Ariel Sharon dhe Mahmud Abaz takohen në Jeruzalem | Politika | DW | 21.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Ariel Sharon dhe Mahmud Abaz takohen në Jeruzalem

Presidenti palestinez Mahmud Abaz u takua në Jeruzalem me kryeministrin izraelit Ariel Sharon, për të biseduar mbi tërheqjen e trupave ushtarake nga Rripi i Gazës. Pala izraelite donte të fliste mbi aspektin e sigurisë ndërkohë që palestinezët donin të dinin se kur do të fillojë tërheqja e trupave ushtarake dhe se si do të vazhdojë procesi i paqes.

Kryeministri izraelit Ariel Sharon nuk i kushtoi shumë vëmendje takimit me Mahmud Abazin. Nuk pati asnjë fotografi të dy politikanëve së bashku dhe nuk u bë asnjë deklaratë për shtyp përpara apo pas takimit.

Kjo dëshmon se klima mes Izraelit dhe Palestinës nuk është aspak e shëndetshme.

Sharoni e takoi Abazin në rezidencën e tij në Jeruzalem. Gjatë ditëve të fundit ka pasur sërish incidente mes dy palëve dhe Sharon e akuzoi Abazin se nuk ka ndërrmarrë asnjë hap kundër militantëve.

Chaim Ramon, ministër në kabinetin izraelit, u ankua përpara takimit mbi qeverinë palestineze:

"Fatkeqësisht ekziston anarki në qeverinë palestineze. Ky është problemi më i madh. Besoj se tema kryesore e bisedimeve do të jetë siguria dhe lufta kundër terorit. Ngjarjet e fundit na e vështirësojnë planin për t´i tërhequr të gjitha trupat ushtarake nga Rripi i Gazës."

Qeveria izraelite ka reaguar shumë e tronditur mbi planet për një sulm terrorist të një vajze palestineze, e cila u kap të hënën me disa bomba tek kalonte Rripin e Gazës për në Izrael. Kjo vajzë donte të hidhte veten në erë në një spital izraelit. Vetëm pak orë më parë, militantë palestinezë kishin vrarë një qytetar dhe një ushtar izraelit. Ushtira izraelite reagoi menjëhere me një aksion rrufe dhe arrestoi rreth 50 palestinezë brenda një nate.

Por qeveria palestineze i hedh poshtë akuzat e Izraelit. Jibril Rajub, këshilltar për sigurinë pranë qeverisë palestineze, u shpreh gjatë një interviste në radio se qeveria e Abazit ka arritur shumë rezultate të kënaqshme.

"Që kur ka filluar armëpushimi, janë vrarë të paktën 43 palestinezë. Qindra u plagosën dhe rreth njëmijë të tjerë janë arrestuar. Nuk besoj se qeveria izraelite po ndjek një linjë të qartë politike. Duhet të hiqni dorë nga këto mure dhe kufij në mes të rrugës, duhet të hiqni dorë nga shkatërrimi dhe vdekja. Ndryshe nuk do të ketë siguri në vend."

Abaz kërkoi nga Sharon që të lirojë të burgosurit palestinezë dhe që të hiqen gardhet e shumta të ushtrisë izraelite, të cilat bllokojnë rrugët. Abaz kërkon t´u dëshmojë njerëzve që janë të gatshëm të ushtrojnë dhunë, se mënyra paqësore e komunikmit është me e frytshme se dhuna apo terrori.

  • Data 21.06.2005
  • Autor Carsten Kühntopp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqtz
  • Data 21.06.2005
  • Autor Carsten Kühntopp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqtz