A do të ekzistojnë vizat edhe pas liberalizimit të tyre? | Ballkani | DW | 26.10.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A do të ekzistojnë vizat edhe pas liberalizimit të tyre?

Heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë që duan të lëvizin në hapësirën Schengen, varet tani nga vendimi i Këshillit të Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare që do të bëhet i njohur më 8 nëntor.

default

Nuk janë të shumtë qytetarët e zakonshëm në Shqipëri që dinë çfarë përmban legjislacioni i vendeve në hapësirën Schengen për hyrjen në këtë hapësirë.

Gazmend Turdiu, diplomat karrriere, Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme thotë për DW se ky legjislacion përmban 4 lloje vizash, që emërtohen sipas 4 shkronjave të para të alfabetit. “Viza A është viza tranzit, aero-portuale, është ajo vizë me anë të së cilës kontrollohet kalimi tranzit, në zonën e aeroportit. Shqiptarët nuk e kanë provuar këtë lloj vize në hapësirën Schengen, por vetëm kur udhëtojnë në aeroportet e Mbretërisë së Bashkuar. Viza e llojit B është viza tranzit, që vlen për të hyrë nga njëra pikë e kufirit të një vendi të hapësirës Schengen në atë të një vendi tjetër, ku nuk mund të qëndrosh më shumë se 5 ditë. Viza C është viza e qëndrimit afatshkurtër, që i lejon çdo qytetari të hyjë në hapësirën Schengen, të qëndrojë 90 ditë në 180 ditë apo 6 muaj, të cilat mund t'i shpenzojë të gjitha njëherësh ose mund të hyjë një numër të pakufizuar herësh por shuma e të gjitha ditëve të qëndrimit duhet të jetë 90. Kusht i rëndësishëm është që gjatë kësaj periudhe personi nuk ka të drejtë të punojë.”

Gazmend Turdiu, Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme

Gazmend Turdiu, Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme

Qëndrimi afatshkurtër pritet të hiqet edhe për Shqipëtinë

Është pikërisht kjo lloj vizë, viza C, e qëndrimit afatshkurtër që pritet të hiqet edhe për Shqipëtinë dhe B-H më 8 nëntor. Por ka edhe një vizë tjetër që njihet si viza D ose e ndryshe e qëndrimit afatgjatë. “Ajo merret nga ata persona që kanë siguruar një kontratë pune. Me këtë vizë paraqiten në vendin e hapësirës Schengen, ku do të punojnë dhe marrin leje- qëndrimi. Këtë vizë e marrin edhe të gjithë ata që bëjnë bashkim familjar, që studiojnë në një vend të zonës Schengen për periudha më të gjata se 90 ditë në 6 muaj. Vendet e BE, të hapësirës Schengen nuk liberalizojnë këtë lloj vize," thotë Z.Turdiu.

Kjo do të thotë se të gjithë qytetarët e Shqipërisë që kërkojnë të shkojnë në vendet e hapësirës Schengen për qëndrime më të gjata se 90 ditë duhet të paraqiten në zyrat konsullore të ambasadave të vendeve të BE në Tiranë, me dokumentacionin përkatës.


Asgjë nuk ndryshon në regjimin e vizave për qëndrim afatgjatë

Luigi BRUSA, kryetari në detyrë i delegacionit të BE në Tiranë thotë për DW se për të gjitha rastet e qëndrimit më të gjatë se 90 do të vazhdojë, si deri më tani, regjimi i vizave,paraqitja e dokumentacionit zyrtar përkatës, plotësimi i formularëve. “Personat që dëshërojnë të qëndrojnë në vendet e hapësirës Schengen, për një kohë më të gjatë – për punë, studime apo arësye të tjera- duhet të aplikojnë në zyrat konsullore. Lidhur me vizat e qëndrimit afatgjatë asgjë nuk do të ndryshojë,” thekson ai.

Radha për marrjen e vizave para Ambasadës Italiane në Tiranë

Radha për marrjen e vizave para Ambasadës Italiane në Tiranë

Procedura nacionale nga sejcili vend i hapësirës Schengen

Për këto lloj vizash BE ka legjislacionin përkatës te unifikuar në të gjitha vendet anëtare. Por nga na tjetër sejcili vend gëzon të drejtën për të patur veçoritë e veta kombëtare, lidhur me procedurat e dhënies së vizave afatgjata. “Çdo shtet ka specifikat e veta, që reflekton përmes legjislacionit të tij. Nëse flasim për parime të njëjta në aspektin e përgjithshëm,kur vjen fjala për detaje, aty pastaj është legjidlacioni i secilit vend që vendos,” thotë Gazmend Turdiu.

Zyrat konsullore dhe sektori i vizave në ambasadat e vendeve të BE në Tiranë do të vazhdojnë të përmbushin kërkesat e qytetarëve të Shqipërisë për viza të qëndrimit afatgjatë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama



  • Data 26.10.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/PoAL
  • Data 26.10.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/PoAL
Reklamë