Afganistani në prag të zgjedhjeve presidenciale | Bota | DW | 17.09.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Afganistani në prag të zgjedhjeve presidenciale

Më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale në Afganistan, përgatitjet po vazhdojnë. Sipas Komisionit të pavarur Zgjedhor, deri tani është dorëzuar i gjithë dokumentacioni zgjedhor.

Më shumë se 72.000 forca të sigurisë janë vendosur për të ruajtur qendrat e zgjedhjeve dhe vendvotimet në të gjithë vendin. Misioni mbështetës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan UNAMA i bëri thirrje Komisionit Zgjedhor, kandidatëve dhe të gjithë aktorëve të tjerë që të forcojnë përpjekjet e tyre për zgjedhje të suksesshme presidenciale. Secili duhet të bëjë punën e tij për të garantuar që të gjithë afganët, duke përfshirë edhe gratë, të marrin pjesë në zgjedhje, thuhet në një deklaratë. 

Sekretari i Përgjithshëm i UNAMA-s, Tadamichi Yamamoto u bëri thirrje talibanëve të ndalojnë kërcënimet e tyre kundër zgjedhjeve dhe kundër votuesve afganë.

"Sulmet kundër qendrave të votimit dhe civilëve, që duan të marrin pjesë në zgjedhje, janë të papranueshme. Ato janë një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare. Unë u bëj thirrje talibanëve të tërheqin kërcënimet e tyre dhe i bëj thirrje qeverisë afgane të marrë masa të përshtatshme sigurie për zhvillimin e zgjedhjeve".

Në fundjavë, qeveria afgane bëri të ditur se të gjitha përpjekjet për t'u përfshirë në një dialog brendaafgan me talibanët do të shtyhen deri pas zgjedhjeve. Pas kësaj, qeveria e re e zgjedhur nga populli do t'i japë përparësinë më të madhe procesit të paqes, u tha.

Edhe ambasadorja afganase në OKB, Adela Raz, ritheksoi rëndësinë e zgjedhjeve për të ardhmen demokratike të Afganistanit dhe stabilitetin politik të viteve të ardhshme: "Megjithë rreziqet dhe sfidat për sigurinë, populli afgan është i vendosur të votojë. Votimi për të gjitha pjesët e shoqërisë sonë është një shprehje e vendosmërisë sonë për të vazhduar rrugën tonë drejt stabilitetit, demokracisë dhe përparimit".

Ajo shtoi se Afganistani dëshiron të ecë përpara dhe të mos kthehet pas. Raz kërkoi të respektohet aspirata e popullit afgan dhe të mos vihet në dyshim që në krye besueshmëria e zgjedhjeve.

Në zgjedhjet parlamentare vitin e kaluar kishte shumë parregullsi. Shumë vendvotime nuk u hapën fare, për shkak të shqetësimeve për sigurinë ose për shkak të mos paraqitjes së punonjësve të zyrave të votimit dhe mungonte dokumentacion i rëndësishëm zgjedhor. Prandaj në kryeqytetin Kabul, të gjitha votat u shpallën të pavlefshme.