Afrika një nga temat kryesore të G8-ës | Politika | DW | 02.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Afrika një nga temat kryesore të G8-ës

Një vështrim në axhendën e presidencës gjermane të G8-ës

Bernd Pfaffenbach përgatit samitin në Heiligendamm

Bernd Pfaffenbach përgatit samitin në Heiligendamm

Duke filluar që nga 1 janari, Gjermania do të marrë në dorë jo vetëm kryesinë e radhës së BE-së por edhe të tetë vendeve më të industrializuara ose G8-ës. Këtu hyjnë SHBA-të, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Japonia Kanadaja dhe Rusia. Pika kulminante e G8-ës është samiit ekonomik, i cili këtë vit do të zhvillohet në Heiligendamm në brigjet gjermane të detit Baltik, më datat 6 deri 8 qershor. Por qysh më parë do të ketë një sërë takimesh në sferën e financës, punës, të drejtësisë, të brendshme, mjedisit dhe zhvillimit, që do të përgatisin samitin dhe do të piketojnë temat kryesore të axhendës së tij.

Bernd Pfaffenbach do të ketë shumë punë në muajt e ardhshëm. 60-vjeçari është sekretar shteti në ministrinë e ekonomisë dhe i ngarkuari personal i kancelares Angela Merkel për samitin e ekonomisë botërore. Misioni i tij në zhargonin e G8-ës quhet "Sherpa", fjalë që përdoret për të emëruar ndihmësit e alpinistëve në Himalaja. Deri sa të arrihet tek samiti, pra maja e takimeve, do të duhet të pastrohen shumë gurë gjatë rrugës. Vetëm kështu do të mund të arrihen vendime efektive në Heiligendamm. Detyra e Pfaffenbach për këtë do të udhëtojë në shumë vende të botës për të sqaruar temat kryesore të axhendës. "Kemi vendosur dy nënkapituj të mëdhenj. Rritje dhe përgjegjësi në ekonominë botërore. Do të bisedohet edhe për pabarazitë në ekominë botërore, të cilat në fakt gjithmonë janë pjesë përbërëse e axhendës. Pyetja shtrohet, se ç'duhet bërë në rajonet e mëdha eknomike të botës, në mënyrë që rritja ekonomike të jetë më e balancuar."

Kështu për shembull, një nga temat që do të preket është kërkesa për më shumë transparencë ndaj të ashtuquajturave Hedge-Fonds. Këto janë instrumente spekuluese të tregjeve financiare që tashmë kanë nën kontroll 1,3 billionë dollarë amerikanë, duke përbërë një potencial të rrezikshëm për ekonominë botërore.

Vend do të zënë edhe tema të tilla si liria e investimeve ose mbrojtja e të drejtës autoriale. Një vëmendje të veçantë samiti do t'i kushtojë mbrojtjes së klimës: "Kjo do të zërë një vend relativisht të madh. Mjafton të shohësh nga dritarja dhe e sheh çdo ditë se si po ndryshon klima," - thotë Pfaffenbach. "Anëtarët e G8-ës ende nuk kanë rënë dakord në këtë çështje. Kjo mund të shihet edhe në faktin, që jo të gjithë këto vende e kanë ratifikuar protokollin e Kyotos." Presidenca gjermane ka ndër mend të trajtojë edhe mundësitë e ndikimit pozitiv të konsumit të energjisë ndaj mbrojtjes së klimës. "Tema e eficiencës energjetike ka një rëndësi shumë të madhe për ne."

Tema e dytë komplekse në Heiligendamm do të jetë ajo e politikës ndaj Afrikës. Qysh në samitin e fundit të presidencës gjermane në vitin 1999 në Këln u morr një nismë për faljen e borxheve, e cila u vu në jetë në samitin e 2005-ës në Gleneagles të Skocisë. Samiti i qershorit në Heiligendamm synon diçka tjetër: Jo të dhurojë para por të kërkojë partneritet me vendet afrikane. Bernd Pfaffenbach: "Ne duam t'i nxisim krerët e qeverive të G8-ës që t'u ofrojnë partneritete shteteve të Afrikës, me qëllim përmirësimin e strukturave të qeverisjes në këto vende, në funksion të paqes dhe sigurisë dhe mundësisht pa korrupsion e zhvillime të tjera negative. Procesi i ashtuquajtur NEPAD (shqip: Partneritet i ri për Zhvillimin e Afrikës) është një fillim i mirë në këtë drejtim. Ne duam ta forcojmë atë dhe mendoj se ky është parakushti më i mirë për të nxitur rritje ekonomike dhe investime në Afrikë."

Dhe në mënyrë që të mos flitet vetëm për Afrikën, por edhe me të, në Heiligendamm do të jenë të pranishëm edhe disa përfaqësues nga këto vende. Në plan është edhe një konferencë e madhe në prag të samitit, ku do të marrin pjesë edhe vende të ashtuquajtura në tranzicion, si India, Kina, Brazili, Meksika dhe Afrika e Jugut. Këto pesë shtete faktikisht janë mysafirë të përhershëm të samitit të G8-ës. Prandaj edhe shpesh flitet për zgjerimin e grupit nga 8 në 13 anëtarë. Një temë që nuk bën pjesë në axhendën e presidencës gjermane: "Ne duam t'u ofrojmë këtyre pesë vendeve të ashtuquajtura "në pasurim" një bashkëpunim më intensiv, por pa lidhje fikse," - sqaron Pfaffenbach. "Për këtë nuk ka ardhur ende momenti i përshtatshëm. Sigurisht që zhvillimi ekonomik i Kinës është jashtëzakonisht impresionues dhe vetëm po të nisemi nga ekonomia e saj nuk do të ishte keq të mendonim për ta anëtarësuar edhe Kinën në G8. Por pastaj lind pyetja se ku qendron kufiri? Kinezët as që po e kërkojnë një gjë të tillë. Prandaj edhe qendrimi ynë i deritanishëm është forcimi i bashkëpunimit me to".

"Sherpa" ose ndihmësi i Bundeskancelares shpreson që nga presidenca gjermane e G8-ës do të dalin disa mesazhe pozitive: si në adresë të vendeve në tranzicion, të cilave do t'u ofrohet një dialog konstruktiv për shumë çështje, si ajo e piraterisë së markave dhe standardeve sociale, ashtu edhe në adresë të vendeve afrikane: për më shumë besim në të ardhme.

  • Data 02.01.2007
  • Autor Henrik Böhme
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqnZ
  • Data 02.01.2007
  • Autor Henrik Böhme
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqnZ