1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

80 miliardë Euro deri në vitin 2014

8 Qershor 2010

Qeveria gjermane miratoi një paketë kursimesh rekord. Deri në vitin 2014 shteti gjerman duhet të kuresejë deri në 80 miliardë Euro. 11 miliardë qysh në vitin e ardhshëm.

https://p.dw.com/p/NkBe
Paketë kursimesh rekordFotografi: picture-alliance/dpa

"Kanë ardhur kohë të vështira, nuk mund të shpenzojmë më ashtu siç duam, prandaj edhe jemi të detyruar të kursejmë në vitet e ardhshme”- tha kancelarja Angela Merkel para gazetarëve në Berlin.

Ndarje e barabartë mes ekonomisë dhe sektorit social

Bundespressekonferenz Beschluß des Kabinetts zur Neugestaltung des Haushalts der Bundesregierung
Kancelarja gjermane, Angela Merkel para gazetarëve, 7 qershor 2010Fotografi: AP

80 miliardë Euro do të kursejë qeveria gjermane deri në vitin 2014. Shkurtime janë paraparë kryesisht në sektorin social, në atë të ndërmarrjeve dhe në administratën e vendit. Ekonomia do të marrë pjesë në financimin e krizës aktuale nëpërmjet një sërë masash, si heqjes së privilegjeve në sektorin energjetik, një takse për fluturimet, që nisen nga Gjermania, një tatimi për sipërmarrjet, që prodhojnë energji bërthamore, apo derdhjes së dividendit të hekurudhës Deutsche Bahn në favor të arkës së shtetit.

Nga të gjitha këto masa vetëm në vitin e ardhshëm pritet të ketë 5 miliardë euro më shumë në arkën e shtetit. Po aq pritet të jenë edhe kursimet e sektorit social: Nënave të papuna do t'u hiqet shpërblimi i paraparë për prindërit, që shkëputen nga puna për t'u kujdesur për fëmijët e vegjël. Kancelarja siguroi se nga ana tjetër do të rriten përpjekjet për punësimin e tyre. Po ashtu qeveria do të përpiqet të ndërmjetësojë për punë edhe për personat mbi 50 vjeç. Nga gjithsej 2,2 milionë të papunë të aftë në Gjermani, mbi një milionë janë mbi 50 vjeç, ndërsa 700 mijë janë nëna, që i rrisin vetë fëmijët, tha Merkel.

Bundespressekonferenz Beschluß des Kabinetts zur Neugestaltung des Haushalts der Bundesregierung
Merkel para gazetarëve.Fotografi: AP

Tatimet nuk do të rriten

Dy ditë kishin zgjatur konsultat e qeverisë për shkurtimet nëpër ministri. I vetmi sektor, që nuk do të preket nga shkurtimet, është arsimi. Edhe shpenzimet për armatim do të ulen. Zëvendës-kancelari dhe kryetari i partisë së vogël qeverisëse Guido Westerwelle është i kënaqur sidomos me faktin, që nuk u rritën tatimet. "Pakoja e kursimeve, që kemi miratuar, nuk është vetëm ambicioze dhe gjithëpërfshirëse, por edhe e balancuar dhe e drejtë”, tha politikani liberal.

Edhe administrata vetë do të ketë shkurtime: Kështu për shembull, qeveria hoqi dorë hë për hë nga projekti i saj madhështor për rindërtimin e “Kështjellës së Berlinit” mbi themelet e ish-“Pallatit të Republikës” (selia e Komitetit Qendror të Partisë udhëheqëse në ish-RDGj).

Sparpaket sparen Haushalt Deutschland Steuern NO FLASH
Merkel me ministrine Jashtëm Guido WesterwelleFotografi: Bilderbox

Planet e qeverisë gjermane për kursime vijnë si pasojë e krizës globale, garancive për Greqinë dhe Euron, por edhe borxheve të veta, që kishte akumuluar prej kohësh Gjermania. Ato pritet të ngjallin pakënaqësi dhe kritika nga opozita. Sekretarja e përgjithshme e partisë socialdemokrate, Andrea Nahles paralajmëroi: “Ne jemi për kursime, por jo në vendin e gabuar, aty ku dëmtohet koniunktura e brendshme", tha ajo. Të Gjelbrit kanë thirrur për të mërkurën një seancë aktuale në Bundestag.

Piketat e qeverisë gjermane për pakon e kursimeve tani do të trajtohen nga dikasteret përkatëse. Ato kërkojnë edhe ndryshimin e ligjeve në shumë fusha. Sipas zëvendëskancelarit Westerwelle pakoja pritet të miratohet nga parlamenti gjerman në mes të gushtit.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica