1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Apel për mbrojtje më të mirë të të drejtave të njeriut

Joachim Schubert - Ankenbauer16 Mars 2004

Në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar duhet patur kujdes të mos shkilen të drejtat e njeriut. Ishte kjo kërkesa kryesore e ministrit të jashtëm gjerman, Joshka Fisher në hapje të konferencës për të drejtat e njeiut e cila në Gjenevë do të zhvillohet deri me 23 prill.

https://p.dw.com/p/Aqva
Joshka Fisher, ministër i jashtëm gjerman
Joshka Fisher, ministër i jashtëm gjermanFotografi: AP

Komisioni për të drejtat e njeriut edhe më tej është nën ndikimin e sulmeve terroriste në Madrid. Vëzhguesit pohojnë se sulmet terroriste dhe ruajtja e të drejtave të njeriut duhet të jenë temat kryesore e konferencës.
Në këto cështje përqendroi fjalimin e tij në hapje të konferencës edhe ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher. Ai tha se terrorizmi cënon shoqëritë e lira, prandaj duhet të luftohet me vendosmëri. Mirëpo njëkohësisht duhet të gërshetohen siguria dhe liria.
"Kërkesat për respektimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit juridik, në shtigje të gjata paraqesin një bazë të shëndoshë për paqe dhe stabilitet. Ne mund të kemi sukses vetëm në qoftë se terrorizmin ndërkombëtar luftojmë me mjete të cilat respektojnë dhe nuk shkelin të drejtat e njeriut. Në qoftë se mbrojmë këto të drejta, ne do të respektojmë edhe standardet e duhura. Në të kundërtën gjithnjë do të ketë dyshime", theksoi Fisher.
Gjatë konferencës disa shtete të udhëhequra nga Meksiko do të përgatisin edhe një rezolutë me të cilën në luftën kundër terrorizmit kërkohet respektimi i të drejtave të njeriut. Fisher ka përshëndetur këtë hap.
Debati për ruajtjen e të drejtave të njeriut në këtë luftë, është një cështje e cila për vjet të tëra preokupon vëmendjen e Komisioinit. Shoqatat e të drejtave të njeriut, si Amnesty International ankohen për kufizimin e të drejtave të njeriut, sic është shembulli në SHBA, ndërsa në anën tjetër kritikojnë vendet, si për shembull, Rusinë për shkeljen e të drejtave të njeriut me shpjegimin se po luftohet kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Fisher thotë se Gjermania dënon të gjitha aktet terroriste, si pasojë e së cilave kanë vuajtur njerëzit në Rusi. Për këtë nuk ka asnjë shpjegim, thotë Fisher duke shtuar: "Megjithatë, qeveria ruse duhet të marrë përgjegjësinë për ruajtjen dhe përparimin e të drejtave të njeriut edhe në pjesën e Kaukazit verior. Shkeljet e të drejtave të njeriut duhet të shpjegohen dhe përgjegjësit të nxirren para drejtësisë. Me rëndësi është poashtu që qeveria ruse të lejojë praninë atje të memdiave dhe organizatave ndërkombëtare. Transparenca do të krijonte një besueshmëri më të madhe edhe tek qeveria".
Komisioni do të përgatisë këtë vit një rezolutë me përbërje të këtillë. Shtrohet pyetja nëse ajo do të pranohet, sepse vitin e kaluar është refuzuar një propozim i tillë.
Sipas të gjitha gjasave, kundër Kinës nuk do të nxirret ndonjë rezolutë, ndonëse ministri Fisher edhe më tej sheh shumë mangësi atje - në vecanti kur është fjala për dënimet me vdekje dhe raporti ndaj pakicave.
Në njërën anë BE nuk është i një mendimi për zhvillimet në Kinë, ndërsa në anën tjetër në Komision ka gjithnjë e më shumë vende të cilat mbrohen vet ndaj akuzave për shkeljen e të drejtave të njeriut. Ato duan të evitojnë rezoluta të ngjashme edhe kundër tyre.
"Është me rëndësi që në Komisionin për të drejtat e njeriut të mbizotrojë uniteti dhe univerzaliteti i mbrotjes së të drejtave. Mirëpo njëkohësisht duhet të jetë ai edhe një forum politik ku të flitet shumë qartë për shkeljet e të drejtave të njeriut në vendet e caktuara dhe dënimin e këtyre akteve", thotë Fisher.
Ministri i jashtëm gjerman në fund apeloi për respektimin dhe përparimin e të drejtave të njeriut gjithandej në botë.

Joachim Schubert - Ankenbauer