1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hovi i teorive të konspiracionit në krizën Corona

14 Maj 2020

Para pesë vjtesh flitej për "etnomorfozë", sot hamendësohet për "forca të errëta" që duan ta komandojnë vetë botën. Por dy aspekte thelbësorë janë të reja në teoritë aktuale të konspiracionit, mendon Alexander Görlach.

https://p.dw.com/p/3cBZ7
Kommentarfoto: Prof. Dr. Dr. Alexander Görlach
Fotografi: Harvard University/D. Elmes

Citat i Prof. Dr. Alexander Görlach: "Teoritë e konspiracionit jo vetëm që kanë marrë hov, po ato kanë arritur tashmë edhe mesin e shoqërisë.  Ditët e fundit ka pasur mjaft njoftime informale edhe pse jo të provuara:  Në faqen time hyrëse në Facebook kam gjetur shumë deklarata kundër virologëve, kundër Bill Gates, kundër vaksinave, kundër Angela Merkel dhe kundër rregullave në kohën e pandemisë Corona."
Shumë  njerëz janë transformuar brenda ditës në ekspertë, që i ka kthyer këta në armiq. Por me sa duket refuzimi drejtohet vetëm kundër atyre ekspertëve që kanë një mendim tjetër. Sidoqoftë ata që postojnë ndonjë mendim në Facebook janë patjetër ekspertë, pavarësisht se në fakt do ta dëshironin të shiheshin si të tillë.

Paralelet me krizën e refugjatëve 2015

Teoritë e konspiracionit filluan qysh në valën ekrizës së refugjatëve në vitin 2015 në Gjermani. Asokohe hamendësohej, që kancelarja, në fshehtësi paskësh planifikuar një "etnomorfozë" dmth një tjetërsim të popullatës së Gjermanisë dhe qëllimisht pranoi në vend njerëzit "nga orienti". Edhe asokohe bëhej fjalë për një komplot botëror. Qysh atëherë vazhdimisht lakohet emri i miliarderit dhe filantropit George Soros, i cili përmendet si dëshmi e një komploti hebraik botëror. E gjitha kjo zbukurohet prej të ashtuquajturve "qytetarë të rajhut" (Reichsbürgern), të cilët nuk e pranojnë legjitimitetin e Republikës Federale të Gjermanisë dhe përdorin dokumenta të veta identifikimi.

Por tragjikja e shumë teorive të tilla të konspiracionit është se në fund ato demaskohen si qesharake. Njëkohësisht unë kam ndjesinë, që rrethi i konspiruesve të tillë bëhet gjithnjë e më i vogël. Por kësaj here diçka është ndryshe. Përse? Ndoshta sepse pandemia COVID-19 vërtetë prek  të gjithë. Askush nuk mbetet i paprekur prej saj: Fëmijët nuk mund të shkojnë në kopshte, çerdhe e shkolla. Prindërit duhet të kujdesen në shtëpi për ta dhe njëkohësisht janë përgjegjës për sigurimin e bukës. Puna në universitete është ndërprerë. Nga restorantet e deri tek floktoret puna u paralizua. Ekzistenca u cënua, edhe pse tani shumë vende gradualisht kanë nisur hapjen. Kush është i sëmurë, por nuk ka COVID-19, duhet të presë për operacionin. Kush është i moshuar, nuk mund t'i shohë më të afërmit e tij. Dhe ata që vdesin nga infeksioni, vdesin vetëm duke kaluar një vdekje të ngadaltë prej asfiksimit.

A mund të jetë kjo e vërtetë? Mundet virusi vërtet të na e bëjë ne këtë? Pjesa më e madhe të shoqërisë e ka pranuar këtë situatë si me një psherëtimë e ndoshta edhe me lot ndër sy, por nga ana tjetër përballë saj ndodhet një masë ulëritëse, njerëz që krah për krah njeri-tjetrit dalin në sheshet publike e kërkojnë me zë të lartë fundin e karantinës. Këtë masë e bashkon ideja fikse, që "ata atje lart" janë në aleancë me të keqen. Më 2015 shfaqeshin ata, që gjithmonë kanë qenë kundër migracionit. Edhe pse duke mos pasur fakte në dispozicion për kritikat, ata ishin kundër planit të politikës, se si po e menaxhonte ajo situatën faktike me rreth një milionë refugjatë.

Sot në radhë të parë bëhet fjalë për fakte - përhapjen e një virusi. E në këtë pikë duket se nuk ka më unanimitet: Për disa COVID-19 nuk është më keq se një grip sezonal. Të tjerë bazohen tek pozicioni i një pakice në koncertin e bashkësisë ndërkombëtare - tek imuniteti kolektiv. Të tjerë - një lëvizje e tillë ekziston prej kohësh -  refuzojnë çdo vaksinë. Ndonëse ndërkohë as që nuk ekziston një vaksinë kundër kësaj sëmundjeje. Çfarë do të thotë, kur një shoqëri nuk mund të bjerë më dakord me faktet? Atëherë asaj, nëse nuk ka ndodhur ende, shpejt ose vonë  do t'i mungojë çdo mjedis dhe institucion, që vendos rendin publik dhe që mund të moderojë diskutimin për mundësitë e ndryshme të interpretimit të fakteve. Ky virus ndërkohë ka prekur çdo sektor të shoqërisë në Gjermani: madje edhe një rreth i ngushtë i ipeshkëve katolikë publikoi një letër, në të cilën bëhet fjalë për një "qeveri botërore".

Për autokratët, që vitet e shkuara i kanë diskredituar ekspertët dhe nënçmuar elitat, ky spektakël është një festë. Nuk vlerësohet më arsimimi, por ata që i bien fyellit i këndojnë strofa lëvdatash të fortit. Ndërsa përqeshet modestia, që zakonisht shfaqet me dijen, e në vend të saj glorifikohen thashethemnajat. Në fund marrëzia dhe supersticioziteti do të kthehen në gozhdat e arkivolit të demokracisë sonë. Ky dështim nuk ka të bëjë me virusin Corona, por me helmin, me të cilin na spërkasin prej vitesh populistët.

Alexander Görlach jeton në Nju Jork dhe është Senior Fellow i Carnegie Council for Ethics in International Affairs dhe Senior Research Associate në Universitetin Cambridge në Institutin për Religjon dhe Studime Ndërkombëtare.