Acarohet konflikti mes Sirisë dhe bashkësisë ndërkombëtare | Bota | DW | 11.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Acarohet konflikti mes Sirisë dhe bashkësisë ndërkombëtare

Presidenti sirian Bashar Al-Asad theksoi gjatë një fjalimi që mbajti në Universitetin e Damaskut, se vendi i tij do të kooperojë me hetuesit e OKB-së, por pa cënuar interesat kombëtare. Pak pas fjalimit të tij, presidenti francez Zhak Shirak i kërkoi Sirisë që të bashkëpunojë pa kushte me bashkësinë ndërkombëtare.

Gazetarët sirianë duke ndjekur fjalimin e Al-Asadit

Gazetarët sirianë duke ndjekur fjalimin e Al-Asadit

Edhe pse presioni i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Damaskut po shtohet çdo ditë, studentët dhe profesorët e mbledhur në sallën e Universitetit të Damaskut, patën përpara vetes një president të egërsuar, i cili hodhi poshtë pa asnjë mëdyshje dyshimet ndaj përfaqësuesve të lartë të qeverisë siriane, në vend që të ofronte kooperim pa kushte me bashkësinë ndërkombëtare.

Siria thotë se është e pafajshme

"E vetmja gjë pozitive që shoh në këtë raport është dëshmia për pafajësinë tonë, pra që nuk ka pasur një përzierje të palës siriane. Ne jemi shumë afër së vërtetës absolute, sipas së cilës Siria është e pafajshme."

Kjo ishte deklarata e Bashar Al-Asadit, ndërkohë që kryehetuesi i OKB-së në çështjen Hariri, prokurori gjerman Detlev Mehlis, shkruan në raportin e tij paraprak, se vrasja e ish-kryeministrit libanez Hariri, sipas gjasave nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë e punonjësve të lartë të shërbimeve sekrete të Sirisë dhe të Libanit.

I mbështetur në rezolutën e OKB-së, e cila kërkon prej Damaskut një kooperim pa kushte për zbardhjen e kësaj vrasjeje, prokurori Mehlis kërkoi që gjashtë punonjës të lartë të shërbimit sekret sirian të dërgoheshin në Bejrut, për t'u marrë në pyetje në hetuesi. Ndër personat e kërkuar bën pjesë edhe kunati i Asadit, Asef Shaukat.

Asad kërkon të ruhet siguria e Sirisë

Në vend që t'i përgjigjej kësaj kërkese Asadi u ndaloi personave në fjalë që të largohen prej vendit, por ftoi prokurorin Mehlis që të vinte në Damask, për të nënshkruar një marrëveshje kooperimi. Asadi thotë se Mehlis e kishte refuzuar këtë ftesë, ndërsa komisioni i posaçëm i OKB-së nuk ka reaguar deri tani për këtë çështje. Megjithatë presidenti sirian u shpreh se: "Ne jemi të gatshëm të kooperojmë, por në një kuadër të tillë, i cili do të çonte në sqarimin e krimit, edhe pse e dimë se ku të çon kjo. Megjithatë ne duhet të përmbushim detyrimin tonë. Nga ana tjetër ne nuk do të lejojmë asnjë lloj mekanizimi, i cili prek sigurinë dhe stabilitetin e Sirisë."

Këshilli i Sigurimit kërcënon Sirinë me sanksione

Përmes një rezolute të posaçme Këshilli i Sigurimit i ka dhënë kohë Damaskut deri në mes të dhjetorit që të bashkëpunojë për sqarimin e çështjes Hariri. Por pas fjalimit të Asadit nuk është çudi që bashkësia ndërkombëtare të nxjerrë një rezolutë tjetër kundër Sirisë. Po me sa duket hapa të tillë të bashkësisë ndërkombëtare nuk po e bindin Bashar al-Asadin të ndërrojë mendje.

"As Bashari nuk do ta përkulë kokën ndaj askujt në botë dhe as populli dhe vendi i tij. Ne përulemi vetëm përpara Allahut." - tha presidenti sirian i shoqëruar nga duartrokitjet.

  • Data 11.11.2005
  • Autor Birgit Kaspar
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNQ
  • Data 11.11.2005
  • Autor Birgit Kaspar
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNQ
Reklamë