1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do ta drejtojë edhe më tej Zapatero Spanjën?

Mark Koh7 Mars 2008

Të dielën në Spanjë mbahen zgjedhje parlamentare. Sipas sondazheve kryeministri aktual Jose Luis Rodriguez Zapatero ka avantazh ndaj sfiduesit të tij Mariano Rajoy. Por kandidatët e dinë se rezultati është ende i hapur.

https://p.dw.com/p/DKME
Zapatero dhe Rajoy
Zapatero dhe RajoyFotografi: AP

Ulje taksash, ngritje pensionesh, kandidatët kryesorë Hoze Luis Rodriguez Zapatero dhe Mariano Rajoy i kanë thënë të gjitha. Tani rradhën e kanë zgjedhësit të cilën kanë një alternativë të vërtetë. Ose të vendosin sërisht për kursin reformator të socialistëve në pushtet ose të ndjekin ofertën e opozitës konservatore dhe kryetarit të saj Mariano Rajoy:

"Nëse ke dyshime për të ardhmen tënde atëherë ndrysho. Në kthesën e fundit, në garën e fundit Partia Popullore do të fitojë."

Por sondazhet flasin me tjetër gjuhë. Sipas tyre, socialistët kanë një avantazh prej 4 për qind ndaj konservatorëve. Megjithatë kryeministri Zapatero, i cili triumfoi në dy debatet televizive e di se puna nuk ka mbaruar me kaq:

"Të fitosh debatet nuk do të thotë të fitosh edhe zgjedhjet. Debatet fitohet me argumente, zgjedhjet me argumente dhe vota."

Për këto të fundit në fushatën e shkurtër, por të ashpër u bë një luftë e hidhur. Partia Popullore nuk la asnjë rast pa shfrytëzuar për të sulmuar kryeministrin Zapatero dhe për t'a akuzuar si gënjeshtar:

Spanien Wahlplakate
Fotografi: AP

"Ju është dashur të gënjeni spanjollët për ato çfarë keni bërë. Ju është dashur të përçani opinionin publik për të shtypur protestat."

Ky është bilanci që i bën kryeministrit kryetari i opozitës Rajoy. Krahas negociatave të dështuara për paqe me organizatën terroriste bask,e ETA Partia Popullore shfrytëzon gjëndjen e dobët ekonomike të kohëve të fundit për të theksuar dështimin e politikave ekonomike të Zapateros.

"Kush nuk ia ka dalë mbanë të kujdeset për nevojat e spanjollëve në periudhat e rritjes ekonomike, nuk do të ketë sukses as në një fazë pasigurie dhe krize."

Qeveria spanjolle vërtet nuk mund të mohojë shifrat e dobëta nga ekonomia, por ajo mbrohet ndaj tezave të opozitës, të cilat i quan pesimiste dhe të prapambetura. Ato do t'a kthenin vendin shumë vite prapa, thotë Zapatero.

"Partia Popullore pëlqen të djeshmen. Kohët në të cilat njerëzve u duhej të ishin servilë, të mbanin kokën ulur dhe të thonin "Po" për gjithçka. Por kjo është e shkuara."

Zapatero sheh në rradhë të parë të rrezikuara reformat e tij në politikën sociale si p.sh. ligjin për barazinë dhe atë për divorcin por edhe liberalizimin e kërkimeve me qelizat embrionale. Në këto dy tema Kisha Katolike bën hapur fushatë për Partinë Popullore. Opozita ka arritur të fitojë pikë të paktën në sondazhe edhe me propozimet e saj tejet populiste për politikën e migracionit të cilën dëshëron t'a bëjë shumë më restriktive. Megjithëse alternativat janë të qarta, një rol të rëndësishëm në rezultatin e zgjedhjeve do të luajë pjesëmarrja në zgjedhje: tradicionalisht socialistët spanjollë kanë më shumë vështirësi se kundërshtarët e tyre të bëjnë të votojnë përkrahësit e tyre. Përballë fitores së para shpallur kjo do të jetë edhe më e komplikuar.