Angazhim i qytetarëve kundër riforcimit të ekstremizmit të djathtë | Gjermania | DW | 25.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Angazhim i qytetarëve kundër riforcimit të ekstremizmit të djathtë

Javën e shkuar u bë e ditur, se gjatë tetë muajve të parë të vitit janë njoftuar rreth 8.000 akte me sfond ekstremizmin e djathtë, ndër to 452 kanë qenë ushtrim dhune

default

Aktet penale me sfond ekstremizmin e djathtë në Gjermani kanë arritur përmasa të tilla, që e kanë alarmuar politikën dhe shoqërinë.

Në Berlin përpara pak javësh u mbyll para kohe një ndeshje e ligës që qarkut mes klubit sportiv të hebrejve Makabi dhe një klubi lokal të Berlinit, sepse lojtarët e ekipit Makabi u fyen me sharje antisemitiste. Në futbollin gjerman ka pasur herë pas here edhe më parë tifozë që kanë krijuar trazira, por rasti i sipërpërmendur krijon një atmosferë të nderë në vend, kur është fjala për ekstremizmin e djathtë dhe ksenofobinë. Sharlote Knobloch, presidente e Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani tërheq vëmendjen, se ata që bëjnë fjalë për raste të veçuara e minimizojnë problemin:

"Sulmet antisemitiste dhe ekstremiste të djathta janë bërë prezente dhe kanë arritur agresivitet, që të kujtojnë kohën pas vitit 1933. E motivuar prej sukseseve parlamentare të partisë nacional-demokrate e djathta përmes aksioneve të ndryshme po përpiqet të stabilizojë rrjetet e veta dhe t´i zgjerojë ato."

Kjo arrin deri aty, sa e djathta si dhe partia nacional-demokrate organizon në rajonet e dobëta ekonomikisht qendra konsulence për borxhet, apo hap të ashtuquajturat guzhina të supës, ushqime gratis për shtresat e dobëta sociale. Në këtë mënyrë partia nacional-demokrate depërton pikërisht në ato zona, kryesisht në Lindje të Gjermanisë, që janë lënë pasdore prej partive dhe komunave, thotë drejtori i qendrës Ana Frank, Tomas Hapener. Zhvillime të tilla i kritikon ish-i ngarkuari i qeverisë për dosjet e sigurimit të shtetit në ish-RDGj, Joahim Gauk. Ky i fundit me prejardhje nga Lindja dhe prift ndërkohë angazhohet në shoqatën "kundër harresës për demokracinë":

"Eshtë e pabesueshme, që të duhet partia nacional-demokrate për të sponsorizuar një ndeshje futbolli. Në këtë drejtim duhet të ketë bashkëveprim mes landit, komunave dhe shoqatave, që të vendosin në dispozicion një drejtor stërvitjeje në një fshat, i cili prej kohësh nuk ka pasur shoqatë futbolli."

Që mund të ndodhë edhe ndryshe këtë e dëshmon ndërkohë "Aksioni kurajo civile" në Pirna të Saksonisë. Atje Sebastian Reisig dhe bashkëpunëtorët e tij i kundërvihen në mënyrë efikase së djathtës:

"Ne ndërkohë kemi një kryetar bashkie që e ka shtruar hapur këtë problem. Ne kemi një iniciativë të rinjsh: "Aksionin kurajo civile" dhe shumë të tjerë që angazhohen në mënyrë aktive. Kemi një polici që nuk është më e verbër ndaj së djathtës. Të gjitha këto struktura ne i kemi futur në rrjetin e bashkëpunimit dhe një herë në muaj mblidhemi së bashku dhe konsultohemi për gjendjen e vendosim mbi masat që duhen marrë."

E gjitha kjo ndodh në një rajon, ku partia nacional-demokrate është përhapur shumë. Në një land, pikërisht në Saksoni, ku partia është e përfaqësuar edhe në parlament. Iniciativat si "Aksioni kurajo civile" mund të shërbejë si shembull edhe për rajone te tjera në Gjermani, thotë drejtori ekzekutiv Reisig. Ndërsa ish-zëdhënësi i qeverisë Uve Karsten Heye, ndërkohë kryetari i shoqatës "Të tregosh karakter! Aksioni Gjermania e hapur ndaj botës" kërkon vepra nga politika:

"Ai që e vlerëson me seriozitet integrimin e të rinjve të huaj dhe do të ndalojë kapërcimin e gjithnjë e më shumë të rinjve në radhët e së djathtës ekstreme, duhet që të investojë masivisht nëpër shkolla, kopshte, në shtimin e vendeve të punës për mësues dhe për konsulentë social."

Një hap i parë në këtë drejtim është rritja nga 19 në 24 milionë euro në vit e fondit financiar për luftën kundër ekstremizmit të djathtë nga ministria për problemet e familjes.

  • Data 25.10.2006
  • Autor Marsel Fyrstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqyx
  • Data 25.10.2006
  • Autor Marsel Fyrstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqyx