A fitoi ″Revolucioni i tulipanëve″ në Kirgistan | Bota | DW | 26.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

A fitoi "Revolucioni i tulipanëve" në Kirgistan

Agjensitë ndërkombëtare të lajmeve njoftuan për fitoren e të ashtuquajturit "Revolucioni i tulipanëve" në Kirgistan. Por revolucioni nuk ka ngadhënjyer ende, ai sapo ka filluar. E njëjta gjë vlen edhe për "Revolucionin e trëndafilave" në Gjeorgji si dhe për "Revolucionin e portokalltë" në Ukrainë

Flamuri i Kirgistanit

Flamuri i Kirgistanit

Gjeorgjia, Ukraina, Kirgistani - çfarë kanë të përbashkët këto tre vende të ndryshme?. Nga ana gjeografike pothuajse shumë pak: Ukraina kufizohet me Bashkimin Evropian, Gjeorgjia shtrihet në vatrën e trazirave të Kaukazit, Kirgistani në Azinë e Mesme. Të tilla janë edhe dallimet në tradita dhe mentalitetet e këtyre tre popujve. Por me të gjitha dallimet: tipar karakteristik i të gjitha sistemeve qeveritare në këto vende ishte dhe mbetet konvertimi i pushtetit në monedha të ndritshme.

Presidenti i larguar nga Kirgistani, Askar Akajev është një akademik. Kur në vitin 1990 erdhi në pushtet ai përfaqësonte pikëpamjet liberale. Duhet pranuar se ai më të vërtetë donte të drejtonte Republikën drejt demokracisë. Megjithatë shumë shpejt ai u kthye në peng të miqëve dhe të njohurëve, shkurt klanit të tij. Afërsia me presidentin u bë burim kryesor i pasurimit në vend. Kështu filloi konvertimi i pushtetit në para. Princat rajonal ndoqën shembullin e metropolit. Në këtë mënyrë moto e regjimit u bë: pushteti është para.

Modeli "Pushteti është para" funksionon edhe sot në Rusi dhe shumë shtete tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Kjo funksionon shumë mirë nëse arrihet të përjashtohen mediat e lira, sistemi i drejtësisë të kthehet në një farsë dhe t`i mbyllet goja opozitës. Vetëm nën këto kushte elitat në pushtet mund të pasurohen në mënyrë të pakontrolluar dhe larg dorës së drejtësisë.

I kthehemi edhe njëherë revolucioneve: Si në Kirgistan ashtu dhe në Gjeorgji e Ukrainë njerëzit dolën në rrugë për të protestuar kundër falsifikimit të zgjedhjeve dhe kundër varfërisë. Megjithatë në të tre vendet kryengritja popullore ngriti sërish lart përfaqësues të nomeklaturës së dikurshme politike.

Me gjithë simpatinë për presidentin gjeorgjian Sakashvili dhe Jushçenkon e Ukrainës nuk duhet harruar se njëri ishte ministër i drejtësisë dhe tjetri kryeministër i paraardhësve të tyre të rrëzuar nga pushteti. Tani edhe në Kirgistan, president, kryeministër dhe kryetar i përkohshëm i parlamenrtit është shpallur një person, kryeministri i dikurshëm Kurmanbek Bakijev.

Të gjitha këta burrështetas të rinj janë njohës intim të mekanizmave të vjetër të pushtetit. Athua do të gjejnë ata vullnetin dhe forcën e duhur për të shkatërruar strukturat e vjetëra?. Kjo do të shihet me kalimin e kohës. Vetëm një demokraci e vërtetë mund të mbroj qeveritarët e rinj nga ringjallja e modelit "Pushteti është para".

Andaj revolucionet në Kirgistan, Gjeorgji dhe Ukrainë nuk kanë ngadhënjyer ende ato sapo kanë filluar.

  • Data 26.03.2005
  • Autor Alexander Warkentin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArQ2
  • Data 26.03.2005
  • Autor Alexander Warkentin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArQ2
Reklamë