Alegria dhe siguria nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën | Gjermania | DW | 11.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Alegria dhe siguria nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën

Ministri gjerman i punëve të brendshme bëri një bilanc pozitiv të aspekteve të sigurisë gjatë botërorit 2006. Schäuble tha se gjatë këtij kampionati u bë e qartë se "alegria dhe siguria nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën".

Policë gjermanë dhe britanikë gjatë botërorit 2006

Policë gjermanë dhe britanikë gjatë botërorit 2006

I gëzuar, krenar dhe i lehtësuar, kështu u shfaq përpara mediave për të bërë bilancin e kampionatit botëror të futbollit nga këndvështrimi i çështjeve të sigurisë, Ministri federal i Punëve të Brendshme, Wolfgang Schäuble.

Schäuble u shpreh i kënaqur me strategjinë që kishin përpunuar landet dhe federata dhe për bashkëpunimin e të gjitha forcave për të garatuar sigurinë e botërorit 2006.

"Koncepti kombëtar për sigurinë për botërorin 2006 doli me sukses dhe këtë e vërtetojnë edhe partnerët tanë të huaj. Austria dhe Zvicra ku do të zhvillohet kampionati evropian i futbillit 2008 janë shprehur se do të marrin shumë prej këtij koncepti dhe se do të bashkëpunojnë me ne."

Pa probleme funksionoi jo vetëm bashkëpunimi i forcave të sigurisë së federatës dhe të landeve. Koncepti i sigurisë për botërorin i kapërcente edhe kufijtë e Gjermanisë. Kështu disa mijëra huliganë nuk u lejuan të largoheshin nga vendet e tyre për të ardhur në Gjermani, rreth 300 prej tyre u dëbuan në kufi. Forcat gjermane të sigurisë kombinuan nga njëra anë masat preventive dhe nga ana tjetër praninë e madhe policore gjatë ditëve të kampionatit. Në të gjithë Gjermaninë ishin mobilizuar 250.000 policë. Koncepti nuk parashikonte një polici me sjellje marciale dhe luftarake, por policë të qeshur dhe komunikativë, dhe kjo taktikë funksionoi shumë mirë.

Risia e këtij aksioni ishte që në Gjermani ishin angazhuar edhe 300 policë nga vende të tjera, të cilët për periudhën e kampionatit kishin të njëjtat të drejta veprimi si edhe kolegët e tyre gjermanë.

Gjithsesi botërori 2006 nuk kaloi fare pa incidente. Megjithë praninë e madhe policore ishte e pamundur që të pengoheshin të gjitha ngrindjet apo edhe ndonjë rrahje sporadike. Bilanci flet për 860 të plagosur dhe të lënduar ndër ta 200 policë. Policia arrestoi duke i mbajtur për një kohë të shkrurtër në arrest 9.000 tifozë që kishin bërë shkelje të ndryshme, apo shqetësonin rendin publik.

Në një eveniment me përmasa të tilla nuk kishte si të mungonin lajmet për goditje të mundshme terroriste, dhe edhe pse sipas gjykimit të ekspertëve këto paralajmërime nuk ishin për t'u marrë shumë seriozisht, punonjësit e njësive përkatëse kanë hetuar 100% të gjitha të dhënat.

MPB, Wolfgang Schäuble, mendon se ligjet që aplikohen për sigurinë në Gjermani janë të drejta, sikurse e vërtetoi edhe kampionati botëror. Deklaratat e tij kanë të bëjnë ndër të tjera edhe me diskutimin e sotëm parlamentar për zgjatjen e kohës së veprimit për ligjet anti-terror. Këto ligje u lejojnë autoriteve që në rast dyshimesh të përdorin për hetime edhe të dhënat personale të të dyshuarve. Kështu p.sh. Shërbimi informativ Gjerman me këto ligje ka të drejtë të mbledhë të dhëna edhe për fluturimet e pasagjerëve, si dhe të dhëna të tjera personale.

  • Data 11.07.2006
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar07
  • Data 11.07.2006
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar07