1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ai e bëri të dielën ditë pushimi

Stephanos Georgakopoulos4 Qershor 2007

Ekspozita e Trier-it për perandorin Konstantin

https://p.dw.com/p/AqwT
Kjo kokë tri metra e lartë e perandorit Konstantin erdhi në Trier nga një muze i Romës.
Kjo kokë tri metra e lartë e perandorit Konstantin erdhi në Trier nga një muze i Romës.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Me interesim të madh u prit nga vizitorët të shtunën në qytetin antik të Trier-it hapja e ekspozitës më të madhe deri tani për perandorin romak, Konstantinin e Madh. (Ai jetoi në vitet 275-337 pas erës sonë). Rreth 1.500 eksponate nga 160 muze të rëndësishëm ndërkombëtarë në 20 vende si Louvre, Muzeu i Vatikanit dhe British Museum si dhe zbulime të reja nga Trier-i antik të paraqitura për të parën herë paraqesin një pamje madhështore të antikës së vonët. Një kohë kur gërshetimi i traditave antike me përfytyrimet e reja të krishtera krijoi një kohë lulëzimi intelektual dhe artistik. Një vizitë në ekspozitën e ndarë në tre muze në qytetin buzë lumit Mosel:

Ai e zhvendosi kryeqytetin e perandorisë nga Roma në Kostandinopojën e sapothemeluar buzë Bosforit. Me ediktin e tij të tolerancës ai 'ligjëroi' krishtërimin në perandorinë perëndimore. Ai futi të dielën si ditë pushimi dhe me shumë gjasa edhe festën e krishtlindjeve si festë të krishterë. Nëpërmjet krishtëzimit të shtëpisë perandorake ai krijoi monarkinë e krishterë me hirin e Perëndisë si formë shtetërore e historisë evropiane: Konstantini i Madh.

Por për ç'arsye vendosi perandori romak për qytetin buzë lumit Mosel, Trier-in, si residencën e tij të parë perandorale më 306 pas erës sonë? Lidhur me këtë njëri nga dy drejtuesit shkencorë të ekspozitës, Prof. Dr. Alexander Demandt:

Trier-i ka qenë qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm në veri të alpeve në perandorinë romake. Ndaj nuk është rastësi që gjatë tërheqjes së vet nga Britania Konstantini iu drejtua Trier-it. Këtu në Trier ekzistonte një pallat, depo të mëdha drithi për ushtrinë dhe një port i begat. Është evidente, kur do të vësh në zotërim një vend, atëherë shkon në qytetin më të madh për të vënë prej andej nën kontroll të gjithë komunikacionin. Prandaj Trier-i kishte për pjesën perëndimore të perandorisë romake po aq vlerë sa edhe Roma për krejt perandorinë.'

Ekspozita është ndarë në tre muze të qytetit me tema qendrore të ndryshme: Në muzeun e e landit të Renanisë bëhet fjalë për Konstantinin si 'sundimtar në perandorinë romake': portrete mermeri, skulptura dhe stoli lejojnë një shikim të plotë mbi sundimtarin, politikanin dhe njeriun Konstantin. 'Perandori i të krishterëve' thuhet në katedralen ipeshkvnore dhe muzeun e dioqezës: Asnjë perandor romak nuk ka lënë gjurmë më të thella në kishën e krishterë sesa Konstantini. Ai u lejoi të krishterëve ushtrimin e lirë të fesë dhe ai ndërtoi ndërtesa monumentale të kishës. Në këtë mënyrë Konstantini përfaqëson kalimin nga antikiteti pagan në mesjetën e krishterë. Në muzeun e qytetit, fondacioni Simeon, është temë qendrore 'Tradita dhe Miti': Konstantini shërbeu si shembull i fuqisë botërore për Karlin e Madh dhe për sundimtarë të tjerë deri në shekullin XX.

Ekspozita për perandorin Konstantin është një prej projekteve kryesore të kryeqytetit kulturor të Evropës në vitin 2007, Luksemburgut dhe rajonit përreth tij. Në fjalën e tij gjatë hapjes së ekspozitës kryeministri i Luksemburgut Jean Claude Juncker e vlerësoi Konstantinin si 'evropian'. Historianët pajtohen se perandori i parë i krishterë vendosi gurthemelin e Evropës së sotme. Se cilin këtë e tregon Alexander Demandt:

'Ai e bëri të krishterë shtëpinë qeverisëse, nxiti kishën e krishterë, mbështeti bashkësitë e krishtera, luftoi paganizmin dhe u përpoq të përndiqte heretikët. Pa Konstantinin gjithçka do të kishte ndodhur më ngadalë.'

Në kohën e diskutimeve të vazhdueshme mbi kushtetutën evropiane evropianët sa vjen e po kujtohen më shumë për identitetin e tyre të përbashkët kulturor. Vëzhguesi i vëmendshëm dallon që kontributi kulturor i perandorisë bizantine për kulturën e Evropës është lënë shpesh jashtë vëmendjes. Për shumë arsye në Evropën Perëndimore besohet se historia e Evropës zuri fill me kurorëzimin e Karlit të Madh. Por drejtuesit e ekspozitës për Konstantinin në Trier kanë tjetër mendim. Për këtë arsye objektiv i kësaj ekspozite unike që të rrënjosin në ndërgjegjen e publikut Konstantinin. Alexander Demandt:

'Duke rënë në duart e turqve Bizanti doli disi jashtë loje. Në mesjetën e hershme dhe të vonët Bizanti ishte kryesues në rrafshin kulturor. Deri nga shekulli i XII. Por pastaj vjen kryqëzata e katërt, në 1204 Kostandinopoja pushtohet nga frankët. Që atëherë Bizanti sa vjen e largohet nga ndërgjegja e Evropës Perëndimore. Pas rënies së Kostandinopojës më 1453 dijetarët e fundit bizantinë sollën shumë letërsi të lashtë greke në Itali. Në këtë mënyrë u bë rigjallërua në Evropë Greqia klasike dhe kontriboi veçanërisht gjatë kohës së Renësansës. Shumë evropianoperëndimorë rizbuluan gjuhën greke. Krejt mesjeta nuk e njohu greqishten. Kështu trashëgimia e përbashkët kulturore u rikthye në pjesë të identitetit individual dhe të së kaluarës individuale.'