1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ankara: Ambasada Gjermane jep alarmin

aud/sti/uh (afp, dpa)16 Mars 2016

Kaq masivisht nuk i ka paralajmëruar ndonjë përfaqësi diplomatike gjermane qytetarët gjermanë për atentate të reja. Turqia ndërkohë akuzoi zyrtarisht për aktin e përgjakshëm të së dielës, Partinë Punëtore Kurde PKK.

https://p.dw.com/p/1IDk6
Türkei Trauer nach dem Anschlag in Ankara
Fotografi: Reuters/U. Bektas

Ambasada gjermane në Ankara i paralajmëroi qytetarët gjermanë për atentate të tjera në kryeqytetin e Turqisë. Këto atentate mund të ndodhin në një kohë shumë të afërt. "Ju lutem, kthehuni menjëherë në shtëpi dhe prisni atje udhëzimet e tjera", thuhej në një lajmërim për qytetarët gjermanë në Ankara. Ka paralajmërime konkrete për atentate, midis të tjerave në qendrat tregtare. "Na duhet të besojmë se ka edhe kërcënime të tjera para nesh". Shkolla gjermane dhe kopshti u mbyllën para kohe.

PKK akuzohet

Qeveria turke bëri ndërkohë zyrtarisht përgjegjëse për atentatin terrorist të Ankarasë, me të paktën 37 të vrarë, partinë e ndaluar punëtore kurde. Ministria e Brendshme bëri të ditur se "organizata separatiste terroriste" e ndërmorri "atentatin e neveritshëm" të së dielës. Atentatorja vetëvrasëse u identifikua. Ajo kishte lindur në vitin 1992 në Kars të Turqisë lindore dhe bënte pjesë në PKK që prej vitit 2013. Gruaja pati marrë "përgatitje terroriste" në Siri, në degën e atjeshme të PKK.

Edhe për një atentat në Ankara para më pak se një muaji, qeveria akuzoi PKK dhe YPG. Përgjegjësinë për atë atentat e pati marrë fraksioni i shkëputur nga PKK, Skifterët e Lirisë së Kurdistanit (TAK). Turqia u ka kërkuar më kot deri tani shteteve perëndimore që ta vënë në listën e organizatave terroriste YPG-në. Në luftë kundër Shtetit Islamik, Perëndimi e sheh si aleate YPG. Ndërsa PKK është e ndaluar jo vetëm në Turqi, por edhe në BE dhe në SHBA.

45 luftëtarë të PKK vriten në Irakun e Veriut

Aviacioni luftarak turk bombardoi sërish pozicione të PKK në Irakun e Veriut. Në këtë kuadër, në rajonnin Kandil u vranë 45 luftëtarë të PKK, bëri të ditur ushtria. PKK ka në Kandil selinë e saj qendrore. Edhe në juglindje të Turqisë dhuna vazhdon. Agjencia e lajmeve DHA bëri të ditur se në Xhiarbakir u vra në luftime një luftëtar i PKK dhe një ushtar.