1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gaza Waren

22 Qershor 2010

Izraeli ka zbutur bllokadën në Ripin e Gazës, por nuk do të lejojë, si edhe më parë, të kalojnë lëndë ndërtimi në zonën palestineze. Këtë e bëri të ditur, Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barack

https://p.dw.com/p/NziA
Por si paraqitet gjendja e artikujve ushqimorë dhe ilaçeve në Rripin e Gazës?
Si paraqitet gjendja e artikujve ushqimorë dhe ilaçeve në Rripin e Gazës?Fotografi: AP

Fëmijët luajnë në rrugën Zafad në Qytetin e Gazës. Në buzëmbrëmje temperaturat që gjatë ditës arrijnë 37-38 gradë ulen ngadalë. Në katin e parë të një pallati 15 katësh, Hamed Shurafa ka një dyqan me artikuj ushqimorë. Pas derës së xhamtë të frigoriferit, që si gjithmonë në këtë orë mbahet me rrymë nga gjeneratorët, sheh produkte qumështi, si djathë, kos, ushqime që edhe gjatë bllokadës lejoheshin në Gaza. Të gjitha produktet e tjera, si shampot, kremërat apo bebelinot silleshin përmes tunelit kufitar nga Egjipti.

Hamedi tregon me dorë nga frigoriferi, ndërkohë që pyetjes nëse tanimë kanë hyrë më shumë mallra nga Izraeli i përgjigjet kështu: " Deri më tani nuk kemi ndjerë asgjë. Mund t'u them nëse ka patur një lloj zhvendosjeje të ofertës së mallrave, që vijnë nga tuneli, apo përmes kufirit të rregullt. Unë si tregtar dhe pronar i një supermarketi, nuk kam ndjerë asnjë lloj ndryshimi."

NO FLASH Gaza Grenze
Kufiri me Rripin e GazësFotografi: AP

Pronari i supermarketit, si shumica e 1,5 milionë njerëzve në Rripin e Gazës, është i bindur, se kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu e ka zbutur bllokadën, vetëm nga presioni ndërkombëtar pas sulmit ndaj flotës humanitare për Gazën. Këto janë lojëra fjalësh të Izraelit, të cilave, Hamed Shurafa nuk iu beson.

Po çfarë ju mungon klientëve të tij si pasojë e bllokadës?

"Si pronarë supermarketesh ne nuk vëmë re se klientëve ju mungon gjë, sepse të gjitha mund t'i marrim nga tuneli. Gjërat më të rëndësishme që mungojnë, janë materialet e ndërtimit, pjesët e këmbimit, çimento, dhe çlik, të gjitha ato që qëndrojnë në listën e mallrave që ndalohen. Ne mund të ofrojmë gjithçka, po qe se ka kërkesë për një mall të caktuar."

Vetëm disa hapa të ndajnë nga supermarketi i Hamed Shurafës tek farmacia "Shifa", e cila drejtohet nga farmacisti i doktoruar, Badiha Zairk, njëri nga të krishterët e pakët në Gazë. Në farmaci shërben, njëri nga dy djemtë e tij, po ashtu farmacist dhe gruaja e tij e re.

Nuk ka rrymë, vetëm drita e ditës e ndriçon disi farmacinë. Edhe Zairk e shpjegon zbutjen e bllokadës katërvjeçare me presionin ndërkombëtar. Deri më tani ai nuk ka vënë re ndonjë lehtësim të madh. Më parë ai i porosiste ilaçet në telefon dhe e merrte porosinë një ditë më vonë. Po tani?

"Pjesa më e madhe e artikujve kozmetikë vijnë nga tuneli, edhe 50 përqind e ilaçeve në farmacitë e Gazës vijnë nga tuneli në Rafah."

Pjesën tjetër të 50 përqindshit ai dhe farmacistët e tjerë e porosisin tek furnitorët izraelitë.

Autor: Clemens Verenkotte/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama