1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ahtisari: Nuk e di se cili do të jetë statusi përfundimtar i Kosovës

24 Nëntor 2005

Kryenegociatori ndërkombëtar në bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari përfundoi dje takimet e tij në Prishtinë. Më pas ai udhëtoi drejt Beogradit

https://p.dw.com/p/AqhY
Prishtina
PrishtinaFotografi: AP

Ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, deklaroi në Prishtinë, se aktualisht ai nuk e di se cili do të jetë statusi përfundimtar i Kosovës, sikundër nuk e di, se sa do të zgjasë procesi i bisedimeve. Në një konferencë për media ai tha, se ka filluar udhëtimet e tij në Prishtinë më pas në Beograd, Podgorice, Tiranë e Shkup, për të dëgjuar qëndrimet e të gjitha palëve lidhur me statusin e Kosovës, mirëpo, tha se edhe pse bisedimet kanë filluar procesi i standardeve në Kosovë nuk duhet ndalur. Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar ju ka qasur çështjes së statusit të Kosovës krahas procesit të standardeve.

Ahtisari: Unë jam i mendimit se kohëzgjatja varet nga palët në bisedime se sa ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë pra nuk ka afat kohor por unë i kam siguruar se do të ecim përpara sa më shpejtë që të jetë e mundur. Nuk varet nga unë se sa do të zgjasë ky proces, në këtë linjë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, ka një rol të vecantë dhe përfundimisht varet nga KS-it, që të vendosë se cili do të jetë statusi pëfundimtar i Kosovës. Më tej ai theksoi, se në Prishtinë, ka kërkuar material nga palët në bisedime se si ata e shohin zgjidhjen e statusit çfarë vizioni kanë për të ardhmen. Materialet nga të gjitha palët do të shikohen më hollësi dhe në këtë mënyrë do të vazhdohet me procesin. Ndihmësi i zotit Ahtisari, Albert Rohan ndërkaq, tha se, mbrojtja e pakicave do të jetë një pikë shumë e rëndësishme në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Mbrojtja e pakicave do të jetë një prej çështjeve kyçe, pra do të jetë pjesa më e rëndësishme që do të ndikojë në përcaktimin e statusit, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për serbët e Kosovës, por edhe për pakicat tjera, tha Albert Rohan. Ndihmësi ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Marti Ahtisari, duke ju përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve për mundësinë e ndarjes së Kosovës, përsëriti qëndrimin e Grupit të Kontaktit, se nuk do të ketë ndryshim të kufijve aktual të Kosovës

Ju mund t'i referoheni parimeve të Grupit të Kontaktit dhe aty thuhet qartë së nuk do të shqyrtohet mundësia e ndarjes së Kosovës, tha Marti Ahtisari. Kryenegociatori ndërkombëtar, i cili po kryeson bisedimet për statusin e Kosovës, tha se dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë, ndërsa, tani për tani, nuk ishte në gjendje të njoftojë, se kur do të zhvillohet takimi i parë në mes palës serbe dhe shqiptare. Ai tha se sapo të përfundojë vizitat në rajon, do të udhëtojë për në qendrat e vendosjes në Evropë dhe një udhëtim do ta ketë edhe në Moskë. Në këtë mënyrë në fazën e parë bisedimet për statusin e Kosovës do të zhvillohen në formë të "shutlediplomacy" apo diplomacisë ecejake për të dëgjuar qëndrimet e të gjitha palëve të përfshira në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.