1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE - çështje që duhet diskutuar gjerë e gjatë

Ani Ruci, Tiranë31 Maj 2008

Përfaqësuesi i fondacionit "Friedrich Ebert" në Shqipëri ka rezerva në lidhje me idenë e disa nismave politike rinore, që aplikimi për statusin e kandidatit të BE-së duhet bërë këtë vit.

https://p.dw.com/p/EAOc
Qendra e fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung në Hiroshimastraße 17 në Berlin
Qendra e fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung në Hiroshimastraße 17 në BerlinFotografi: picture-alliance/ ZB

DW:

Prej dy muajsh ju keni ardhur nga Berlini për të drejtuar degën e fondacionit "Friedrich Ebert" në Shqipëri. Ç' kontribut jep ky fondacion, i afërt me Partinë Social-Demokrate Gjermane për çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë?

Alfred Diebold:

Fondacioni "Friedrich Ebert" synon të mbështesë dhe ndihmojë sa më shumë që të jetë e mundur autoritetet e Shqipërisë, NGO, shoqërinë civile të kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë t'i bashkohesh BE. Në bëjmë përpjekje të sjellim personalitete, ekspertë nga Brukseli, Gjermania apo vende të tjera të BE në Shqiperi për të shpjeguar se cilat janë hapat që duhen hedhur per t'ju bashkuar BE-së.

DW:

Nga çfarë niseni si fondacion për të zgjedhur këtë formë asistence për çështjet evropiane?

Alfred Diebold:

Ne besojmë se shkëmbimi i pervojës, i ideve i njohurive është veçanërisht i rëndësishm për administratorët dhe njerëzit ne Shqipëri. Mesazhi që përpiqemi të përçojmë është se ekziston mundësia që Shqipëria të anëtarësohet në BE. Fondacioni ynë kontribon kështu që Shqiperia te realizojë anëtarësimin e saj në një afat le të themi afatmesëm.

DW:

Në rrethet e politikës, të opozitës dhe të shoqërisë civile në Tiranë ka një lëvizje, ideja e së cilës është që brenda këtij viti t'i kërkohet Brukselit që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë përqasje?

Alfred Diebold:

Personalisht mendoj se ka disa mënyra për t'u bërë anëtar i BE-së. Por kam rezerva nëse është e dobishme që të aplikohet menjëherë tani për anëtarësim. Ka opinione të ndryshme në këtë kontekst. Mund të jetë shumë herët që kjo kërkesë të bëhet tani, mund të krijojë shpresa që mund edhe të mos përligjen, gjë që ka gjasa të sjellë pështjellim tek popullata.Vetë qeveria e Tiranës duhet të jetë shumë e qartë për angazhimin e saj për të zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Mendoj se kjo ide do të duhej të shtrohej për diskutim për të kuptuar plotësisht se çfarë do të thotë të aplikosh për anëtarësim në BE pikërisht tani.