1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Albin Kurti publikon një marrëveshje “sekrete” Thaçi-NATO

Bekim Shehu''
26 Shkurt 2020

Me letërkëmbimin e Thaçit me Rasmussenin në vitin 2013, Albin Kurti ngre edhe çështjen e shkarkimit të presidentit Hashim Thaçi, nëse konstatohet se ai ka bërë shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

https://p.dw.com/p/3YTMa
Kosovo l Albin Kurti wird neuer Ministerpräsident
Fotografi: picture-alliance/AP/V. Kryeziu

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e publikoi një letër ku pretendon se Hashim Thaci tash President i Kosovës, në vitin 2013 në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, ka bërë marrëveshje sekrete me NATO-on, që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk do të hyjë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Letrën kryeministri Kurti ia dërgoi kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ku mes tjerash Kurti ngre edhe çështjen e shkarkimit të Presidentit, nëse siç thotë "konstatohet se ai ka bërë shkelje kushtetuese”.

Shkëmbimi i letrave ndërmjet kryeministrit të atëhershëm dhe presidentit aktual, Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen është bërë me 19 prill të vitit 2013.

"Përmes kësaj marrëveshjeje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”, thuhet në letrën e Kurtit që ia dërgon Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.

"Qëllimi i kësaj shkrese është që t'ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit”.

Kryeministri Kurti, në shkresën dërguar Vjosa Osmanit, shkruan se i ka kërkuar stafit të Zyrës së tij që të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i presidentit].

Neni 91 i Kushtetutës së Kosovës, e parasheh edhe çështjen e shkarkimit të presidentit.

 "Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thuhet në Kushtetutë.

Vjosa Osmani
Vjosa OsmaniFotografi: Reuters/F. Goga

"Për t'iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm, dua të jem sa më i qartë: Unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj. Unë, si kryeministër, e kuptoj dhe e vlerësoj thellësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj. Dhe unë, si kryeministër, i garantoj Kuvendit, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”, thuhet në shkresën e kryeministrit Albin Kurti.

Kjo shkresë merret vesh se i është dërguar presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeprokurorit të shtetit të Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi. Tash për tash akoma nuk ka ndonjë reagim nga zyra e Presidentit Thaçi, i cili po qëndron në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti njoftoi që në SHBA ka pasur një darkë pune me të dërguarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mat Palmer, dhe me përfaqësues tjerë amerikanë.

"Në një darkë pune me të dërguarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mat Palmer, me shefin e Atlantic Council, Damon Wilson, me përfaqësues nga Senati, Kongresi dhe nga institucionet qeveritare në Uashington biseduam për mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje finale me Serbinë, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara”, shkroi Thaçi në profilin e vet social.

Si një proces sfidues të Kosovës e sheh arritjen e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë, edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, në qeverinë Kurti, Avdullah Hoti që vjen nga LDK.

"Para nesh kemi një proces sfidues të arritjes së Marrëveshjes së Paqes me Serbinë, që si konkluzion ka njohjen reciproke, siç edhe shprehet Sekretari Pompeo në letrën e fundit për Qeverinë e Kosovës. Ballafaqimi me këtë proces është domosdoshmëri e jona, por edhe kërkesë e miqve tanë që na kanë përkrahur për 30 vite rresht, nga kërcënimet e Kërshëndellave e deri tek bombardimet e NATO-s e shpallja e pavarësisë. Kjo marrëveshje arrihet vetëm përmes një procesi dinamik dialogues të udhëhequr nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, shkruan Avdullah Hoti.

Ai thotë se "pengesat e vetëshkaktuara që na përjashtojnë nga ky proces nuk na ndihmojnë, përkundrazi. Jemi në limit të kohës që të bëhemi pjesë e mbrojtjes dhe avancimit të sovranitetit të vendi tone”, thotë zëvendëskryeministri Avdullah Hoti.