Agjencia e Energjisë kërkon ndryshimin e politikës energjetike evropiane | Evropa | DW | 05.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Agjencia e Energjisë kërkon ndryshimin e politikës energjetike evropiane

Grindja e fundit midis Rusisë dhe Ukrainës për çmimin e gazit u zgjidh në fakt paqësisht, por ajo ndezi kudo në Evropë një diskutim të zjarrtë mbi çështjen strategjike të furnizimit me energji. Edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë në Paris kërkon të thotë fjalën e vet në këtë diskutim.

default

Tronditja është e madhe. Kur Rusia e mbylli ventilin e gazit, në thuajse të gjitha vendet evropiane ra trysnia e gazit. Kjo nuk ishte e papritur për Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë në Paris. Në fushën energjetike Evropa është tepër e varur nga fare pak shtete, para së gjithash nga Rusia dhe Lindja e Afërme, thotë kryemakroekonomisti i agjencisë, Fatih Birol. Dhe do të bëhet më keq.

"Në këtë kohë rreth 40 për qind e energjisë për Evropën vjen nga Rusia dhe Lindja e Afërme. Në dy dhjetëvjeçarët e ardhshëm ky nivel do të dyfishohet. Sipas përllogaritjeve tona në 20, 30 vjet varësia nga importet do të rritet në 80 për qind dhe këtë ne e vlerësojmë si mjaft të rrezikshme."

E rrezikshme sepse rezervat e naftës dhe gazit botëror janë të përqendruara në vetëm pak vende dhe shpesh këto nuk shtrihen në rajone të qëndrueshme politikisht. Përveç Rusisë këto janë para së gjithash Arabia Saudite, Irani dhe Iraku, thotë Fatih Birol, e kjo mund të ketë pasoja.

"Ne shohim rreziqe gjeopolitike si dhe rrezikun që energjia mund të përdoret si armë politike."

Për këtë arsye Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë shtron tri kërkesa konkrete:

"Së pari: Vende si Gjermania duhet të përmirësojnë efikasitetin e tyre sa i takon energjisë. Kursimi i energjisë ka rëndësi të madhe tek ne. Së dyti duhen parë me shumë vëmendje bartësit e energjisë së ripërtëritshme dhe nëse është e mundur duhet të mbështeten me masa financiare dhe ligjore. Dhe së treti duhet parë me shumë kujdes edhe energjia bërthamore. Nëse është e mundur atëherë duhet nxjerrë maksimumi prej saj."

Kursimi i energjisë, energjitë e ripërtëritshme, subvencionimi më i madh se deri tani i energjisë së erës dhe të masës biologjike si dhe shfrytëzimi i energjisë bërthamore si burim shtesë: këtë përzierje energjie u këshillon agjencia evropianëve. Për Gjermaninë e tronditur nga kriza e gazit rus kryemakroekonomisti Birol sheh edhe një mundësi të re. Gjermania si pararojë në fushën e energjive të ripërtëritshme mund t'i rriste dukshëm eksportet e këtyre teknikave, për shembull në rastin e energjisë nga era.

"Një burim shumë i rëndësishëm eksporti për Gjermaninë është turbina e erës. Dhe kjo është eksportuar shumë. Ekziston një treg i madh në Kinë, në Indi dhe në vende të ndryshme në kufirin e industrializimit, në të cilat Gjermania mund të eksportojë turbina ere."

Agjencia për Energjinë në Paris kërkon gjithashtu një bashkëpunim dhe bashkërendim më të mirë të evropianëve në politikën e tyre energjetike. Këtë shpallën si synim të mërkurën në Bruksel edhe ministrat evropianë të energjetikës, megjithatë Fatih Birol mbetet skeptik. Sipas tij, tani fjalët duhet të ndiqen nga vepra.

  • Data 05.01.2006
  • Autor Angela Ulrich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCQ
  • Data 05.01.2006
  • Autor Angela Ulrich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCQ