Ambasadorja Mueller-Holtkemper: ″Premtojmë një shkëmbim më të fuqishëm mes shoqërive tona civile″ | Ballkani | DW | 11.01.2011
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ambasadorja Mueller-Holtkemper: "Premtojmë një shkëmbim më të fuqishëm mes shoqërive tona civile"

Carola Mueller – Holtkemper, ambasadore e RFGJ në Shqipëri vlerëson ekskluzivisht për DW Shqip mundësitë që u ofron të rinjve heqja e vizave nga BE. Ajo kërkon kompromise politike, për të ndaluar rënien e besimit.

Ambasadorja Mueller-Holtkemper flet për DW-Shqip

Ambasadorja Mueller-Holtkemper flet për DW-Shqip

DW: Prej disa javësh ka nisur zbatimi i procesit të liberalizmit të vizave për qytetarët shqiptarë, që i drejtohen zonës Shengen të BE-së. Nisur nga ajo që ka ndodhur një vit më parë me qytetarët nga Serbia dhe Ish - Republika Jugosllave e Maqedonisë, a mendoni se ka vend ende për mosbesim se kjo liri udhëtimi do të shfrytëzohet dhe për punesim, qëndrim afatgjatë ose azilim nga qytetarët shqiptarë?

Carola Mueller – Holtkemper: Dëshiroj të them paraprakisht se liberalizimi i vizave është një sukses i madh për Shqipërinë. Suksesi i Shqipërisë në këtë rast tregon dy aspekte. Kur ka bashkim të forcave, Shqipëria mund të arrijë vërtet progress të konsiderueshëm. BE i qëndron fjalës së dhënë. Po t'i kthehemi pyetjes suaj, nisur nga përvojat e deritanishme me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka qenë një prej kushteve që Shqipëria të mund të sqarojë dhe të informojë popullatën nëpërmjet një fushate informimi mbi detyrimet që rezultojnë nga kuadri ligjor për një udhëtim pa viza në hapësirën e vendeve Shengen. Sikurse është rënë dakort, qeveria shqiptare ka realizuar një fushatë të tillë informimi në javët para se të merrej vendimi për liberalizimin e vizave. Për të vlerësuar faktin, nëse kjo liri udhëtimi pa viza është keqpërdorur apo jo, është ende heret. Ne gjithsesi konstatojmë se pas ditëve të festave ka patur një valë të fuqishme të udhëtimeve në kthim.

Mundësia për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen vlerësohet prej nesh shumë pozitivisht. Ne premtojmë që do të ketë një shkëmbim më të fuqishëm mes dy shoqërive tona civile. Veçanërisht të rinjve, ky liberalizim u krijon mundësinë për të shikuar gjatë qëndrimeve të tyre afatshkurtëra në hapësirën e Shengen-it drejt zhvillimit, duke u kthyer në Shqipëri me ide të freskëta dhe të avancuara.

DW: Në fund të vitit 2010 Komisioni Europian publikoi raportin e progresit për Shqipërinë, ku evidentonte përparime, por dhe probleme. Ky vlerësim po lexohet në mënyra të ndryshme nga politika shqiptare. Ka apele nga ndërkombëtaret për afrim të qëndrimeve mes mazhorancës dhe opozitës, por të paktën deri me sot nuk ka ndonjë qëndrim që t'i japë fund ngërçit politik në vend. Si do ta vlerësonit këtë situatë?

Carola Mueller – Holtkemper: Funksionaliteti i parlamentit është një kriter i rëndësishëm politik në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Për këtë arësye bllokada politike që zgjat prej afër një viti e gjysëm është një prej shkaqeve kryesore pse Komisioni Europian në raportin e fundit të progresit nuk e rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat. Para së gjithash do të thoja se është në interes të popullit shqiptar që të dy kampet politike të arrinin të gjenin një zgjidhje kompromisi, në mënyrë që të parandalohet një humbje e mëtejshme në besimin e shqiptarëve në institucionet e tyre politike dhe që të ketë mundësi për përkushtim ndaj detyrave urgjent,e që kërkojnë bërja e reformave. Dua të shpreh keqardhjen time që dy kampet politike nuk mundën të gjenin një zgjidhje kompromisi. Së fundmi, dihet që ishte propozuar nga Parlamenti Evropian një formulë e qartë kompromis,i ku ne vërtet kishim shpresa shumë të mëdha se kompromisi do të dilte në dritë ditët e fundit.

Ambasada e RFGJ në Tiranë

Ambasada e RFGJ në Tiranë

Raporti i progresit për vitin 2010 numëron 12 fusha problematike, në të cilat BE pret dhe shpreson hapa konkretë. Krahas funksionalitetit të parlamentit këtu ka dhe fusha të tjera me rëndësi të madhe, sikundër janë demokracia, shteti ligjor dhe sistemi i drejtësisë. Bllokada politike pengon dhe zgjidhjen e këtyre fushave problematike. Raporti i ri i progresit, që pritet të publikohet në vjeshtë të këtij viti do të marrë në konsideratë dhe do të vlerësojë ato që arrihen deri në verë. Në fakt disa prej fushave problematike, që janë përmendur në raportin e fundit qeveria shqiptare mund t'i zgjidhë ose orientojë drejt zgjidhjes me anë të shumicës së vet parlamentare. Ndërkohë që të tjerat kanë nevojë për zgjidhje, për të cilat do të ishte e nevojshme përpjekja e përbashkët e mazhorancës dhe e opozitës.

DW: Zonja Ambasadore, kur mendoni se Shqipëria do të marrë një vendim pozitiv për statusin e vendit kandidat në BE?

Carola Mueller – Holtkemper: Ministri Federal i Punëve të Jashtme, zoti Guido Westerwelle ka theksuar gjatë një konference të vendeve të Ballkanit Përendimor, që u mbajt në Berlin muajin e kaluar se ky rajon është pjesë e Evropës. Pranimi i vendeve të Ballkanit Përendimor është një synim i qartë dhe i rëndësishëm i procesit të zgjerimit të BE-së. Një rekomandim pozitiv i Komisionit Evropian në raportin e progresit, si dhe vendimi pozitiv i shteteve anëtare gjithësesi varen nga progresi që do të arrijë Shqipëria në kuadër të reformave.

Duhet marrë në konsideratë se qeveritë e vendeve anëtare të BE-së në vendimet e tyre kanë një lloj detyrimi dhe përkundrejt popullsive të tyre. Pasi nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese, ky proces ka një formë të ndryshme në vende të ndryshme. Në Gjermani p.sh., gjykata federale kushtetuese e ka përforcuar në kuadër të ratifikimit të Traktatit të Lisbonës rolin e Bundestag-ut në kuadër të zgjerimit të BE-së.

DW: Për vitin 2011 si është perspektiva e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Shqipërise?

Carola Mueller – Holtkemper: Marrëdhëniet tona bilaterale ne i konsiderojmë si të shkëlqyera, duke dëshiruar zgjerimin e tyre të mëtejshëm gjatë këtij viti. Të flasim konkretisht: Gjermania e ka mbështetur dhe vijon të mbështetesë Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit në BE. Ne japim kontributin tonë duke u fokusuar në sektorët e furnizimit me energji elektrike, mjedisin duke përfshirë këtu dhe furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe mirëqeverisjen.

Që nga fillimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve më 1987, qeveria federale e ka mbështetur Shqipërinë me një vlerë më shumë se 1 miliardë euro. Nga këto, 200 milionë euro janë vënë në dispozicion që prej vitit 2008. Para disa ditëve qeveria federale ka vënë në dispozicion nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, një kredi të butë në vlerën e 30 milionë eurove, për ndërtimin e linjës së transmetimit të tensionit të lartë mes Shqipërisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, si dhe 67.5 milion euro për projekte të infrastrukturës dhe të fushës sociale. Ky bashkëpunim bilateral ekonomik realizohet krahas projekteve të tjera të BE-së, buxheti i të cilave bartet në një vlerë rreth 20 përqind nga Gjermania.


Intervistoi: Arben Muka/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 11.01.2011
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/zwEZ
  • Data 11.01.2011
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/zwEZ