Angela Merkel: Statusi i Kosovës duhet të zgjidhet me pëlqimin e vendeve fqinje të rajonit | FOKUS | DW | 15.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Angela Merkel: Statusi i Kosovës duhet të zgjidhet me pëlqimin e vendeve fqinje të rajonit

"Po them gjithashtu se do të jetë e nevojshme të bëhen kompromise për statusin e Kosovës dhe për këtë duhet të jenë të përgatitur të gjithë pasi kjo është në interesin e Kosovës", ka thënë Merkel për Dojçe Velen

Dr. Angela Merkel

Dr. Angela Merkel

Rreth orës 10 helikopteri i KFOR-it ka ateruar në Kampin ushtark të Prizrenit me kryetaren e CDU-së dr. Angle Merkel në bord, e cila njëherit është kryesuese e fraksionit CDU - CSU në Bundestagun gjerman. E shoqëruar nga komandanti i Brigadës Shumëkombëshe jug-perëndim, gjenerali Norbert Stier, ajo ka takuar ushtarët gjermanë në Prizren duke u njohur nga dora e parë me aktivitenin e tyre dhe vështirësitë në përmbushjen e detyrave ushtarke, pa harruar të lavdërojë punën që bëjnë:

„Bundesveri dhe KFOR-i po ndihmojnë për përmirësimin e situatës politike, e cila hap pas hapi po përmirësohet veçmas në fushën e sigurisë.“

E pyetur nga unë si e sheh ajo zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës zonja Merkel tha:

„Besoj se, sa i përket të ardhmës së Kosovës çdo qytetar duhet ta dijë se përmirësimi i standardeve dhe plotësimi i tyre është i lidhur ngushtë me çështjen e statusit. Secili duhet ta ketë të qartë se çështja e statusit duhet të zgjidhet në atë mënyrë që vendet e rajonit të cilat e rrethojnë Kosovën, të japin pëlqimin e tyre për çfardo zgjidhje përfundimtare. Ne presim që bisedimet për statusin të fillojnë mundësisht sa më shpejt. Po them gjithashtu se do të jetë e nevojshme të bëhen kompromise dhe për këtë duhet të jenë të përgatitur të gjithë pasi kjo është në interesin e Kosovës. Serbia në këtë kuadër ka gjithashtu rolin e saj, pasi ajo është një vend nga rajoni dhe nëse flas për një zgjidhje të përbashkët që duhet të arrihet përmes bisedimeve, atëherë kjo nuk mund të bëhet pa marrë në konsideratë interesat serbe.

Merkel ka trajtuar edhe çeshtjen e Bundesverit. CDU-ja tha ajo angazhohet për shërbimin e rregullt usharak pasi kjo mban lidhur popullin me ushtrinë. Ushtria gjermane, u shpreh Merkel, ka përjetuar një ristrukturim duke iu përshtatur sfidave të shekullit 21 në fushën e sigurisë, që do të thotë se siguria e Gjermanisë nuk mbrohet vetëm në Gjermani

Misionin e Bundesverit në Kosovë dhe Afganistan, Merkel e ka cilësuar mjaft të rëndësishëm, por ka shtuar se sa i përket Irakut nuk vjen në shprehje angazhimi i ushtarëve gjermanë atje.

Merekl në Prizren ka vizituar edhe lagjën nënkalja në Prizren dhe disa nga monumentet e shkatërruar kishtare të serbëve gjatë marsit të viti të kaluar.

  • Data 15.07.2005
  • Autor Fadil Gashi, Prishtinë
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqjr
  • Data 15.07.2005
  • Autor Fadil Gashi, Prishtinë
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqjr