A do të ndodhin çrregullime të reja në Ballkan? | Studimi në Gjermani | DW | 29.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

A do të ndodhin çrregullime të reja në Ballkan?

Nga numri i sotëm i gazetës Neue Zürcher Zeitung

default

Artikulli fillon me përshkrimin e gjendjes aktuale në Kosovë, kur Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara morri vendimin për fillimin së shpejti të bisedimeve për statusin të Kosovës.

Gjendja në Kosovë nuk është shumë e kënaqshme, thotë në raport Kai Eide. Por situata pezull nuk mund të mbahet më, sepse pengon zhvillimin politik dhe ekonomik.

Kjo është e vërtetë, shkruan autori C.Sr, i cili nuk ka vënë nënshkrimin e plotë. Prapa vendimit fshihet frika se pakënaqësia në rritje e shqiptarëve mund të kthehet një ditë kundër Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Premtimet e integrimit në BE mund të bëjnë mrekullira


Pikëpamja se sqarimi i statusit politik është kusht për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, është përhapur pas trazirave të marsit të 2004, kur shqiptarët ekstremistë sulmuan pakicën serbe. Më parë sundonte pikëpamja, se para përcaktimit të statusit duhet të plotësohen standartet e parashtruara nga perëndimi. Edhe një herë tregohet në Ballkan, se dhuna ia vlen të përdoret. Sepse kur përdoret ajo, fillon ndryshimi i konceptimeve.

Perëndimi shpreson të arrijë shpejt rezultatet e bisedimeve. Se çfarë do arrihet me to, vazhdon të mos dihet, kusht është vetëm që zgjidhja nuk duhet të detyrohet nga jashtë. Premtimi i integrimit në BE, mund të shkaktojë edhe mrekullira. Pozicionet e palëve në konflikt janë të paafrueshme, shkruhet në artikull, i cili merret me shpjegimin më të hollësishëm të këtyre pozicioneve.

Zgjidhja, pavarësia me faza

Shumë gjasa tregojnë se zgjidhja do jetë më shumë një pavarësi e kufizuar dhe e vëzhguar nga komuniteti ndërkombëtar, e cila do zbatohet me faza. Pushteti që kanë në dorë faktet nuk lejojnë zgjidhje tjetër. Fajin që Serbia ta humbë Kosovën, e ka para së gjithash politika e shtypjes së regjimit të Millosheviçit, të viteve nëntëdhjetë. Por nuk është e sigurt edhe nëse qeveria e Kosovës, do jetë në gjendje të ndërpresë strukturat paralele të financuara nga Beogradi të zonave të banuara nga serbët, dhe të arrijë kështu de facto, ribashkimin e ndarjes ekzistuese. Edhe ekstremistët shqiptarë kanë bërë krime ndaj serbëve. Ata i kanë bërë të gjitha për t`i bërë faktet të kryera. Edhe ata nuk tuten para ushtrimit të dhunës. Gjendja e sigurisë në ekslavat e banuara nga serbët vazhdon të jetë e paqëndrueshme, të drejtat e serbëve nuk merren parasysh.

Nëse Kosova arrin të bëhet shtet sovran, atëherë kjo do të thoshte menjëherë se perëndimi do të hiqte dorë nga politika e deritanishme në Ballkan. Sepse kështu do ndryshoheshin kufijtë ekzistues. Gjatë shpërbërjes së shtetit shumëpopujsh jugosllav, u njohën si kufij shtetëror midis gjashtë republikave, linjat e mëparshme ndarëse administrative. Dhe asnjë nga këto republikat përbërëse nuk është shpërbërë deri tani. Por në Jugosllavinë e vjetër, Kosova,ndryshe nga Mali i Zi, nuk ka qenë Republikë përbërëse, pamvarësisht se sipas ndryshimeve kushtetuese të 1974, posedonte de facto një status të tillë.

Pa përgjigje mbetet pyetja, nëse shkëputja e Kosovës nga Serbia, do përbënte një rast precedent me rrezik për shpërbërjen e gjithë rajonit, siç thuhet në Beograd. Politikanët serbë kanë thënë, se nëse humbin Kosovën, do të kërkojnë menjëherë bashkimin e Serbisë me Republikën serbe të Bosnjës. Serbët e atjeshëm, mendon për shembull ministri i jashtëm Vuk Drashkovic, kanë të njëjtat të drejta si shqiptarët e Kosovës. Pra ende vazhdohet të mendohen këmbime territoresh, megjithëse Beogradi i ka njohur shtetet e krijuara nga rrënojat e Jugosllavisë së vjetër.

Serbia ndodhet para kohësh të vështira.

Bisedimet për statusin fillojnë në një kohë kur rrezikohet shkëputja e Malit të Zi. Unioni i shteteve, i detyruar tre vjet më parë nga BE, ka mbetur fiksion. Perëndimi donte të fitonte kohë, sepse tutej se shpërbërja e Serbisë-Malit të Zi, mund të rrezikonte rregullin e vendosur me shumë mundim pas luftrave dhe se ajo mund të vështirësonte zgjidhjen e problemit të Kosovës. Por tashti Mali i Zi kërkon të përdorë të drejtën e referendumit. Me sa duket procesi i krijimit të shteteve, i cili pati filluar me shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë, vazhdon.

Që prej krijimit të Mbretërisë së pavarur serbe, në shek. e 19-të, qëllimi i politikës në Beograd ka qënë të verë nën një kapak shtetin dhe kombin. Politika atje, e ka shtruar shumë herë pyetjen se me cilën mënyrë dhe në çfarë forme do të mund të bëhej bashkimi kombëtar. Ndërkohë që, që prej fillimit kanë ekzistuar vetëm dy mundësi. E para ka qenë krijimi i një shteti multinacional jugosllav (sllavojugor), nën sundimin e Beogradit. Ky shtet do përmblidhte të gjitha territoret ku jetojnë serbë, përveç Serbisë edhe Kroacinë dhe Bosnjën. Mundësia tjetër ka qenë krijimi i një shteti nacional serb.

Të dyja këto mundësi kanë dështuar. Ideja e Serbisë së Madhe është diskretituar komplet. Ajo dërgoi të gjithë rajonin në luftra shkatërrimtare. Dhe varrosi edhe Serbinë e Malin e Zi, të krijuar zyrtarisht para tre vitesh. Në rast të ndarjes së Malit të Zi dhe Kosovës, mbetet vetëm Serbia me provincën e përzier etnike të Vojvodinës, ku janë duke u rritur zërat për më tepër autonomi.

Serbia duhet të ndahet nga konceptet serbomadhe dhe jugosllave

Serbia nuk ka ku të shkojë, po nuk u nda përfundimisht nga të dy konceptet, edhe nga ai serbomadh, edhe nga ai jugosllav. Ky vend duhet të gjejë identitetin kombëtar në parime të reja. Kur të sqarohet se ku do kalojnë kufijtë e shtetit, atëherë në Serbi do të hapet rruga për zhvillime vërtet demokratike.

Në fund të shkrimit autori i kthehet Kosovës, dhe thotë se duke patur parasysh gjendjen e atjeshme, edhe pas fillimit të bisedimeve, perëndimi duhet të këmbëngulë për zbatimin e standarteve demokratike.


  • Data 29.10.2005
  • Autor Aida Cama
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Art9
  • Data 29.10.2005
  • Autor Aida Cama
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Art9