Abhazia në këmbim të Kosovës? | Ballkani | DW | 09.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Abhazia në këmbim të Kosovës?

Mjetet diplomatike që ka në dorë Gjermania për ta bashkuar qendrimin e BE-së dhe Rusisë për statusin final të Kosovës - Dy ekspertë flasin për Dojçe Velen

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane Angela Merkel

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane Angela Merkel

"Nuk do të jetë më pak pavarësi" - kështu tha kancelarja Angela Merkel në një intervistë dhënë kanalit të dytë ZDF. Më tepër se kaq, kryetarja e radhës e BE-së nuk pranoi të prononcohej për statusin e ardhshëm të Kosovës, pa dëgjuar një herë propozimin e të ngarkuarit të OKB-së, ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari. Por ajo shtoi, se sapo ky të dalë me propozimin e tij, mbas zgjedhjeve në Serbi, atëherë Gjermania do të fillojë negociatat. Roli moderues i Gjermanisë është i dyfishtë: Si kryetare e radhës së Bashkimit Evropian ajo do të duhet të arrijë qendrim të njëjtë mes të gjithë anëtarëve. Si kryetare e radhës së G-8-ës, ajo ka mundësi të negociojë me Rusinë që kjo të mos e pengojë njohjen e propozimit të Ahtisaarit nga Këshilli i Sigurimit. Dy sfida të mëdha për Angela Merkel që kërkojnë shumë mençuri diplomatike.

Në intervistë me Deutsche Wellen japin opinionet e tyre për këtë çështje dy ekspertë të politikës së jashtme në Gjermani, deputeti liberal Rainer Stinner, dhe shkencëtari i Institutit Gjerman për Politikë të Jashtme (DGAP), Alexander Rahr.

Stinner: Kohët e fundit kemi dëgjuar për një ashpërsim të qendrimit rus në Grupin e Kontaktit. Por lind pyetja: Çfarë ka bërë Rusia për vitet e fundit për Serbinë dhe cila është rëndësia strategjike e Kosovës për Rusinë. Unë mendoj se, me anë të një politike të mençur dhe të qëllimshme në shërbim të interesave ruse mund të arrihet afrimi me pozicionin rus. Prandaj edhe mendohet, që qendrimet e shprehura deri tani nga Rusia, se ajo nuk do ta lejojë miratimin e propozimit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit, po qe se ky më parë nuk do të jetë miratuar edhe nga Serbia janë më tepër për të ngritur çmimin diku tjetër, pra të negociueshme. Nevojitet mençuri politike, ku këtë vit Gjermania luan një rol të rëndësishëm, që të ndikojë tek Rusia për të ndryshuar qendrimin e kësaj.

Eksperti për çështje ruse në Shoqatën Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP), Alexander Rahr, sqaron:

Rahr: "Argumenti krysor i Rusisë do të jetë që dhe serbët do të duhet të kenë të drejtën e votës në një vendim të tillë. Por më e rëndësishme për Rusinë është fakti, që Moska do t'i interpretojë problemet e rajoneve të tilla, si Abhazia, Osetia jugore dhe Transnistria, ngjashëm me rastin e Kosovës. Në këtë mënyrë Rusia do të ngulë këmbë që edhe në territoret postsovjetike të merren vendime që i drejtojnë ato nga pavarësia. Prandaj edhe Rusia do t'i kërkojë bashkësisë ndërkombëtare që të njohe pavarësi të tjera si zgjidhje të konflikteve separatiste, për shembull në Abhazi."

Abhazia dhe rajone të tjera precedente për Kosovën? Sa seriozisht e ka Rusia kur kërkon një gjë të tillë?

Stinner: "Në shikim të parë mund të jetë seriozisht. Por po të analizosh më thellë e shikon që nuk ka asnjë krahasim ndërmjet këtyre dy vendeve: Ata janë individualisht të ndryshëm, edhe në aspektin historik, dhe duhen trajtuar si të atillë. Nuk mund të ketë zgjidhje të njëjta për të gjitha problemet rajonale në këtë botë, prandaj edhe secili rast duhet parë si rast më vete."

Atëherë si mund të ndryshohet qendrimi i Rusisë në çeshtjen e Kosovës?

Stinner: "Së pari, mund të veprohet në iniciativën e Partneritetit Nato-Rusi, që është një partneritet strategjik. Këtu duhet të sqarohet se ajo që po bën Nato-ja aktualisht në Ballkan nuk është kundër interesave ruse. Sepse edhe qeveria ruse ka interes të ruajë sigurinë."

Por çfarë Rusia dhe perëndimi nënkuptojnë dy gjëra të ndryshme me sigurinë:

Rahr: "Sigurisht që Rusia është e interesuar që në rajon të ketë paqe, por ekspertët rusë kanë kohë që paralajmërojnë se pavarësia e Kosovës do të sjellë dikur edhe krijimin e një "Shqipërie të Madhe", e kjo sipas tyre do të thotë, një Turqi e dytë në Evropë e që do të sillte një konflikt të ri kulturash, më shumë kriminalitet në Ballkan e më shumë destabilizim të gjendjes. Ky është këndvështrimi rus, me të cilin perëndimi nuk është dakord, por edhe politika ruse nganjëherë duhet të marrë parasysh se ç'mendon dhe thotë elita e saj, prandaj edhe këtu duhet të veprojë diplomacia."

