Akses në bankën e të dhënave të pasagjerëve të avionëve për më shumë shërbime sekrete në SHBA | Evropa | DW | 07.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Akses në bankën e të dhënave të pasagjerëve të avionëve për më shumë shërbime sekrete në SHBA

BE dhe SHBA bien dakort për një marrëveshje të re

SHBA kërkojnë më shumë akses në të dhënat mbi pasagjerët e avionëve

SHBA kërkojnë më shumë akses në të dhënat mbi pasagjerët e avionëve

Në një konferencë me video përfaqësues të BE-së në Luksemburg dhe negociatorë të SHBA nga Uashingtoni, kanë rënë dakort se çfarë të dhënash do t'u përcillen SHBA dhe cilat autoritete do të kenë akses në bankën e të dhënave të pasagjerëve të avionëve. Gjykata e Lartë Europiane majin e kaluar e kishte shpallur në kundërshtim me ligjin përcjelljen e të dhënave të pasagjerëve të shoqërive ajrore. Argumentimi i Gjykatës megjithatë nuk kishte të bënte me shqetësime për mbrojtjen e të dhënave por me gabime formale juridike. Pas kësaj BE dhe SHBA filluan negociatat të cilat rezultuan të vështira pasi pala amerikane kërkonte më shumë nga sa ishin gati europianët të pranonin.

Emri, adresa, numri i kartës së kreditit, kodi i bagazhit dhe 30 të dhëna të tjera kërkojnë shoqëritë e aviacionit civil që prej vitit 2004 nga çdo pasagjer që fluturon mbi Atlantik nga Evropa në SHBA. Pa përcjelljen e këtyre të dhënave ato nuk marrin leje për t'u ulur në aeroportet e SHBA. Autoritetet amerikane synojnë me këto masa kapjen e të dyshuarve për terrorizëm në fluksin e pasagjerëve. Marrëveshja mes BE-së dhe SHBA nuk ndryshon asgjë në këtë procedurë. Për pasagjerin çdo gjë do të mbetet si më parë shprehet Franko Fratini, Komisari i BE-së për Drejtësinë dhe Rendin:"Marrëveshja e vjetër e vitit 2004 nuk do të ndryshohet por do të plotësohet me parimin e disponibilitetit të të dhënave dhe aplikimit të standarteve të njëjta për ruajtjen e tyre."

Por marrëveshja shton mundësitë e autoriteteve amerikane të sigurisë për të patur akses në rrugë elektronike në bankën e të dhënave. Deri tani si rregull vetëm autoritetet doganore dhe ato të emigracionit kanë patur akses në të dhënat e pasagjerëve. Tani edhe policia federale FBI dhe disa shërbime sekrete amerikane mund t'i përdorin ato, por me kusht, thekson Komisari i BE-së për Drejtësinë Franko Fratini:"Ne e pranojmë përcjelljen e të dhënave autoriteteve të tjera me kusht që ato të përdorin të njëjtat standarte si ne në ruajtjen e tyre."

Se si do të formulohen saktësisht standartet për mbrojtjen e të dhënave mbetet për t'u sqaruar mes dy palëve. Marrëveshja e arritur në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes do të vlejë vetëm për një periudhë kalimtare. Fratini bëri të ditur se deri në mes të vitit të ardhshëm BE dhe SHBA synojnë të përfundojnë negociatat për një marrëveshje të gjerë e cila do të jetë më pas e vlefshme në të ardhmen.

Gjykata e Lartë Europiane e kishte shpallur të pavlefshme marrëveshjen e vjetër të hartuar pas atentateve terroriste në Nju Jork. Afati për përmirësimin e saj mbaroi në fund të shtatorit por europianët kanë vazhduar megjithatë përcjelljen e të dhënave për të mos rrezikuar qarkullimin ajror. Kjo zonë juridike gri është kapërcyer tani nga përfaqësuesit e BE-së dhe negociatorët amerikanë. Parlamenti Europian kishte ngritur padi kundër marrëveshjes së vjetër pasi shihte të rrezikuar mbrojtjen e të dhënave. Pas negociatave të fundit akoma më shumë autoritete amerikane do të kenë akses në bankën e të dhënave të pasagjerëve të avionëve. Objektivi fillestar i padisë së Parlamentit Europian, mbrojtja e të dhënave të personave privatë, jo vetëm nuk është përmbushur por i është kthyer atij kundër.

  • Data 07.10.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArA1
  • Data 07.10.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArA1