Airbus shkurton 10.000 vende pune - Politika në Berlin e kënaqur | Evropa | DW | 01.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Airbus shkurton 10.000 vende pune - Politika në Berlin e kënaqur

Të punësuarit në Gjermani dhe në Francë do të mbajnë barrën kryesore të planit të kursimeve të emërtuar si "Power8" në koncernin e ndërtimit të avionëve Airbus.

default

Shefi i prodhuesit të avionëve Louis Gallois, deklaroi të mërkurën më 28 shkurt shkurtimin e 10.000 vendeve dhe shkëputjen prej gjashtë fabrikave në katër vendet partnere ku prodhon Airbus-i.

Vetëm në Gjermani do të shiten dy fabrika dhe do të krijohet një joint venture, si rrjedhojë do të shkurtohen 3.700 vende pune. Edhe më fuqishëm do të ndjehen shkurtimet e planifikuara në Francë me 4.300 vende. Në Gjermani dhe në Francë nisën grevat e para me ndërprerjen e punës. Megjithatë politikanët në Berlin u shprehën të kënaqur me planin e kursimeve.

Gjermania do të trajtohet mirë në valën e reformës financiare të Airbus-it, për këtë ka mendim unik në Berlinin politik, ndonëse shprehet keqardhje për shkurtimet në personel. Kancelarja Angela Merkel tha, se plani i kursimit "Power8" sjell vështirësi për punonjësit e prekur. Të njëjtin mendim ka edhe ministri i ekonomisë Mihael Glos, por ky thekson, se ka besim në premtimin që shkurtimet do të bëhen sa më konform normave sociale.

Në përgjithësi është arritur që nga ana e politikës të garantohet ekuilibri mes shanseve dhe rreziqeve midis Gjermanisë dhe Francës, vuri në dukje ministri Glos: "Unë mendoj, se është e drejtë, që ne në mënyrë të përshtatshme kemi mbrojtur interesat gjermane dhe mendoj, se edhe ndarja e barrës është e balancuar, të paktën mbi bazën e informacioneve që kam unë. Ka pasur dyshim, sikur pala gjermane është anashkaluar, por kjo nuk ka ndodhur."

Glos tha, se në reformën që duhej bërë me kohë tek Airbus-i synohet ruajtja e një "projekti madhor evropian" në mënyrë që të mund të ruhet i njëjti nivel në konkurencën me konstruktorin amerikan të avionëve, Boing. Kryetari i fraksionit parlamentar të partisë kristiandemokrate Mihael Meister, kolegu i tij i partisë liberale Rainer Bryderle dhe eksperti i socialdemokratëve për ekonominë Rainer Vend reaguan disi të lehtësuar ndaj planit të kursimeve tek Airbus-i. Nëse bëhet fjalë për plane të shitjes së fabrikave të Airbus-it, ky nuk presupozon lajmin më të keq për punëtorët, tha Meister. Ai theksoi shpresën, se ka investitorë seriozë, me kapital të fuqishëm dhe që kanë strategji të tyret.

Në të kundërt kritikë vjen prej shefit të fraksionit parlamentar të partisë së majtë, Oskar Lafonten. Sipas tij janë vetëm punëtorët ata që do t´i paguajnë rëndë gabimet në menaxhim tek Airbus-i që po rezultojnë tani me shitjen e fabrikave, uljen e pagave dhe me humbjen e vendeve të punës. Ndaj partia e tij mbështet protetstën e kolektivave punonjëse të koncenrit dhe sindikatave të tyre.

  • Data 01.03.2007
  • Autor Sabine Kinkartz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8i
  • Data 01.03.2007
  • Autor Sabine Kinkartz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8i