1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ambasadori i ri shqiptar në Berlin paraqiti letrat kredenciale tek presidenti i Gjermanisë

22 Gusht 2009

Valter Ibrahimi është 46 vjeçar dhe e ka filluar karrierën diplomatike qysh në vitin 1992. Objektivi i kryesor i punës së tij në Berlin do të jetë nxitja e investimeve gjermane në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/JGOG
Ambasadori i ri në Berlin, Valter Ibrahimi
Ambasadori i ri në Berlin, Valter IbrahimiFotografi: Shuka

Për një vit të tërë ambasada shqiptare në Berlin kishte mbetur pa përfaqësues në rang ambasadori. Mbas largimit të Gazmend Turdiut në korrik të 2008-ës, përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në Gjermani e mori në dorë përkohësisht i ngarkuari me punë Gazmend Barbullushi derisa të vinte ambasadori i ri. Ai më në fund erdhi dhe këtë javë (19 gusht) paraqiti letrat kredenciale tek presidenti i Gjermanisë Horst Koehler.

Valter Ibrahimi vjen në Berlin nga Vjena. Që nga marsi i 2006-ës e deri para pak kohësh ai ka shërbyer aty si ambasador i Shqipërisë në Austri. Marrëdhëniet me vendin e vogël gjermanofon, i cili në Evropë e kupton veten shpesh si patronazh të Ballkanit, ishin më të drejtpërdrejta. Prandaj edhe ambasadori i ri pret që puna në Gjermani të ketë një natyrë tjetër. "Interesi i drejtpërdrejtë i Austrisë në marrëdhëniet historike dhe vëmendja e saj ishte e një natyre të tillë që ofronte një kontakt të drejtpërdrejtë në nivele nga më të ndryshmet, ndërsa Gjermania ka përmasa gjigante në të gjitha aspektet: si të hapësirës gjeografike, numri i banorëve, ashtu edhe të potencialeve ekonomiko-financiare", thotë Ibrahimi në një intervistë për programin shqip të Deutsche Welles.

Kancelarja gjermane Angela Merkel pret në takim kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha (8 tetor 2008)
Kancelarja gjermane Angela Merkel pret në takim kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha (8 tetor 2008)Fotografi: AP

Forcimi i marrëdhënieve ekonomike prioritet i punës së ambasadorit të ri në Berlin

Këmbimet politike dhe kulturore mes Gjermanisë dhe Shqipërisë janë bërë tashmë rutinë, konstaton ai. Prandaj edhe objektivi kryesor i punës së tij do të jetë forcimi i marrëdhënieve ekonomike. "Për fat të keq, shkëmbimet tregtare me Gjermaninë janë në nivel të dobët, pavarësisht se Gjermania renditet e pesta në nivelin e shkëmbimeve, por në vëllimin total, ato lënë për të dëshiruar. Partnerët kryesorë ekonomiko-tregtarë tanë janë fqinjët që janë anëtarë të Bashkimit Evropian apo edhe vendet e tjera, qofshin edhe ato aziatike", thotë Ibrahimi më tej.

Një synim, për realizimin e të cilit ka ndër mend të punojë ai në mënyrë të veçantë, është ndryshimi i natyrës së bashkëpunimit ekonomik: "Duke qenë se Gjermania është prezente pothuajse në çdo fushë ekonomiko-sociale të Shqipërisë, mendoj se ka vend për të kaluar nga marrëdhëniet e donacionit, të projekteve, në marrëdhëniet e investimeve direkte, pra të interesit. Interesi i Gjermanisë ka qenë tek infrastruktura, energjia, minierat." E pikërisht aty do të fokusohet edhe puna e Ibrahimit, konkretisht: tek joshja e kompanive të mesme. "Shqipëria është një treg i vogël dhe me 3,4 milionë banorë. Ai mund të shkojë deri në katër milionë banorë dhe nuk është një treg që përputhet me interesin e investitorëve të mëdhenj gjermanë, por këtu ka vend për interesin e investitorëve të mesëm."

Në foto ambasadori kosovar në Berlin, Vilson Mirdita
Në foto ambasadori kosovar në Berlin, Vilson MirditaFotografi: Dr. Vilson Mirdita

Dy ambasada dhe një fushë me interes të përbashkët - ruajtja e gjuhës shqipe

Një rastësi e këndshme për ambasadorin e Shqipërisë është fakti, që vetëm një javë pas atashimit të tij, presidenti Koehler do të marrë letrat kredenciale edhe nga ambasadori kosovar në Gjermani, Vilson Mirdita. Ata përfaqësojnë dy shtete të ndryshme, por që tani e kanë piketuar një fushë me interes të përbashkët: Kujdesi për ruajtjen e gjuhës shqipe tek shqiptarët e diasporës. "Ka një vështirësi, sepse shpërndarja e komunitetit me origjinë nga Shqipëria është ndryshe nga ajo e komunitetit që vjen nga trevat e tjera shqiptare, Kosova, Maqedonia, apo Mali i Zi. Kështu që duhen harmonizuar kërkesat, nevojitet bashkëpunim me institucionet tona dhe ato gjermane, por kërkohet edhe angazhimi dhe interesimi i vetë diasporës për këtë çështje", vëren Ibrahimi.

Objektivat e ambasadorit të ri të Shqipërisë në Gjermani janë të mëdha. Deri ku do të arrijë ai në fund të katërvjeçarit në detyrën e ambasadorit? Një pyetje kjo, të cilës diplomati me përvojë i shmanget: "Sigurisht, synimet janë, por në qoftë se do të bëheshin evidente kaq shpejt, mund të ketë edhe zhgënjime. Hap pas hapi ato do bëhen edhe më evidente, kuptohet."

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: Esat Ahmeti