1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afrim në grindjen tregtare BE-SHBA

26 Gusht 2019

Presidenti amerikan Donald Trump dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel kanë bërë deklarata me tone pajtuese për mosmarrëveshjen e tregtisë transatlantike. Kjo u bë e qartë në një takim në kuadër të samitit të G7.

https://p.dw.com/p/3OVVi
G7 Gipfel in Biarritz Merkel und Trump
Fotografi: REUTERS

Ai shpreson se nuk do t'i duhet të mendojë për dogana ndëshkuese për automjetet gjermane, tha Presidenti amerikan Donald Trump, në kuadër të samitit të G7-ës të vendeve kryesore të industrializuara në Biarritz. Veç kësaj ai shpreson se mund të lidhë një "marrëveshje të mirë dhe të drejtë" me Bashkimin Evropian, megjithëse BE është po aq i "ashpër" sa Kina në këtë drejtim. Më tej ai tha se kishte disktuar temën e tregtisë me kancelaren gjermane. Kancelarja Merkel theksoi se Evropa dëshiron sa më shpejt të jetë e mundur një marrëveshje tregtare me SHBA dhe është e interesuar për bisedime më të thella.

Departamenti i Tregtisë i SHBA i ka dorëzuar në shkurt Trumpit një raport verifikues për kërcënimin e sigurisë kombëtare përmes importeve të automjeteve. Ai do të vendosë më e vonta në vjeshtë për dogana ndëshkuese për automjetet e importuara evropiane. Masat e kërcënuara do të preknin veçanërisht ndërtues gjermanë të automjeteve si Volkswagen-i, BMW dhe Daimler. Po të vendosen në fund doganat ndëshkuese, sipas Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, ekonominë gjermane e presin shpenzime shtesë vjetore prej gjashtë miliardë eurosh.

Trump dëshiron të vijë në Gjermani

Në takimin me kancelaren, Trump gjithashtu njoftoi se dëshiron ta vizitojë Gjermaninë në një të ardhme të afërt. "Do të jemi atje shumë shpejt", tha Presidenti. "Unë e kam Gjermaninë në gjak", tha Trump, paraardhësit e të cilit emigruan nga landi i Pfalcit (Pfalz) në Shtetet e Bashkuara. Merkeli theksoi në takim se ajo "e kishte ftuar shumë herë Presidentin".

Një kohë për vizitën Trumpi nuk përmendi. Që nga marrja e postit në janar 2017, Presidenti amerikan ka qenë vetëm një herë në Gjermani - në samitin e G20-ës, dy vjet më parë në Hamburg. Një vizitë dypalëshe deri tani nuk ka pasur.

G7 Treffen Biarritz Trump und Merkel
Fotografi: Reuters/C. Hartmann

Kjo është vlerësuar si një shprehje e marrëdhënieve të tensionuara midis Uashingtonit dhe Berlinit, që nga marrja e detyrës nga Trumpi. Zëvendësja e zëdhënësit të qeverisë gjermane Ulrike Demmer tha në Berlin se SHBA janë një nga partneret më të afërta të Gjermanisë - "dhe sigurisht që Qeveria Federale do ta përshëndeste shumë një vizitë të presidentit amerikan".

Në ditën e fundit të samitit të G7-ës në Biarritz, Francë, në program fillimisht qenë këshillime midis krerëve të shteteve e qeverive të shtatë vendet kryesore të industrializuara perëndimore, për klimën e mbrojtjen e specieve dhe ruajtjen e oqeaneve. Veç kësaj, do të diskutohen vatra krize si Siria. Në plan qenë edhe takime me homolgë nga Afrika e Jugut, India, Australia dhe Kili, të cilët ishin të ftuar.

Dokumente pozicionesh në vend të një deklarate përfundimtare

Një deklaratë e përbashkët përfundimtare e të gjithë pjesëmarrësve nuk është planifikuar, për herë të parë në historinë 44-vjeçare të takimeve të G7-ës. Në vend të kësaj do të hartohen vetëm dokumente pozicionesh për tema të veçanta. Me këtë mënyrë veprimi, Presidenti francez dëshiron të shmangë një skandal, si në samitin e G7-ës në Kanada vitin e kaluar, kur Trumpi e braktisi pas përfundimit marrëveshjen e samitit.

Për këtë qëllim, tani është caktuar një dalje e përbashkët përmbyllëse e Presidentit Francez Emmanuel Macron dhe homologut të tij amerikan para gazetarëve. Kjo del nga një program i presidentit amerikan, që publikoi Shtëpia e Bardhë në Uashington. Zakonisht, në samitet e G7-ës mban një konferencë për shtyp mikpritësi. Pas kësaj, e zakonshme është që të dalin para shtypit krerët e tjerë të shteteve dhe qeveritë e vendeve më të mëdha të industrializuara. Trumpi është mikpritës i samitit të G7-ës në SHBA vitin e ardhshëm. Përveç SHBA dhe Francës, në grupin G7 bëjnë pjesë Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Japonia, Kanadaja dhe Italia.