A do të jetë Gjermania anëtare e Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut? | Gjermania | DW | 12.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

A do të jetë Gjermania anëtare e Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut?

Më 9 maj vendoset se kush do të ketë të drejtë të jetë anëtar i Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut. Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut do të zëvendësojë Komisionin e OKB-së për të drejtat e njeriut

default

Gjermania ishte një nga vendet e para që ofroi kandidaturën e saj për Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut. Por nëse kjo kërkesë do të pranohet, nuk është aspak e sigurt, sepse për grupin e vendeve evropiano-perendimore në këtë këshill janë në dispozicion vetëm shtatë vende. Përveç kësaj secilit prej vendeve që do të votohet për këtë këshill i duhet një shumicë absolute votash në asamble.

Në Evropë ka shumë shtete konkurrente me Gjermaninë, të cilat angazhohen po kaq mirë sa edhe Gjermania për të drejtat e njeriut. Pra sa do të arrijë Gjermania të gjejë mbështetjen e domosdoshme për kandidaturën e saj? Günter Nooke, i ngarkuari i qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut thotë: "Në Evropë ka mendime të ndryshme, por ne do të argumentojmë me faktin që në gjysmën e parë të vitit 2007 Gjermania do të jetë presidente e radhës e BE-së. Një gjë e tillë vlerësohet prej shumë vendeve, sidomos jashtë Evropës, të cilat do të gjykojnë dhe do ta përkrahin kandidaturën tonë."

Sipas përfytyrimeve të Nookes Gjermania duhet të jetë që në fillim anëtare e Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut dhe pas disa vitesh të largohet. Asnjë prej vendeve, madje as anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, nuk ka të drejtë që të zgjidhet më tepër se sa dy herë njëra pas tjetrës në këtë këshill. Pra koha që një vend mund të jetë anëtar i këtij këshilli është e shumta gjashtë vjet.

SHBA nuk kandidojnë për Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut. Nooke-s i vjen keq për këtë: "Nuk besoj se Gjermania dhe Evropa mund të profilizohen në këtë mes kundrejt SHBA-ve. Unë personalisht do të desha që të merresha me çështjet e të drejtave të njeriut duke pasur përkrah SHBA-të dhe jo Vladimir Putinin."

SHBA ishin ndër të paktat vende që votuan kundër themelimit të Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut, sepse ishin të mendimit se përmirësimet kundrejt komisionit të dikurshëm të OKB-së për të drejtat e njeriut nuk ishin të mjaftueshme. Qeveria gjermane është e mendimit se megjithë mangësitë ky këshill ofron edhe shance:"Në rast shkeljesh të rënda të të drejtave të njeriut shtete të caktuara mund të përjashtohen prej këtij forumi, dhe ky është një prioritet." - thotë Nooke.

Po ashtu të gjithë vendet anëtare të Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut duhet t'i nënshtrohen kontrrollit, gjë që do të thotë se vende të tilla si Zimbabvja, Sudani apo Kina nuk do të kenë mundësi t'i bllokojnë rezolutat e OKB-së për të drejtat e njeriut, në mënyrë që të shpëtojnë vetë prej demaskimit.

"E rëndësishme është që nga kjo që kemi të bëjmë më të mirën. Gjermania është sigurisht e vendosur që të vazhdojë të luajë rolin e rëndësishëm dhe plot përgjegjësi që ka pasur deri tani në Komisionin e OKB-së për të drejtat e njeriut sidomos javët e para kur do të përcaktohen procedurat e funksionimit dhe të punës të Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut." - shprehet Nooke.

Po kusht i parë për këtë është që asambleja e OKB-së të votojë pro kandidaturës së Gjermanisë për Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut.

  • Data 12.04.2006
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0r
  • Data 12.04.2006
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0r