A i ka mbështetur Shërbimi Informativ Gjerman amerikanët në luftën e Irakut? | FOKUS | DW | 13.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

A i ka mbështetur Shërbimi Informativ Gjerman amerikanët në luftën e Irakut?

Mediet gjermane bëjnë të ditur se dy agjentë të Shërbimit Informativ Gjerman, BND kanë mbështetur gjatë luftës së Irakut trupat amerikane- midis të tjerash duke u treguar atyre objekte për bombardimet. Kjo ka ngjallur debate në Gjermani

default

Politikanë drejtues të ish-qeverisë gjermane të përbërë nga Partia Socialdemokrate dhe Të Gjelbrit sipas të dhënave të tyre nuk dinë asgjë për një mbështetje të supozuar të Shërbimit Informativ Gjerman për SHBA në luftën e Irakut. Ministri socialdemokrat i punëve të jashtme, Frank Valter-Steinmeier konfirmoi vetëm praninë e bashkëpunëtorëve të Shërbimit të Fshehtë Gjerman në Irak pas shpërthimit të luftës. Steinmeieri ishte në zyrën kancelarore të qeverisë socialdemokrate- të gjelbër nën Gerhard Shrëderin në kohën e luftës së Irakut përgjegjës për vëzhgimin e shërbimeve të fshehta. Të enjten, ai e lëvdoi duke hedhur vështrimin pas kursin kundër luftës të koalicionit socialdemokrat-të Gjelbër dhe tha:

"Ky ishte vendimi politik bazë. Te ky vendim u orientuam ne. Te ky vendim janë orientuar edhe autoritetet e tjera në varësi. Atë që kishte për të thënë Shërbimi Informativ Gjerman nga pikëpamja operative, atë ai e tha dje."

Shërbimi Informativ Gjerman e ka hedhur poshtë lajmin për pjesëmarrje në përgatitjen e sulmeve amerikane. Agjentët e tij kishin mbledhur në Irak informacione vetëm për qeverinë e vet. Ministri i jashtëm Steinmeier tha se në atë kohë kanë qenë stacionuar në Kuvajtin fqinjë njësi të mbrojtjes antikimike të Bundesverit, rreziku për të cilin duhej të vlerësohej në mënyrë sa më të besueshme.

Ministri i atëhershëm i jashtëm gjerman, Joshka Fisher i të Gjelbërve, sipas fjalëve të tij nuk mund të kontribuojë me asgjë për sqarimin e kritikave:

"Kritikat, që thuhen në medie, për mua janë të njohura mirë, por përmbajtja nuk më thotë asgjë. Prandaj besoj se ka rëndësi që të ndërmerret sqarimi i materies. Sqarim i materies dhe pastaj kjo duhet të vlerësohet."

Fisheri, i cili është ende deputet i thjeshtë i Bundestagut, u tregua i hapur për angazhimin e një komisioni hetimor parlamentar. Për të një gjë e tillë nuk paraqet problem.

Përfaqësues të partive opozitare, FDP dhe Të Gjelbërve, kanë bërë tashmë të ditur se në bazë të raporteve të medieve do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor. Por për këtë do të jenë të nevojshëm edhe votat e deputetëve të Gjelbër, të cilëve mund t'u dilnin vështirësi, sepse në atë kohë kanë qenë vetë në qeveri. Shefi i Të Gjelbërve, Reinhard Büttikofer nuk pranoi të shprehej në mënyrë përfundimtare për komisionin hetimor, megjithatë ai është për një sqarim të plotë të kritikave:

"Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Shërbimi Informativ Gjerman ka vepruar në kundërshtim me dëshirën e shumicës së Bundestagut Gjerman dhe kundër dëshirës së shumicës së popullit gjerman. Atëherë duhet shtruar pyetja, se kush e ka përgjegjësinë politike për këtë, dhe prandaj kjo duhet të sqarohet pa asnjë ekuivok."

Përfaqësues të të gjitha partive në Bundestag deklaruan se duan të mësojnë të vërtetën. Shefi i liberalëve të FDP-së, Guido Vestervele tha se nëse konfirmohen informacionet, atëherë kursi kundër luftës i qeverisë së vjetër gjermane është demaskuar si gënjeshtra e madhe e koalicionit socialdemokrat- i gjelbër.

Partia e majtë kërcënoi madje me depozitimin e një aktpadijeje për shkelje të kushtetutës, sepse koalicioni kuq e gjelbër ka shkelur me një pjesëmarrje në luftë të drejtat e Bundestagut. Për javën e ardhshme u kërkua në parlament një orë pyetjesh për kritikat e shqiptuara.

  • Data 13.01.2006
  • Autor B.Grässler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqgc
  • Data 13.01.2006
  • Autor B.Grässler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqgc