1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ankande me detyrim në Greqi

Andrea Kasiske17 Shkurt 2016

Gati pa u vënë re, në fund të vitit të kaluar në Greqi u ndryshua një ligj në dobi të bankave. Rreth 300.000 borxhlinj grekë që nuk janë në gjendje të paguajnë mund të humbasin shtëpinë ku banojnë.

https://p.dw.com/p/1HwBm
Griechenland Geldautomat außer Betrieb
Fotografi: Getty Images/AFP/S. Mitrolidis

Që prej fundit të vitit të kaluar, u ndryshua i ashtuquajturi "ligji Katseli". Ky ligj u jepte personave me borxhe dhe që nuk ishin në gjendje të paguanin, një lloj mbrojtjeje nga bankat. Kurse tani, që pas 30 ditësh konsiderohesh "borxhli i keq". Dhe bankat kanë mundësi t'i nxjerrin më shpejt dhe më lehtë në rrugë njerëzit. Vlerësohet se 300.000 familje mund t'i humbasin shtëpitë e tyre.

"Ky është vetëm fillimi", druhet Alexandra Pavlou. Ajo bën pjesë në një grup aktivistësh që përpiqen që prej një viti që t'i pengojnë ankandet brenda dhe jashtë Athinës. Nëse ata arrijnë ta bllokojnë tri herë hyrjen për në seancën e ankandit, banka duhet të organizojë një ankand nga e para.

Qendra e pavarur këshillimore Ekpizo ka disa muaj që bën këshillime borxhlinjsh që mund të humbasin shtëpinë. Avokatët që punojnë në mënyrë honorifike kanë shumë punë. Giannis Marko është në fillim të të 40-ave, para dhjetë vjetësh tekniku i IT mori një kredi prej 200.000 eurosh me një kohëzgjatje prej 40 vjetësh. Atëherë profesionisti i lirë fitonte shumë para. Tani ai fiton 25 përqind më pak, ai ka një familje dhe gruaja nuk ka më të ardhura. Banka i ka kërkuar që ta përshkruajë situatën e tij financiare. Ai kërkon të mësojë nga ekspertët e Ekpizos çfarë mund të bëjë. "Unë ende nuk kam frikë me të vërtetë, ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme. Gjithë jetën mësova të kujdesem për të ardhurat e mia. Përpiqem të punoj edhe më shumë, por kam arritur absolutisht në kufi të mundësive të mia."

Bankat i lënë njerëzit pa gjumë

"Jam i gëzuar që tani punoj në një seksion tjetër të bankës", tregon Giannis Milias. Për vite të tëra, i riu merrte çdo tri ditë te borxhlinjtë për t'i kujtuar atyre ato që duhet të paguanin, edhe kur me ta po zhvilloheshin negociata. Numri i telefonit të bankës ndërrohej rregullisht, edhe borxhlinjtë i ndryshonin adresat. Një lojë macja me miun, e cila i erdhi në majë të hundës. "Përpiqesha të rrija i qetë kur më bërtisnin, por e di edhe që njerëzit ishin vërtet të dëshpëruar, ishin para pak vetëvrasjes."

Katër në dhjetë borxhlinj nuk janë në gjendje të paguajnë. Thedore Krintas nga Attica Bank e njeh problemin, por thotë se shumë njerëz nuk e dinë se edhe mund të negociojnë me bankën e tyre. Të zgjasin kohën e kredisë, të paguajnë më pak para, edhe falje e një pjese të borxheve është e mundur, thotë ai. Bankat sipas tij nuk kanë interes të madh në ankandet e detyruara, meqenëse tregu i pasurive të patundshme është në vështirësi të mëdha. "Po natyrisht e di që interesi ndërkombëtar për pasuritë e patundshme këtu është i madh".

Panagiotis Goutos është komisioner pasurish të patundshme në brezin e dytë. Ai na tregon një shtëpi në afërsi të Akropolit, vlera e së cilës ka rënë që vitin e kaluar me 50 përqind. Të interesuarit e huaj deri tani tregojnë interes kryesisht për objektet turistike, por kjo mund të ndryshojë shpejt. Kjo vërtet që do t'i rriste shumë çmimet. Por ankandet e detyruara dhe mbytja e tregut me prona për shitje "nuk është e mirë, nuk është e mirë për askënd", thotë Goutos dhe ka parasysh me këtë në radhë të parë bashkëkombasit e tij.