1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afati për islamistin nuk respektohet

1 Gusht 2018

Deri të martën në darkë islamisti Sami A. duhet të ishte kthyer në Gjermani. Zyrën e të Huajve të Bohumit e pret gjoba e gjykatës, meqenëse u dëbua nga Gjermania Sami A., i rrezikuar me tortura në Tunizi.

https://p.dw.com/p/32P6Y
Deutschland, Gelsenkirchen: Verwaltungsgericht von Außen
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kusch

Është e qartë: afati nuk u respektua. Në mesnatë kaloi afati i vendosur nga Gjykata Administrative e Gelsenkirchenit që i dëshmuari si islamist Sami A. të rikthehet në Gjermani. Autoritetet tuniziane e bënë të ditur këtë që të martën. Pasaporta e tij vazhdon të jetë e konfiskuar nga autoritetet tuniziane dhe po verifikohet, tha në Tunis zëdhënësi i Autoritetit Anti-Terror të Tunizisë, Sofiane Sliti në një prononcim për agjencinë gjermane të lajmeve DPA. Veç kësaj Tunizia po i vazhdon hetimet kundër tij.

Gjykata Administrative e Gelsenkirchenit pati kërkuar që deri në mesnatën e së martës, Zyra e të Huajve në Bochum të nisë kthimin në Gjermani të Sami A., person i kategorizuar si rrezikues në Gjermani. Në rast moskthimi, deklaroi Gjykata, Zyra e të Huajve duhet të paguajë një gjobë prej 10.000 eurosh.

Tani fillimisht do të pritet nëse avokatja e Sami A. do të kërkojë gjatë së mërkurës që të paguhet kjo gjobë. Megjithatë pritet që ndaj një kërkese të tillë të paraqesë ankesë Ministria e Refugjatëve e Landit të Rinit Verior-Vestfalisë.

Zyra e të Huajve të Bohumit tashmë ka paraqitur dy ankesa kundër vendimeve të Gjykatës Administrative të Gelsenkirchenit para Gjykatës së Lartë të Landit - kundër ndalimit të dëbimit dhe kundër zbatimit të vendimit, që Sami A. të rikthehet në Gjermani.

Deutschland Flughafen Düsseldorf
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Vennenbernd

Sami A. nuk i pranon akuzat

Sami A. të premten autoritetet tuniziane fillimisht e patën lënë të lirë. Në 13 korrik atë e kthyen nga Gjermania në atdhe, megjithëse Gjykata e Gelsenkirchenit kishte vendosur mbrëmjen e një dite më parë që kjo nuk është e lejueshme, për shkak të rrezikut të torturave në Tunizi. Por vendimi i gjykatës iu përcoll Zyrës së të Huajve vetëm pasi avioni i posaçëm me islamistin në bord qe nisur drejt Tunizisë.

Që prej vitit 2005, disa gjykata gjermane e gjetën të dëshmuar që Sami A. ishte stërvitur ushtarakisht në vitet 1999/2000 në një kamp islamistësh në Afganistan dhe bënte pjesë më vonë në gardën personale të shefit të Al-Kaidas të vrarë në vitin 2011, Osama bin Laden. Ai vetë i kundërshton këto akuza.

Avokati i tij, Seif Eddine Maklouf beson se hetimet kundër mandantit të tij në Tunizi do të mbyllen shpejt. Sami A. ka një "status të mirë juridik", thotë ai.