Amerika gëzohet për bashkëpunimin me kancelaren e re Angela Merkel | FOKUS | DW | 23.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Amerika gëzohet për bashkëpunimin me kancelaren e re Angela Merkel

Ndryshe nga paraardhësi i saj - Gerhard Shrëderi, Merkeli është për amerikanët garante për një bashkëpunim konstruktiv në marrëdhëniet transatlantike

default

Megjithë debatin aktual për një tërheqje eventuale të trupave amerikane nga Iraku, shumica e masmediave amerikane informuan të martën edhe për zgjedhjen e Angela Merkelit si kancelare të re të Gjermanisë.

Thuajse në të gjitha raportet tërhiqet vëmendja se bëhet fjalë për gruan e parë në krye të një qeverie gjermane. Që Angela Merkeli vjen nga lindja e Gjermanisë, kjo për mediat amerikane ka një rëndësi të dorës së dytë.

CNN dhe "New York Times" e vlerësojnë numrin relativisht të madh të votave kundër nga fraksionet e koalicionit në zgjedhjen e kancelares si sinjal të parë për vështirësitë që mund ta shoqërojnë një koalicion të madh të drejtuar nga Angela Merkeli. Ngjashëm e sheh këtë Cathleen Fisher nga "Instituti Amerikan për Studime Kontemporane Gjermane":

"Ekzistojnë diferenca midis partive për sa u përket reformave ekonomike, për politikën e tregut të punës dhe të shëndetësisë, por edhe disa diferenca në politikën e jashtme. Pra puna nuk do të jetë e lehtë."

"New York Times" e portretizon Angela Merkelin si pjesëtare të një brezi të ri politikanësh, të cilët njësoj si kryetari i ri i SPD, Matias Platcek kanë orientim më tepër pragmatik se sa ideologjik. Ngjashëm e sheh këtë edhe ish-ministri i jashtëm amerikan që ka lindur në Gjermani, Henri Kisinger. Ai shkruan në "Uashington Post": me premisën sistematike të një shkencëtareje, Merkeli do të shmangë një ngatërrim të gjesteve emocionale ndaj Rusisë me një strategji. Dhe si person i orientuar në fakte, serioze dhe e menduar, ajo do të refuzojë një zgjedhje midis SHBA dhe Francës."

Stephen Szabo, i Departamentit të Cështjeve Ndërkombëtare të "John Hopkins University" beson se stili i Merkelit, i orientuar në zgjidhjen e problemeve do ta drejtojë vëmendjen e kancelares së re para së gjithash në politikën e brendshme.

"Gjermania do të orientohet në 5-10 vitet e ardhshme shumë në politikën e brendshme dhe të reformave dhe do të luajë më tepër një rol të dobët në politikën e jashtme."

Kancelarja e re do ta vizitojë Uashingtonin ndoshta vetëm vitin e ardhshëm. Nuk përjashtohet megjithatë një takim që këtë vit në Gjermani me ministren e jashtme amerikane, Kondolisa Rajs. Ministri i ri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier mund ta bëjë vizitën e tij të parë në Uashington ndoshta që javën e ardhshme, u tha në qarqet qeveritare. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme tha se po punohet për rakordimin e planeve të udhëtimeve dhe të takimeve dhe se gëzohet për një takim me kancelaren e re gjermane në momentin më të parë të mundur.

  • Data 23.11.2005
  • Autor Daniel Sheshkevic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqhZ
  • Data 23.11.2005
  • Autor Daniel Sheshkevic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqhZ