1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Anglezët hoqën dorë nga pretendimet

Bernd Riegert17 Dhjetor 2005

Bashkimi evropian gjen rrugën e daljes nga kriza

https://p.dw.com/p/Aqh5
Flamuri anglez dhe ai i BE-së
Flamuri anglez dhe ai i BE-sëFotografi: AP

Sherri disamujor për financimet në Bashkimin Evropian duket, se është shuar. Falë kompromiseve të të gjitha palëve, të 25 shefat e shteteve dhe qeverive arritën në Bruksel të binin dakord për buxhetin e vitit 2007- 2013. Britania e madhe hoqi dorë nga një pjesë e rabatit, por si shpërblim do të kontrollohen subvencionet agrare. Por nëse rezultati i bisedimeve i përgjigjet vërtet nevojave në rritje të Bashkimit Europian, është ende për t'u dyshuar.

Vetëm me mundim të madh ja doli mbanë presidenca britanike, vetë një pjesë e problemit në BE, të mos e thellonte edhe më humnerën.
Mjaft aktive u tregua në këtë rast edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Ajo mori rolin e ndërmjetësueses mes dy gjelave që grindeshin, Toni Bler dhe Zhak Shirak. Me lëvizjen e saj të zgjuar të shahut, ajo ja doli mbanë që në projektbuxhetin e BE-së të rritet ndihma për vendet e varfëra të Bashkimit Evropian, por për këtë asaj iu desh të pranojë rritjen e kontributeve të Gjermanisë dhe paguesve të tjerë neto në BE. Më në fund ajo e zgjidhi nyjen gordiane. Merkel, evropianja model, e cila njëkohësisht bëri të qartë se interesat gjermane për të janë parësore. Megjithatë është për t'u dyshuar nëse rezultati i negociatave, i arritur përmes shumë arnimeve brenda kuadrit buxhetor, do t'i përmbushë nevojat e Bashkimt Europian në rritje. Zotërinjtë e mëdhenj të BE-së e humbën shansin, që të bëjnë një reformë të vërtetë të pretendimeve, zakoneve dhe dëshirave të ndërthurura keqazi gjatë dhjetëvjeçarëve.

Reformat e nevojshme në anën e shpenzimeve janë kushtëzuar nga klauzola e butë e revizionit. Franca dhe Gjermania mund të shpëtojnë në këtë mënyrë subvencionet e tyre dhe ndihmat për bujqësinë deri në vitin 2013. Edhe fondet për arsimin, zhvillimin dhe shkencën madje u shkurtuan, megjithëse kryetarët e qeverive dhe vendeve të BE-së në samitin e Lisbonës ranë dakord që investimet në këto fusha të rriten. Pikërisht këtë kishte proklamuar me zë të lartë Presidenti i Këshillit të BE-së Toni Bler, por dështoi keqaz.

Rabati britanik në anën e të ardhurave të buxhetit u çimentua edhe për shumë vite me rradhë megjithëse tani nuk do të rritet më sa më parë. Heqja dorë e bere publike nga Toni Bler është mirë ose keq edhe hapi i parë drejt daljes nga sistemi i çuditshëm i rabateve. Shumë probleme kryetarët e shteteve dhe qeverive i kanë lënë për t'i zgjidhur në të ardhmen. Kostot për raunde të vendosura apo të planifikuara zgjerimi në Ballkan dhe Turqi nuk pasqyrohen në projekt-buxhetin afatmesëm. Të rrënqethet mishi vetëm të mendosh për zënkat që do të shpërthejnë në BE në vitin 2012 kur duhet të merren përsipër kostot e larta për anëtarësimin e mundshëm të Turqisë afati i të cilit do të jetë afruar deri atëherë. Vetëm me mundim të madh arriti BE të ruante fasadën e solidaritetit. Megjithatë duhet thënë se kryetarët e shteteve dhe qeverive demonstruan se në fund të një viti me zhgënjime të thella europiane në çështjen e kushtetutës janë të aftë për vendime. Kjo është të paktën më shumë se asgjë.