Al Kaida pranon se ka rrëmbyer ambasadorin egjiptian në Irak | Bota | DW | 06.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Al Kaida pranon se ka rrëmbyer ambasadorin egjiptian në Irak

Sulme ka patur edhe mbi ambasadorët e Pakistanit dhe Bahreinit

Forca irakiane të sigurisë ruajnë ambasadën egjiptiane

Forca irakiane të sigurisë ruajnë ambasadën egjiptiane

Grupi terrorist El Kaida në Irak nuk do t'u japë fund sulmeve kundër forcave ushtarake irakiane. Ushtarët irakianë konsiderohen po aq armiq sa dhe amerikanët thuhet në një mesazh të rregjistruar që është bërë publik sot në një faqe islamike interneti. Zëri duket të jetë i kryetarit të organizatës, Abu Musab Al Sarkavi. Grupi i terroristëve jordanezë ka pranuar ndërkohë se ka rrëmbyer ambasadorin egjiptian. Në Bagdad janë sulmuar edhe përfaqësues të tjerë të lartë diplomatikë.
"Ne, organizata El Kaida në Irak, njoftojmë se ambasadori egjiptian është rrëmbyer nga muxhahedinët tan dhe gjenden në kontrollin tonë." Kështu thuhet tre ditë pas rrëmbimit në Bagdad të diplomatit më të lartë egjiptian në një deklaratë që u bë publike të martën në mbrëmje në një faqe islamike interneti. Nënshkruesi i deklaratës është një njeri që shpesh paraqitet si zëdhënësi i El Kaidës në Irak. Militantët e organizatës udhëhiqen nga jordanezi Abu Mosab el Sarkavi. Ai është përgjegjës për vrasjen e shumë pengjeve. Deklarata që merr përsipër autorësinë e rrëmbimit u bë në fund të një dite gjatë së cilës patën vazhduar sulmet kundër diplomatëve të lartë në Bagdad. Fillimisht u sulmua i dërguari më i lartë i Mbretërisë së Bahreinit. Sipas të dhënave të ministrisë së brendshme irakiane burra të armatosur kanë hapur zjarr mbi veturën e diplomatit nga një furgon. Sipas dëshmitarëve okularë ata ishin përpjekur të rrëmbenin diplomatin e lartë, por ambasadori i Bahreinit ia doli mbanë të shpëtonte me një plumb në shpatull. Të martën pasdite u sulmua vetura e ambasadorit pakistanez. Edhe ky arriti të shpëtonte madje pa plagë.
Pas një analize të situatës së sigurisë qeveria në Islamabad ka vendosur të zhvendosë në Aman të Jordanisë të dërguarin e saj në Irak. Por pikërisht këtë kanë dashur të arrijnë atentatorët me këtë seri sulmesh kundër trupit diplomatik të së ashtuquajturës botë islame. Gjatë një konference në Bruksel të organizuar për qeverinë tranzitore irakiane nga ShBA dhe BE, ministri i jashtëm irakian Hoshiar Sebari, pati kërkuar që shtetet e rajonit të normalizojnë marrëdhëniet me Irakun pra të rivendosnin marrëdhënie të plota diplomatike me Bagdatin.
Pas pushtimit të Kuvajtit nga trupat e Sadam Huseinit në gusht të 1990 pjesa më e madhe e shteteve, edhe ato të pjesës islamike të globit patën tërhequr ambassadorët e tyre. Ridërgimi i ambasadorëve nga vendet islamike ende nuk është i plotë dhe atentatet kundër diplomatëve të lartë mund ta ngadalësojnë edhe më tej procesin e normalizimit.
Por terrori në Irak nuk ka goditur vetëm personalitete të larta dhe institucionet e tyre. Militantët kanë vrarë gjashtë punonjës të aeroportit që ndodheshin rrugës për në punë. Ndër viktimat ishin katër gra dhe ka të ngjarë të bëhet fjalë për një akt hakmarrjeje. Forcat irakiane të sigurisë kishin ndihmuar më parë ushtarët amerikanë të arrestonin rreth 100 të dyshuar në një aksion në afërsi të aeroportit të Bagdatit. Ndërkohë qeveria irakiane ka lajmëruar ndërmarrjen e një ofensive të re kundër kryengritësve. Operacioni pritet të përforcojë aksionet e deritanishme ka deklaruar kryeministri Ibrahim Xhafari. Por deri tani asnjë prej aksioneve të panumërta ushatarake në Irak nuk ka sjellë suksese të rëndësishme ndërkohë që atentatet në vende janë shtuar shumë më tepër.

  • Data 06.07.2005
  • Autor Björn Blaschke
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArOm
  • Data 06.07.2005
  • Autor Björn Blaschke
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArOm
Reklamë