1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angela Merkel udhëton sot drejt Izrealit

29 Janar 2006

Kjo është vizita e saj e parë në Lindjen e Mesme si kancelare e Gjermanisë. Bisedimet e saj në Jeruzalem dhe Ramallah do të zhvillohen në një kohë të transformimeve të mëdha në rajon

https://p.dw.com/p/AqgE
Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: AP

Pas fitores së Hamasit në zgjedhjet parlamentare palestineze, Angela Merkel, kancelarja e Gjermanisë është shefja e parë e një vendi të Bashkimit Evropian që udhëton në Lindjen e Mesme. Ajo do të takohet me përfaqësuesit më të lartë të qeverisë izraelite si edhe me autoritetet më të larta palestineze.


Para udhëtimit të Merkelit në Izrael në opinionin gjerman janë shprehur deklarata të qarta, për pozicionimin e kancelares gjermane Merkel kundrejt organizatës Hamas. Ambasadori i Izraelit në Gjermani, Shimon Stein në një deklaratë për gazetën gjermane "Bild am Sonntag" i ka kërkuar Angela Merkelit që ajo në takimin e saj me presidentin palestinez Mahmud Abaz t'i kujtojë atij deklaratën për çarmatimin e Hamasit. Sipas Steinit, për Izraelin është shumë e rëndësishme që kancelarja gjermane të shprehet qartë në dy çështje: së pari në kërcënimin që i bëhet Izraelit nga ana e Iranit, i cili synon posedimin e armëve bërthamore. Së dyti Izraeli pret që Merkel të pozicionet qartë edhe në lajmin jo të gëzueshëm të fitores së Hamasit në zgjedhjet parlamentare.

Ndërkohë pozicionimi i qeverisë gjermane u bë edhe para vizitës së Merkelit i qartë. Zëdhënësi i qeverisë, Ulrich Vilhelm u shpreh se kancelarja ka këto mesazhe në dosjen e saj të udhëtimit: "Rikonfirmimi gjerman për sigurinë dhe të drejtën e ekszistencës së Izraelit mbetet një shtyllë e rëndëssishme e politikës së jashtme gjermane. Në të njëjtën kohë qeveria gjermane mbështet tërësisht planin e paqes ashtuquajtur "road map" të bashkësisë ndërkombëtare për Lindjen e Mesme. Populli palestinez ka të drejtën e shtetit të tij, dhe të jetojë krah për krah në paqe siguri dhe me kufij të pranuar me Izraelin."

Edhe politikanë të njohur gjermanë janë shprehur para vizitës së parë të Angela Merkelit në Izrael. Shefi i fraksionit të liberalëve gjermanë, Volfgang Gerhardt u shpreh për gazetën "Welt am Sontag" se Merkeli duhet të bëjë të qartë, se Gjermania qendron në anën e Izraelit. Ajo duhet gjithashtu t'u bëjë të qartë palestinezëve, se vetëm pranimi i së drejtës së ekszistencës së Izraelit dhe gadishmëria për bisedime do të stabilizojë në plan afatgjatë rajonin.

Sot në mbrëmje kancelarja gjermane do të takohet me kryeministrin e emëruar Ehud Olmert, ndërsa ditën e hënë pritet që ajo të zhvillojë bisedime me presidentin palestinez Mahmud Abaz.