Aide dëshiron një raport pozitiv për Kosovën | FOKUS | DW | 06.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Aide dëshiron një raport pozitiv për Kosovën

Ambasadori Kai Aide, kërkon nga udhëheqësit në Kosovë veprime konkrete në proçesin e decentralizimit dhe bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës.

Vështirë të kuptosh

Vështirë të kuptosh

Emisari i posaçëm për vlerësimin gjithpërfshirës të standardeve, Kai Aide, dëshiron që në raportin e tij për Kosovën të ketë vlerësime pozitive dhe kjo, sipas tij, mund të arrihet vetëm nëse pozita dhe opozita në Kosovë punojnë në linjën e zhvillimeve pozitive. Këto komente, Kai Aide, i bëri gjatë takimeve me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e liderët e subjekteve politike në vend. Kai Aide thotë se: "Nuk është vetëm cështje e qeverisë por edhe e opozitës, që të provojnë të punojnë së bashku, sa më shumë që është e mundur në linjën që edhe unë jamë duke e ndjekur. Dëshiroj që të shoh sa më shumë përfaqësues, jo vetëm të Prishtinës por edhe të rajoneve të tjera të vendit, që të përfshihen në proçesin e standardeve." Ai tha se, dëshiron që raportin e tij ta shkruaj sa më pozitiv që të jetë e mundur, por për të arritur atje kërkohet angazhim i të gjithëve. Kai Aide ka kërkuar nga udhëheqësit e këtushëm veprime konkrete në procesin e decentralizimit duke e cilësuar këtë proces një pikë shumë të vecantë në raportin e tij. Ministri i pushtetit lokal, Lutfi Haziri, thotë sa ai do të ndhmojë zotin Aide në punën e tij, ndërsa, nuk tha nëse Ministria që ai drejton është vonuar apo jo në proçesin e decentralizimit. Megjithë ngecjet në disa procese në Kosovë, njëri nga udhëheqësit e opozitës, kryetari i PDK-së, Hashim Thaqi, shpreson që raporti i zotit Aide, do të jetë pozitiv dhe në këtë mënyrë do t'i hap rrugën bisedimeve për statusin e Kosovës. Udhëheqësi i subjektit politik Ora poashtu në opozitë, Veton Surroi, ndërkaq, thotë se në Kosovë nevojitet një koncensus politik dhe vetëm në këtë mënyrë proceset në vend do të ishin më të lehta. Emisari i posaqëm për vlerësimin gjithpërfshirës të standardeve, Kai Aide, do të qëndrojë kësaj radhe vetëm tri ditë në Kosovë. Kjo është vizita tij e fundit para së të shkruaj raportin përfundimtar për Kosovën. Nëse vlerësimet do të jenë pozitive për proceset në vend, atëherë bisedimet për statusin mund të fillojnë pas një muaji. Për këtë janë të bindur udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Kai Aida u takua me përfaqësuesit e komunitetit serb të grupuar në subjektin politik "Lista Serbe për Kosovë e Metohi". Ky subjekt politik sheh si zgjidhje të problemit për serbët e Kosovës zbatimin e modelit të desentralizimit sipas kërkesave që ata kanë paraqitur në lidhje me këtë proces. Takimi midis Kai Aide dhe përfaqësuesve të komunitetit serb u zhvillua në pjesën veriore të Mitrovicës. Temat qëndrore të bisedimeve kanë qenë decentralizimi dhe mundësia e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në institucionet e këtushme. Emisari Kai Aide, nuk u prononcua për media pas takimit, por, një deklaratë të shkurtër dha për mediat njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Rangjell Nojkiq.
"Ne kemi njoftuar zotin Aide edhe në lidhje me vështirësitë me të cilat po përballemi gjatë aktiviteteve tona, para së gjithash kur janë në pyetje institucionet e Kosovës", tha Rangjell Nojkiq. Ai tha se incidentet e fundit në Kosovë, përkatësisht vrasja e dy serbëve, kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme të sigurisë dhe kërkoi që si zgjidhje e problemeve për serbët e Kosovës, të zbatohet sa më shpejt decentralizimi i pushtetit duke respektuar kërkesat e serbëve të Kosovës. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ndërkaq, ditë më parë kanë paraqitur variantin e tyre për reformimin e pushtetit vendor, duke kërkuar që në dy pilot njësitë e parapara që të bëhën komuna, Gracanica dhe Parteshi, të ketë zgjerim të zonave kadastrale dhe në këto komuna të dominojnë si shumicë serbët e Kosovës e jo shqiptarët. Kjo kërkesë e serbëve akoma është duke u shqyrtuar nga qeveria dhe UNMIK-u, ndërsa përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, akoma nuk janë përfshirë në procesin e decentralizimit. Ambasadori Kai Aide, ju ka bërë thirrje serbëve që të përfshihen në këtë proces, por edhe të inkuadrohet në të gjitha institucionet e Kosovës. Emisari Kai Aide, me takimin e sotëm me përfaqësuesit e serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës, përfundoi
takimet e tij në Kosovë me udhëheqësit e këtushëm. Ai nesër do të qëndrojë në
Beograd dhe me pas do të largohet nga rajoni për të nisur punën rreth hartimit të raportit përfundimtar për zhvillimet në Kosovë.

  • Data 06.09.2005
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqir
  • Data 06.09.2005
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqir