73% e francezëve pro ashpërsimit të ligjeve kundër vandalizimit | Evropa | DW | 11.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

73% e francezëve pro ashpërsimit të ligjeve kundër vandalizimit

Megjithë masat e rrepta, ligjet për gjendjen e jashtëzakonshme dhe arrestimet dhuna po vazhdon. Në këto kushte shumica e francezëve janë pro ashpërsimit të qëndrimit ndaj atyre që kryejnë akte vandalizmi, edhe pse i kuptojnë motivet që i shtyjnë ata për të ndërmarrë veprime të tilla.

Pamje nga aktet e vandalizmit në Francë

Pamje nga aktet e vandalizmit në Francë

Pas akteve të fundit të vandalizimit në pesë nga 100 departamentet e Francës vazhdonë të jetë në fuqi ligji i ndalim qarkullimit nga ora 22.00 e darkës deri në 6.00 të mëngjesit të ditës tjetër. Në Evreux pranë Parisit p.sh. në këtë kohë nuk i lejohet askujt që të dalë në rrugë. Personat që kthehen në këtë orë prej punës duhet të kenë me vete një leje të posaçme. Restorantet dhe baret e Evreux-së që zakonisht janë plot kanë mbetur bosh. Tregtarët mendojnë se prej rregullave të posaçme shitjet u kanë rënë me rreth 20%.

Edhe banorët e Garches pak kilometra në jugperëndim të Parisit kanë disa ditë që shohin sesi horizonti mbulohet prej shtëllungave të tymit. Përpara kioskave që shesin gazeta ka çdo mëngjes shumë njerëz. Kjo s'të habit në rast se lexon titujt e kryeartikujve të gazetave. Gazetashitësi citon: "Sondazhi që i përmbys të gjitha: 73% e francezëve janë pro ndalimqarkullimit. 86% e tyre nuk i kuptojnë shkaqet e këtij vandalizimi."

Gazetashitësi na thotë se edhe ai ka frikë dhe se mendon se do të duheshin edhe më tepër masa represive. Ai na thotë se edhe vete edhe klientët e tij janë të një mendjeje me politikanët tejet të djathtë, si MPB Nicolas Sarkozy, se trazirat po e teprojnë.

"Kjo është e tmerrshme. Vendimet kemi kohë që i dëgjojmë, tani ligjet duhet të zbatohen." - thotë një kalimtar.

Një tjetër mendon se duhet ndërmarrë më tepër kundër atyre që shkaktojnë trazira në shkolla. Gjithsesi në zgjedhjet e ardhshme presidenciale ai nuk do të votojë për Sarkozy-në, po nuk e di ende nëse do të votojë për ndonjë nga krahu i majtë.

Pronari i një bari thotë se në lagjet periferike të qyteteve ka rreth 30 vjet që fitili po digjej nga brenda. "Gjithsesi ata që u vënë zjarrin makinave janë në minoritet. Por sidoqoftë, thotë ai, zjari duhet shuar, sepse edhe në periferi ka njerëz normalë që tani nuk mund të jetojnë në qetësi. Të rinjtë po shkatërrojnë atë që ne kemi ndërtuar për ta dhe që u takon atyre. Të gjitha ç'po ngjasin nuk e ndryshojnë qëndimin tim politik, por shteti duhet të veprojë më me ashpërsi për të na mbrojtur ne të gjithëve."

"Për një kohë të shkurtër këto masa janë të mira. Por ne kemi nevojë për një zgjidhje afatgjatë, se kështu nuk vazhdohet dot më tej. Gjithshka është shumë e pakëndshme." - thotë një qytetar tjetër.

Ligji për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Francë është në fuqi vetëm për 12 ditë. Kjo do të thotë deri në fund të javës së ardhshme. Megjithatë thuhet se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjatet edhe përtej kësaj date.

  • Data 11.11.2005
  • Autor Stefanie Markert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCm
  • Data 11.11.2005
  • Autor Stefanie Markert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCm