1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A i nevojitet Berlinit edhe një përmendore përkujtimore për ribashkimin e Gjermanisë

Pandeli Pani9 Nëntor 2007

Gjermanët nuk kanë nevojë për më tepër monumente, por për më tepër njohuri historike.

https://p.dw.com/p/C9sH

Duke përkujtuar 18 vjetorin e rënies së murit të Berlinit dhe të ribashkimit të Gjermanisë, parlamenti gjerman miratoi me një shumicë votash edhe një projekt për ngritjen në Berlin të një përmendoreje përkujtimore për ribashkimin e vendit dhe rënien e murit të Berlinit. Pro këtij projekti votuan partitë në qeveri CDU/CSU dhe SPD si dhe partia liberale FDP. Partia e Majtë dhe ekologjistët votuan kundër këtij projekti.

Qëndrimet pro dhe kundër ngritjes së një monumenti të tillë për të përkujtuar ngjarjen historike të bashkimit të Gjermanisë dominojnë edhe faqet e shtypit të sotëm gjerman:

«Volksstimme» (Magdeburg) mendon se ndërtimi i një monumenti të tillë është harxhim i kotë:

Projektet për ngritjen e monumenteve përkujtimore ndeshin gjithmonë me vështirësi në Gjermani. Debatet për ndërtimin e një monumenti në kujtim të sinti dhe të romëve të vrarë gjatë periudhës naziste vazhdojnë të pjellin rishtaz mosmarrëveshje të reja.
Ku ta ndërtojmë monumentin përkujtimor për ribashkimin në Berlin apo Lajpcig? Angazhimi i ish-kryebashkiakut të Lajpcigut Tifenze, sot ministër i transporteve, për ngritjen e këtij monumenti në Berlin, nxjerr në pah jo vetëm se sa të pakta dhe për të ardhur turp i ka ai njohuritë për historinë, por tregon edhe se cili do të jetë vendimi që do të marrë bundestagu. Në këtë rast mund të kurseheshin vërtet para, sepse monumente për bashkimin e Gjermanisë ekzistojnë tashmë. Në Berlin kemi Portat e Brandenburgut, kurse në Lajpcig Kishën e Shën Nikollës (Nikolaikirche). Asnjë monument tjetër nuk do të ishte në gjendje t'ua kalonte atyre sa u përket vlerave emocionale dhe simbolike.

Një qëndrim të ngjashëm mban edhe «Stuttgarter Zeitung»:

Gjermanët nuk kanë nevojë për më tepër gurë, por për më tepër njohuri historike. Ka vite që është i njohur fakti alarmues se të rinjve gjermanë u mungojnë njohuritë historike. Sipas studimeve që sot vetëm një ndër dy gjermanë e lidh termin holokaust me shfarosjen masive të çifutëve. 53% e gjermanëve nuk e dinë se cili ishte Bismarku. Një ndër pesë gjermanë dëshiron rikthimin e murit të Berlinit. Kjo e fundit ka të bëjë shumë me mosnjohjen e historisë apo me zhgënjimet, por thuajse aspak me mungesën e një monumenti përkujtimor. Sentimentalizmat nuk i hyjnë në punë njeriu.

Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» është pro ngritjes së një monumenti përkujtimor për ribashkimin e Gjermanisë:

Fjala është për të pranuar dhe nderuar publikisht arritjen historike të ribashkimit të Gjermanisë. Prej kohësh popujt ngrenë monumente për të qenë të sigurt për historinë e tyre. Do të ishte jo historike dhe e jo e drejtë që nga njëra anë në kryeqytetin gjerman të ndeshesh në çdo hap me monumente përkujtimore për tmerret e regjimeve të dikurshme dhe të së kaluarës gjermane, dhe të mos ketë një monument në përkujtim të kapërcimit paqësor të këtyre tiranive.

Edhe «Mindener Tageblatt» mendon se ngritja e një monumenti të tillë nuk sjell ndonjë dëm, gjithësesi sipas artikullshkruesit më të rëndësishme se monumentet janë mësimet që nxjerrim nga historia:

Aktualisht në Berlin nuk mungojnë debatet për ngritjen e monumenteve përkujtimore. Ngritja e një monumenti në përkujtim të ribashkimit krahas monumenteve në përkujtim të ngjarjeve të tjera historike nuk sjell ndonjë dëm. Por vendimtare në fund të fundit nuk janë monumentet, por kujtimet e gjalla dhe dijet e sigurta për interpretimin e historisë. Detyra e vërtetë është pikërisht që të sigurojmë të tilla dije për brezat e ardhshëm.