimi apo të tjera forma dënimi."

Qysh prej vitesh studjuesit janë përpjekur, që të kenë akses në këtë arkiv. Një ndër to është edhe drejtuesja e muzeut në ish-kampin e përqëndrimit në Buhenvald. Ajo ka dashur të studiojë në këtë arkiv mjaft të pasur përshemvull "listat e hakmarrjes", që konfirmohen nga "lista e Shindlerit". Por dokumentacioni deri më sot nuk ka qenë i hapur për studime.

Materiali arkivor u vihet në dispozicion vetëm të mbijetuarve dhe të afërmeve të viktimave të kampeve të përqëndrimit.

61 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të kampit mundi t´i jepet fund kësaj politike restriktive të "shërbimit të kërkimeve". Qeveria gjermane ka miratuar hapjen e dokumentacionit në Arolsen edhe për studjuesit. Edhe komisioni ndërkombëtar i përbërë nga përfaqësues të 11 shteteve ka dhënë dritën e gjelbër. Ndërsa ky shërbim arkivor drejtohet nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar me slei në Gjenevë. Ky komision parimisht ka rënë dakord qysh në vitin 1998 për hapjen e arkivit. Por zbatimi ka dështuar herë pas here, vë në dukje Udo Jost:

"Kjo ka të bëjë me faktin, se duhet të ketë rregulla unike për aksesin në arkiv. Kjo do të thotë, që përdorusit e mundshëm duhet që ta përdorin materialin duke mos shkelur interesat e personave të regjistruar dhe të familjeve të tyre. Lidhur me këtë deri tani ka pasur pikëpamje të ndryshme, sepse në njëmbëdhjetë vende ekzistojnë rregulla të ndryshme. Unë mendoj, se tani me siguri që do të gjejmë një konsensus, në mënyrë që të vihet sa më shpejt në dispozicion përdorimi i dokumentacionit të arkivit."

Synohet që veçanërisht të mbrohen të dhënat mjeksore, politike dhe shpesh herë edhe të dhëna të shpikura, të regjistruara prej nazistëve nëpër dokumenta për të justifikuar arrestimin e të prekurve.

Këto të dhëna nuk duhet të publikohen, për më tepër në rast se personat e prekur jetojnë ende.

Në fillim ka qenë në plan të parë përkujdesja humanitare për viktimat dhe jo zbardhja shkencore e së kaluarës, e aq më pak puna me shtypin. Këto kanë qenë arësyet përse arkivi i Arlosenit për vite me radhë ka punuar jashtë vëmendjes së publikut dhe qendra e Kryqit të Kuq në Gjenevë i ka trajtuar në mënyrë restriktive kontaktet.

Në Arolsen megjithatë të sigurojnë edhe tani, se qëllimi primar i arkivit është shërbimi i kërkimeve. Ndonëse kanë kaluar gjashtë dekada, që pas luftës punonjësit kanë mjaft punë në këtë shërbim. Gjatë vitit të kaluar, rreth 350 punonjës të shërbimit kanë marrë mbi 150.000 kërkesa individuale nga 62 vende, kanë kthyer 226 përgjigje dhe janë ende në procedurë edhe mbi 400.000 kërkesa të tjera. Deri më sot janë shqyrtuar mbi 10 milionë kërkesa.

Shërbimi i kërkimit dikur u konceptua si një institucion i përkohshëm, por ndërkaq po vërtetohet e kundërta. Arkivi ka nisur procesin e digjitalizimit të dokumentacionit dhe synon hapjen për punën kërkimore shkencore. Madje personeli në Arolsen është i befasuar, që është në rritje interesi për dokumentacionin e mbledhur gjatë viteve të fundit. Sot pothuajse nuk ka më të mbijetuar, që të kenë nevojë për vërtetime që u paraqiten autoriteteve. Por tani janë nipërit e mbesat e viktimave që duan të mësojnë për gjyshërit e tyre. Në të ardhmen do të jenë të interesuar për këtë dokumentacion edhe shkencëtarët, të cilët përmes shërbimit të këtij arkivi duan të kompletojnë punimet e tyre.