1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuza të ndërsjella të fuqive kryesore politike në Shqipëri

Ani Ruci, Tiranë20 Korrik 2005

Procesi i shqyrtimit të ankesave dhe qëndrimi i ndërkombëtarëve ndaj institucionit të pavarur të KQZ, fillon të interpretohet në Tiranë sipas ngjyrave politike

https://p.dw.com/p/Aqjj
Përkrahës në mitingjet zgjedhore
Përkrahës në mitingjet zgjedhoreFotografi: AP

Komisioni qendror i zgjedhjeve në Tiranë deri më sot ka hedhur poshtë 13 ankesa për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut, në zonat elektorale, të subjekteve politike të interesuara. Që të 13-ta këto ankesa, që vinë nga Partia socialiste dhe ajo demokratike janë quajtur pa prova faktike, që do të vërtetonin vjedhjen e votave dhe manipulimin e procesit zgjedhor. Kritikat e ditëve të fundit të vëzhguesve afatgjatë të OSBE dhe ODHIR-it ndaj këtij komisioni për gjykim të shpejtuar të ankesave, edhe janë pranuar edhe janë hedhur poshtë njëherazi nga KQZ. Këto kritika janë përligjur nga KQZ me numrin e madh të ankesave, gjithsej 107, si edhe me kohën e pakët për të përfunduar ato deri në 23 korrik. Erton Sinani, zëdhënës i KQZ-së shprehet, se rekomandimet e OSBE dhe ODHIR nga ana e KQZ do të merren parasysh. Ky komision është shumë i përqëndruar në gjykimin tranparent dhe ligjor të të gjitha kërkesave për pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe do të reflektojë drejt në lidhje me sugjerimet e ekspertëve ndërkombëtarë për zgjedhjet, vëren Sinani. Deklarimi i zotit Sinani ka gjetur aplikim të menjëhershëm. Ai u shpreh për Deutsche Welle, se ankesa e Ministrit të Jashtëm, Kastriot Islami, i cili ka humbur në zonën e vet, ndaj rivalit demokratik, do të shqyrtohet në bazë të provave të reja, që sjellin palët.
Ndërkohë procesi i shqyrtimit të ankesave dhe qëndrimi i ndërkombëtarëve ndaj institucionit të pavarur të KQZ, ka marrë ngjyra politike. Zëdhënsësi i PS- për procesin zgjedhor, Bledi Klosi, i quan vendimet e deritanishme të njëanshme. Këto vendime duket, se nuk i kanë shpëtuar ndikimeve dhe presioneve politike, po cënojnë ecurinë e procesit zgjedhor. Ato po vënë në dyshim integritetin e procesit zgjedhor, vëren Klosi.
Kurse Ferdinand Pone nga PD-ja pohon të kundërtën. Sipas tij pas vendimeve të KQZ-së qëndron Partia socialiste. Ai i quan këto probleme të PS-së, dhe se është ajo që mund të ketë ushtruar presion ndaj anëtarëve të saj të afërt, në KQZ, shprehet Pone.
Përfundimi i procesit të shqyrtimit të ankesave nga ana e KQZ-së, për të ndryshuar rezultatin apo për të përsëritur zgjedhjet në rreth 30 zona, shihet si një moment i rëndësishëm nga dy forcat kryesore politike, PD, PS. Socialistët shpresojnë të rrisin numrin e deputetëve të tyre në parlament, në sistemin mazhoritar. Ndërsa demokratët të ruajnë atë që shpallur deri më sot, 55 deputetë në votim të drejtpërdrejtë.