1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A reagon si duhet bota ndaj Iranit?

Peter Filip11 Prill 2007

Presidenti i Iranit, Ahmadinexhad deklaroi të dielën se vendi i tij tani është në gjendje të pasurojë në mënyrë industriale uraniumin. Bota nuk beson në një përdorim paqësor të energjisë bërthamore nga ana e Iranit dhe e akuzon atë se po ndërton një bombë atomike.

https://p.dw.com/p/ArIv
Fundi i arsyes, centrifuga në centralin atomik iranian, 1,7 km në jug të Teheranit
Fundi i arsyes, centrifuga në centralin atomik iranian, 1,7 km në jug të TeheranitFotografi: AP

"C'të re tjetër mund të dëgjosh?" mund të reagoje në mënyrë spontane, kur presidenti i Iranit deklaroi në fundjavë se vendi i tij tani është në gjendje të pasurojë në mënyrë industriale uraniumin dhe bën pjesë në të ardhmen në klubin e fuqive atomike. Por: askush nuk reagoi në këtë mënyrë. Njëra palë pa një provokim të ri ndaj Perëndimit, filloi të spekullonte, se kur do të jetë gati bomba e parë iraniane dhe filloi të ambjentohej me idenë amerikane të mbrojtjes raketore kundër sulmeve eventuale iraniane. Të tjerët nga ana tjetër thanë me shpoti: Irani nuk është ende në gjendje për pasurimin industrial të uraniumit dhe Ahmadinexhadi vetëm sa konfirmoi talentin e tij për shfaqje teatrale.

Sado të ndryshme dhe kontradiktore që janë reagimet që vijnë- ato konfirmojnë edhe njëherë më tepër se bota nuk di si të veprojë me Iranin. Edhe ekspertë seriozë, në temën e Iranit bien shpejt në përgjithësime, flasin për "bombën persiane atomike" dhe përpiqen të masin se sa i është afruar Teherani këtij synimi.

Një qëndrim më i kthjellët dhe më i përmbajtur do të kishte qenë më me vend në këtë rast: synimi i bombës atomike iraniane ekziston deri tani në kokat e atyre, për të cilët regjimi i Teheranit dhe mishërimi prej tij i lidhjes së fesë islame me politikën kanë qenë gjithmonë të dyshimtë. Si mund të shpjegosh ndryshe që Irani vërtet që pohon herë pas here se bën kërkime atomike vetëm për qëllime paqësore, se ai prej kohësh ka nënshkruar marrëveshjen e bllokimit të armëve bërthamore, por se atë e akuzojnë për të gjitha paramendimet e këqia të mundshme? Dhe që asnjëherë nuk është ndërmarrë përpjekja më e vogël, për t'i sjellë në "rrugë të mbarë" shtetet e rajonit që nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen e bllokimit të armëve bërthamore, si Izraelin, Indinë dhe Pakistanin?

Situata jo e favorshme bëhet edhe më e qartë, po të shohësh se qarqe serioze as nuk e bëjnë fajtor Iranin pse po pasuron uranium, sepse kjo lejohet në bazë të Marrëveshjes së Bllokimit të Armëve Bërthamore. Në vend të kësaj, Iranin e akuzojnë se nuk respekton rezolutat e OKB-së.

Sidoqoftë është gjë e mirë që me të gjitha këto që ndodhin, tani dëgjon edhe zëra, që kërkojnë negociata me Teheranin. Por pa shpërblim këto negociata janë pa kuptim dhe nuk mund të besosh se me Teheranin do të bëjnë negociata ato qeveri që shtrëngojnë njëkohësisht vidën e sanksioneve. Vetëm nëse Perëndimi del para Iranit i hapur, me ndërshmëri dhe pa parakushte të pajustifikueshme, ka një shans për ctensionim të situatës. Natyrisht, Iranit do t'i përcillen edhe rezervat kundër armëve të mundshme bërthamore, por atij i duhet lejuar, ajo që u lejohet edhe të tjerëve, pa e vënë në diskutim.