1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angela Merkel - kancelarja e parë e Gjermanisë

Nina Verkhäuser22 Nëntor 2005

Angela Merkel është kancelare e Gjermanisë - gruaja e parë në postin e kryetarit të qeverisë gjermane. Ajo ndodhet në krye të një koalicioni të madh qeveritar të partive. Me këtë lidhen shanse dhe rreziqe për Gjermaninë.

https://p.dw.com/p/AqsX
Fotografi: AP

"Një fillim i ri" lexon më gërma të stërmëdha në fasadën e rezidencës së CDU-së, Kondrad-Adenauer Haus në Berlin. Nën këto gërma ndodhet një fotografi gjigante e Angela Merkelit, e kancelares së parë të RFGJ. Me optimizëm dhe miqësisht të vështron ajo nga fotografia, sikur të donte të thoshte: boll me qaramanllëqe, tani do të përvishen mëngët. Një fillim i ri, një zgjim, kjo do t'i bënte mirë Gjermanisë. Që prej një viti në politikë nuk ka lëvizur thuajse asgjë. Reforma Harc IV erdhi në një kohë që kancelarit Shrëder po i afrohej fundi i periudhës në post dhe Gjermania lëvizte disi pa orientim. Zgjedhësit ishin ngopur me manovrimet pa fat të koalicionit qeveritar kuq e gjelbër, por nuk kishin besim tek një koalicion i unionistëve me liberalët dhe prandaj vendosën për një Koalicion të Madh.

Që ky koalicion drejtohet tani nga një grua, ky është një fillim i ri në kuptim të dyfishtë: nga njëra anë qeveria e re ka shansin që me shumicën e saj të rehatshme në Parlament dhe në Dhomën e Landeve ta modernizojë vendin edhe më tej në mënyrë të pranueshme nga ana sociale dhe ta vërë sërish në rregull buxhetin. Nga ana tjetër, gjendja në Gjermani kthehet sërish në normale, gjë që është e vetëkuptueshme për vendet e tjera: edhe një grua mund të zërë postet më të larta politike- dhe ajo, njësoj si një burrë mund të ketë sukses ose të dështojë.

Angela Merkeli ka kapërcyer në rrugën e saj për në zyrën e kancelarit pafundësisht shumë pengesa, disa herë ajo është ka filluar të lëkundet dhe është sulmuar jo rrallë. Për faktin që ajo nuk i dorëzoi armët, për këtë ajo meriton respekt dhe mirënjohje. Sepse shumë nga sulmet nuk kishin si synim pikëpamjet e saj politike, por kishin si nënton: "hajde, vajzë, mos u sill më vërdallë, u bëj vend sërish meshkujve." Në partitë unioniste, ka pasur disa vetë që kanë pritur vetëm gabimin tjetër të Merkelit, për ta shfrytëzuar këtë për ta parakaluar atë dhe për t'u ngjitur vetë në postet më të larta. Dhe së fundi ishte socialdemokrati Gerhard Shrëder, i cili pas zgjedhjeve të Bundestagut e konsideroi fillimisht të papërfytyrueshme që t'ia japë postin e tij një gruaje- kurse tani edhe ai e zgjodhi kancelare 51 vjecaren nga Gjermania lindore.

Një nga anët e forta të Angela Merkelit është se ajo i njeh lojërat e pushtetit të politikës dhe nuk pret trajtim me dorashka, ashtu sic edhe ajo nuk ua fal kundërshtarëve të saj. Ajo është në gjendje të dëgjojë, të bëjë kompromise dhe kërkon të ndryshojë dicka. Tani puna do të jetë nëse kancelarja e parë dhe ministrat e saj do të përveshin krahët, për të qenë në gjendje të pjekin më shumë se simite të vogla. Që 51 deputetë nga radhët e CD/CSU-së dhe nga Partia Socialdemokrate nuk ia dhanë votën e tyre Merkelit, vërtet që nuk është shkak për t'u bërë pesimist. Por kjo tregon edhe se martesa e detyruar e të dyja partive të mëdha është një eksperiment i vërtetë- me shanse dhe me rreziqe. "Eshtë një sinjal i fortë për shumë gra, por sigurisht edhe për disa burra" e komentoi presidenti i Bundestagut Norbert Lammert zgjedhjen e Merkelit si kancelare të parë të Gjermanisë. Kryesorja është që kjo zgjedhje të kthehet në një sinjal të fortë për Gjermaninë.