Stinner është mendon se fushat ku diplomacia, konkretisht ajo gjermane, në emër të Bashkimit Evropian dhe të G8-ës ka shumë fusha ku mund të veprojë:

Stinner: "Gjermania ka me Rusinë lidhje nga më të ndryshmet. Njëra nga këto lidhje, që në muajt e fundit ka dalë në plan të parë, është ajo energjetikës e ku kemi interesa të përbashkëta. Ne kemi interesain e sigurisë së furnizimit me energji ndërsa Rusia ka interes që të furnizojë dhe të fitojnë para. Këto sigurisht që janë interesa konkurruese por në këtë fushë ne duhet të hyjmë në një dialog të ngushtë me Rusinë. Gjermania është duke e bërë një gjë të tillë. Pra temat e dialogut gjermano-rus janë të shumta.

Rahr: Eshtë vërtetë shumë e vështirë të imagjinosh, se cili është çmimi që duhet paguar për të zbutur Rusinë në këtë rast. Argumenti i viteve 90 - të ka qenë vazhdimisht paraja: Rusia ka qenë e varur nga ndihmat financiare që i ka dhënë perëndimi. Kështu ishte edhe në rastin e luftës së Kosovës në 1999. Por ato kohëra kanë marrë fund. Si superfuqi energjetike Rusia tani ka filluar të tregojë muskuj dhe do të jetë dakord vetëm me një zgjidhje që kënaq dhe interesat e drejtpërdrejta të saj. E njëra prej tyre do të ishte Abhazia, sepse në një farë mënyre Rusia kërkon sukses të ri në dobi të saj në territoret postsovjetike."

A ekziston mundësia që bashkësia ndërkombëtare të pranojë pavarësinë e Abhazisë?

Rahr: "Hë për hë, jo, sepse bashkësia ndërkombëtare ka një mendim tjetër për konfliktet e ngrira në territoret postsovjetike dhe Bashkimi Evropian e Shba-të e ndjejnë veten momentalisht më të fuqishme ndaj Rusisë. Por kur të vijë puna deri tek votimi në Këshillin e Sigurimit, mendoj se do të ketë probleme. Nuk duhet harruar që perëndimi ka nevojë për Rusinë në Këshillin e Sigurimit, për një çështje tjetër shumë të rëndësishme dhe kjo është grindja atomike me Iranin, sepse nga kjo do të varet shumë më tepër paqja botërore sesa nga pavarësia e Kosovës. Ka mundësi që të ndodhë diçka, që sot është e vështirë të përfytyrohet, pra, që pozicionet e Rusisë dhe perëndimit me Abhazinë të afrohen."

Pavarësisht se si merret vendimi në Këshillin e Sigurimit një gjë është e qartë: Gjermania duhet të bashkojë edhe zërat e 27 vendeve anëtare të BE-së. Si do të mund të arrihet kjo?

Stinner: "Është një nga çështjet më të rëndësishme për mendimin tim: Politika gjermane duhet të ketë kujdes, që Bashkimi Evropian të mos përçahet në çështjen e Kosovës. Zgjidhja e Ahtisaarit, "sovranitet në mbikqyrje" apo "pavarësi e kushtëzuar" është një zgjidhje me të cilën mund të mbeten të kënaqur edhe ato shtete që kanë pakica etnike në vendet e tyre, e që kanë frikë se edhe këto mund të kërkojnë shkëputje. Pasi mbikqyrja do të bëhet nga Evropa. Aspekti i dytë shumë i rëndësishëm është që ne, si Bashkim Evropian, duhet ta zgjidhim këtë çështje në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka tashmë shumë vjet që unë dëgjoj në Uashington, e veçanërisht në Pentagon, kërkesën e qartë për ta pavarësuar Kosovën sa më shpejtë që të jetë e mundur si edhe për ta njohur atë plotësisht. Prandaj edhe duhet të kujdesemi që të mos ketë pozicione të kundërta ndërmjet Amerikës dhe Evropës. Marrim një shembull: Në qoftë se në Këshillin e Sigurimit nuk merret dot vendim për propozimin e Ahtisaarit, për shkak të vetos së Rusisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin ta njohin pavarësinë që do të vetëshpallnin kosovarët dhe këtë nuk do ta bënin vendet e tjera të BE-së, atëherë kjo do të ishte një katastrofë diplomatike për Bashkimin Evropian. Edhe për këtë çështje Gjermania ka një rol shumë të rëndësishëm."

  • Data 09.01.2007
  • Autor Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArZt
  • Data 09.01.2007
  • Autor Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArZt
Reklamë