9 Maji dhe Rusia | Politika | DW | 09.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

9 Maji dhe Rusia

Të hënën, në kryeqytetin e Rusisë Moskë u mblodhën me ftesën e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin më shumë se 50 kryetarë shtetesh dhe qeverish, për të përkujtuar fundin e luftës 60 vjet më parë. Edhe presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe kancelari Gerhard Shrëder bënë pjesë tek të ftuarit.

Fitorja ndaj Gjermanisë Hitleriane bën pjesë në kulturën e memories kombëtare të rusëve. Cdo vit, në 9 maj ata kujtojnë fundin e luftës - me parada, me nderim të veteranëve, me fjalime patetike për viktimat e "Luftës së Madhe Patriotike". Asnjë vendi tjetër nuk iu desh të paguante një taksë kaq të lartë gjaku për shkatërrimin e diktaturës së Hitlerit sa Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, ndërkohë të shpërbërë. Shumë tradita nga koha sovjetike vazhdojnë të jetojnë në Rusi, midis tyre edhe festa me rastin e 9 majit.

Ftesën e presidentit rus Vladimir Putin për të marrë pjesë në festimet e fitores në Moskë e kanë ndjekur 53 kryetarë shtetesh dhe qeverish, midis tyre edhe kancelari federal gjerman, Gerhard Shrëder dhe kryeministri i Japonisë, Junikiro Koizumi. Të dy përfaqësojnë shtete, të cilat dikur bënin pjesë te armiqtë e luftës së Bashkimit Sovjetik. Por ky gjest i pajtimit kërcënon që të mos përkapet fare.

Në plan të parë ka kaluar një grindje midis Moskës dhe shteteve balltike. Në thelb bëhet fjalë për çështjen, se si duhet vlerësuar 9 maji 1945. Putini ngul këmbë - si dikur shefat e Kremlinit në kohët sovjetike - që fitorja kundër Hitlerit të interpretohet vetëm si çlirim i Evropës nga diktatura nacionalsocialiste. Shtetet balltike, të mbështetur nga SHBA dhe Polonia, tërheqin vëmendjen në atë që pasoi pas 9 majit 1945: zgjerimi i diktaturës komuniste në Evropën Lindore, tmerret e diktaturës staliniste. Kaq larg shkon mosmarrëveshja, sa kryetarët e shteteve të Estonisë dhe Lituanisë kanë vendosur t'i bojkotojnë kremtimet në Moskë. Si mund të shkonte puna kaq larg?

Një vështrim pas: ish-presidenti rus, Boris Jelcin pranoi dikur në Budapest fajin sovjetik në shtypjen e kryengritjes hungareze në vitin 1956. Fjalë të tilla as mund të mendohet se do të dalin nga buzët e shefit aktual të Kremlinit. Putini mban zi për BRSS, para së gjithash për statusin e tij si fuqi botërore. Në 9 maj ai ka ndërmend të festojë fitoren mbi Gjermaninë e Hitlerit dhe njëkohësisht të bëjë të harrohen krimet e Stalinit- një ndërmarrje që nuk mund të mos provokonte kundërshtimin e shteteve balltike.

Vetëm pak kohë më parë, shefi i Kremlinit e quajti shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si "katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të". Banorët e shteteve balltike, por edhe polakët, çekët, sllovakët ose hungarezët mendojnë për këtë krejt ndryshe. Shpërbërja e fuqisë botërore lindore për ta është e barabartë me fillimin e çlirimit nga sundimi prej Moskës.

Putini e ka ushqyer në vitet e fundit mosbesimin e evropianoqendrorëve dhe lindorëve ndaj Rusisë në mënyrë të disafishtë: ai e forcoi rolin e forcave të sigurisë në shtet dhe në shoqëri, kur me ndërgjegje vendosi lidhje me traditat dhe mitet, por edhe me gënjeshtrat politike të shtetit të padrejtësive BRSS. Ai iu përmbajt - përshembull në librat e shkollës- një përshkrimi të historisë që dallohet në një masë vetëm të parëndësishme nga ai që propagandonte dikur Bashkimi Sovjetik. Kështu p.sh. baltët dhe polakët e patën të lehtë të ushqenin edhe më tej tabllonë e armikut për Moskën.

Kaq larg puna nuk duhet të kishte shkuar. Fakt është: 27 milionë qytetarë sovjetikë lanë jetën në luftë kundër nacionalsocializmit. Një sakrificë madhështore në historinë e njerëzimit. Fakt është edhe: ishte Ushtria e Kuqe, e cila mundi Wehrmacht-in në Frontin e Lindjes dhe u dha fund masakrimeve në kampin e përqëndrimit Aushvic. Prandaj 9 maji 1945 është natyrisht një ditë e çlirimit.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Fitorja e Bashkimit Sovjetik çimentoi dhe zgjeroi pushtetin e Stalinit, nën të cilin vuajtën evropianoqendrorët dhe lindorët, por edhe populli rus. Baltët dhe polakët nuk duhet të harrojnë se megjithë afinitetin e Putinit me traditat sovjetike, Rusia nuk është Bashkimi Sovjetik, por një shtet që megjithë vështirësitë dhe rezervat për të- është shprehur për një zhvillim demokratik.

Jo vetëm evropianolindorët e kanë të vështirë të pranojnë të gjithë kapitujt e historisë së tyre. Shumica e popujve kanë tendencë që ose t'i mohojnë ose t'i interpretojnë ndryshe anët e errëta të historisë së tyre. Por pikërisht këtë na mëson 9 maji 1945: ai që do të mësojë nga historia dhe të pajtohet më të vërtetë, ai nuk duhet të falsifikojë atë.

  • Data 09.05.2005
  • Autor Miodrag SORIC
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqu4
  • Data 09.05.2005
  • Autor Miodrag SORIC
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqu4